Retrospektiva na sjell ndër mend faktin zyrtar se, në vigjilje të zgjedhjeve elektorale të qershorit 2009, popullata e Shqipërisë paraqitej nga politika berishiane në shifrën 4,249,942 banorë. Popullsia në moshë pune përfshin moshën 15 - 59 vjet për femrat dhe deri 64 vjet për meshkujt; ndaj, duke llogaritur 1,030,396 femra dhe 1,199,964 meshkuj, popullsia në moshë pune gjatë vitit 2010 kap shifrën 2,230,360 vetë. Por de facto, përjashtohen nga forcat aktive të punës 220 mijë gjimnazistë dhe studentë, si dhe afro 50 mijë persona me aftësi të kufizuar, ose të paaftë për të punuar, ndaj forca totale e punës kufizohet në 1,960,360 vetë. Nëse llogarisim 1,060,000 të punësuar gjithsej, na del se shifra e të papunëve gjatë vitit 2010 ka qenë 900,000 vetë, kurse papunësia reale mbi 45.9%. Këto fakte tronditëse demagogjia berishiane, edhe sikur të përdori keqinformime zyrtare ose gënjeshtra lajthitëse, nuk mund t’i mbulojë dhe as t’i nulitizojë. Duke referuar te statistikat e nxjerra nga CIA World Factbook, popullsia e Shqipërisë në korrik 2012 ka qenë 3,002,859 banorë dhe ka pasur këtë strukturë moshash: 21.4% - nga 0 deri 14 vjet (meshkuj 337.364/femra 303.669); 68.1% - nga 15 deri 64 vjet (meshkuj 996.666/ femra 1.043.472); dhe 10.5% të moshës 65 vjet e lart (meshkuj 148.151/ femra 165.345). Mbështetur në të dhënat e lartpërmendura lehtazi konstatohet se popullsia në moshë pune përfshin femrat nga mosha 15 deri 59 vjeç dhe meshkujt nga 15 deri 64 vjeç. Duke zbritur nga 1,043,472 shifrën 104,350, del se femrat që kanë të drejtën kushtetuese për të punuar nga mosha 15 deri 59 vjeç janë 939,122; kurse meshkujt 996,666. Pra de jure, popullsia në moshë pune llogaritet 1,935,788; por de facto, për të llogaritur forcat e punës duhet të zbresim 200 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe studentët, plus 50 mijë individë me aftësi të kufizuar, ose të paftë për të punuar. Kësisoj forcat aktive të punës zbresin te shifra 1,685,788. Meqë zyrtarisht statistika e regjimit berishian pranon se gjoja ka të punësuar 1,053,000 punonjës, atëherë, duke e pranuar a priori si të mirëqenë shifrën e lartpërmendur, na del se Shqipëria ka realisht 632,788 të papunë. Pra de facto, papunësia fshihet “si kokë struci” nga militantët partiakë të punësuar brenda administratës civile të shtetit, të cilët, për të grimuar politikat keqqeverisëse të partisë së tyre, mundohen duke rritur shifrat e punësimit dhe ulur në mënyrë drastike treguesit e papunësisë. Aktualisht “statistikat berishiane”, me gënjeshtra, keqinformime dhe manipulime, ngulin këmbë te stratagjema lajthitëse, që propagandon papunësinë 13.23%, por, sipas testit objektiv, papunësia reale është mbi 37.5%, sepse, siç lartpërmendëm, të papunët kapin shifrën mbi 632,788 vetë.


Klajdi Myzaferaj/Kryetar i FRESSH, Vlorë