Trazhgim Sokolaj

Skandali i arrestimit të ish-nënkomisarit të Rinasit Altin Murra me 200 kilogramë heroinë në Turqi, shkaktoi dje shkarkimin e tetë zyrtarëve në komisariatin e aeroportit ndërkombëtar të vendit. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se është larguar nga detyra shefi i komisariatit të Rinasit Urim Rexhepi, i cili është transferuar në një detyrë tjetër më të ulët. Po ashtu janë shkarkuar edhe shefi i Kufirit, oficeri Gerin Seitllari dhe kryekontrollori Granit Halili bashkë me dy vartës të tij. Shkarkimet kanë vazhduar më pas me shefin e krimeve në Komisariatin e Rinasit si dhe me 4 zyrtarë e punonjës të tjerë të këtij institucioni. "Furtuna" në komisariatin e Rinasit erdhi pas një analize të hollësishme të situatës nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme, pas kapjes në Turqi me 200 kilogramë heroinë të 27-vjeçarit Altin Murra, ish-nënkomisar në komisariatin e policisë së aeroportit. Ai u arrestua më 8 qershor 2009 gjatë një aksioni antidrogë të policisë turke, e cila bashkë me zyrtarin e policisë së Rinasit vendosi në pranga edhe dy persona të tjerë, që ndodheshin në makinën ku u bllokua lënda narkotike. Burhan Markeçi, 39 vjeç nga Dibra dhe Nalton Jaçaj, 35 vjeç nga Tirana, ranë në prangat e policisë turke bashkë me nënkomisarin e aeroportit të Rinasit. Ish-oficeri Altin Murra, i cili u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit menjëherë pas arrestimit të tij me drogë në Turqi, më 2 qershor 2009 kishte marrë leje nga zyrtarët e komisariatit të Rinasit dhe më pas ishte larguar drejt Turqisë me avion.
Furtunë në Rinas
Arrestimi i Altin Murrës me 200 kilogramë heroinë në Turqi u bë shkak për një analizë të hollësishme të gjendjes në komisariatin e Rinasit. Për mëse dy javë, strukturat e policisë së Tiranës, Drejtorisë së Për-gjithshme dhe Ministrisë së Brendshme, bënë hetimet e tyre dhe arritën në përfundimin se zyrtarët e policisë së Rinasit ishin përgjegjës për shkelje të disiplinës dhe rregullores së policisë. "Shkarkimet në komisariatin e Rinasit janë bërë mbi bazën e një verifikimi faktik të gjendjes në këtë institucion. Zyrtarët më të lartë të komisariatit janë ndëshkuar pasi nuk kanë arritur të sigurojnë informacion për veprimtarinë kriminale të një efektivi vartës të tyre", thanë burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Sipas tyre, shkarkimi i kryekontrollorit të Rinasit Granit Halili është bërë për shkak se dy ditë pas arrestimit në Turqi të Altin Murrës, me 200 kilogramë heroinë, zyrtari i policisë së Rinasit ka udhëtuar në drejtim të Turqisë pa lajmëruar titullarët. Krye-kontrollori i Rinasit, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ka shkuar në Turqi dhe është interesuar lidhur me arrestimin e ish-kolegut të tij Altin Murra. Burime thanë se ky ka qenë motivacioni zyrtar i shkarkimit të kontrollorit Granit Halili, ndërsa zyrtarët e tjerë të komisariatit të Rinasit janë "fajësuar" se nuk kishin siguruar informacion për veprimtarinë e Altin Murrës, i cili akuzohet për trafik narkotikësh në Turqi. Ish-nënkomisari i Rinasit, 27-vjeçari nga Dibra Altin Murra, ishte punësuar prej një viti në komisariatin e policisë së Rinasit. Në kohën kur ra në pranga me 200 kilogramë heroinë Murra ndodhej në makinë edhe me dy persona të tjerë.


Masat ndëshkimore

Shefi i Komisariatit    Shefi i Krimeve
Shefi i Kufirit        Kryekontrollori
3 kontrollorë

Arrestimi
Altin Murra, 27 vjeç
Ish-nënkomisar
Kapur me 200 kg heroinë
më 8 qershor 2009