Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Fierit. Policia ka shkëmbyer zjarr me dy grabitës dhe për pasojë njëri prej tyre ka humbur jetën.


Në orën 03:00 të së premtes, policia u njoftua se në lagjen 29 Nëntori, pranë banesës së shtetasit M.M., disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë duke thyer drynin e derës. Me të mbërritur në vendngjarje, policët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Efektivët janë kundërpërgjigjur dhe nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët ka gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur.


Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.


Nga radhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar. Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.


Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale. Nën drejtimin e një grupi të posaçëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.


23 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)