TIRANE - Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës pohuan dje se kanë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë, dy 23- vjeçarët kryeqytetas; Gentian Kala dhe Albenc Rremi. Prangosja e tyre është bërë pasi rreth orës 21:00 të së martës në rrugën “Niko Avrami” në kryeqytet janë kapur në flagrancë, pasi posedonin një sasi prej 32 gramë hashash. Policia pohoi se dy të rinjtë vepronin në bashkëpunim me njëri- tjetrin, ndërsa paraprakisht posedohej informacion se ata merreshin me shitjen e lëndëve narkotike. Pas kontrollit të ushtruar ndaj tyre u gjet droga e ndarë në 8 porcione, me qese farmacie, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy telefona celularë. Pas kësaj policia kaloi në Prokurori materialet hetimore në ngarkim të tyre, nën akuzën e “shpërndarjes së narkotikëve”.