27/03/2010 Në mbledhjen e Komunitetit në Kavajë Ndriçim Sulejmani s’pranoi largimin e një përfaqësuesi


SHKODER- Burimet jozyrtare nga Myftinia e Shkodrës bëjnë të ditur se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra Myftiun e Shkodrës Ndriçim Sulejmani. Të njëjtat burime shprehen se shkak është bërë një incident mes tij dhe drejtuesve të Komunitetit Mysliman shqiptar gjatë një mbledhje të orëve të vona të së enjtes në Kavajë.


Përplasja


Të njëjtat burime shprehen se në mbledhjen e kryesisë së Komunitetit Mysliman në Kavajë, drejtuesit e mbledhjes kanë kërkuar largimin e njërit prej tre përfaqësuesve të Myftinisë së Shkodrës, pasi pretendohej se nuk ishte anëtar i Kryesisë së Komunitetit Mysliman. Pas kësaj kërkese myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, ka kërkuar të sqarojë se personi të cilit i kërkohej largimi është përfaqësues i kryesisë së Shkodrës dhe ka ardhur në mbledhje sipas rregullore nga vetë Myftinia, që gëzon të drejtën e përfaqësimit me tre anëtarë. Sqarimet nuk janë pranuar nga kryesia e mbledhjes edhe pse myftiu Sulejmani ka deklaruar se do largohej edhe ai nëse ngulej këmbë për largimin e njërit prej përfaqësuesve të Shkodrës. Mosdëgjimi i fjalës së myftiut Sulejmani ka sjellë dhe largimin e tij nga mbledhja, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Shkodrës. Pas këtij veprimi Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar ka marrë masën e shkarkimit nga detyra të myftiut Ndriçim Sulejmani. Ndërkohë në Myftinë e Shkodrës nuk është dërguar asnjë shkresë zyrtare për shkarkimin e Myftiut Sulejmani, i cili ka dalë dje normalisht në punë, për t’u nisur drejt Tiranës vetëm në orën 11:00.