Kreu i Shtetit, Ilir Meta është pyetur në lidhje me deklaratën e John Bolton, ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Donald Trump, i cili është shprehur se shkëmbimi territorial mes Kosovë dhe Serbisë nuk ishte ideja ime, ma kërkuan Thaçi dhe Vuçiç.



Meta ka thënë se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë duhet të jetë në BE, ndërsa çdo ide për ndryshimin e kufijve, thekson se nuk i shërben forcimit të themeleve të Evropës së bashkuar.


Vlerësoj që pa u bërë pjesë e komenteve të diplomatëve, apo ish përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë duhet të jetë në BE. Është objektiv i shpallur në mënyrë të qartë nga të dyja vendet dhe pa asnjë diskutim që në BE, çdo ide për ndryshim kufijsh është ide, që nuk i shërben forcimit të themeleve të Evropës së bashkuar dhe është mjaft e rëndësishme të punohet për të zbatuar standardet e BE në të dy vendet, sepse nuk mund të ketë asnjë zgjidhje, as të qëndrueshme e as paqësore duke bërë llogari jo vetëm kufijsh, por edhe qytetarësh në radhë të parë. Nuk ka nevojë Ballkani për zgjidhje të vjetra që tregojnë sa e shkatërrojnë të ardhmen e këtij rajoni, tha Kreu i Shtetit.


I pyetur nëse kishte informacion për përfshirjen e kryeministri Rama në shkëmbimin e territoreve, duke iu referuar qëndrimeve të ish-këshilltarit të tij, Tony Blair, se ky i fundit ishte investuar në këtë çështje, Kreu i Shtetit tha: Pavarësisht nga një informacion i tillë, unë duhet të falënderoj Britaninë e Madhe, që ka pasur dhe ka qëndrim koherent dhe të qartë për të ardhmen e rajonit dhe për kontributin që jep, që ky rajon ta ketë vendin në BE, ku shpresojmë të kthehet edhe Britania e Madhe në të ardhmen.