Skizofrenia prek afërsisht një në çdo 100 persona dhe në 70 deri 90 për qind të rasteve vihet re tek persona të së njëjtës familje.


Në përpjekje për të gjetur një kurë, Konsorciumi Ndërkombëtar i Skizofrenisë i përbërë nga 11 institute në mbarë botën ndërmori një studim ku u krahasua ADN-ja e të 3 mijë e 300 personave me skizofreni me ADN-në e 3 mijë e 200 personave pa këtë sëmundje. Gjatë studimit shkencëtarët gjithashtu konfirmuan ndërlikimin e një çrregullimi të tretë gjenetik në skizofreni, që ishte njëjtësuar më parë. Pamela Sklar është psikiatre dhe gjenetiste pranë spitalit të përgjithshëm të Masaçusetsit dhe bashkautorë e studimit.


Ajo thotë se rezultatet e studimit krijojnë shpresa për personat që vuajnë nga skizofrenia dhe për personelin mjekësor që trajtojnë këto raste.


“Ne kemi shpjeguar vetëm një pjesë të vogël të arsyes përse njerëzit preken nga skizofrenia dhe sigurisht më shumë punë duhet bërë për të lidhur ndikimin e plotë të faktorit gjenetik në këtë sëmundje”.


Gjatë studimit, shkencëtarët gjetën çrregullime të rralla gjenetike tek 13 për qind e pacientëve me skizofreni. Por ata gjithashtu gjetën gjurmë çrregullimesh edhe tek 10 për qind e pjesëmarrësve në studim që nuk vuanin nga kjo sëmundje.


Autorët e studimit thonë se këto rezultate lënë të kuptohet se çrregullime të tjera gjenetike kanë lidhje me zhvillimin e skizofrenisë. Nga ky zbulim gjithashtu mund të kuptohet që skizofrenia është një sëmundje e përbërë nga disa çrregullime mendore.


Majkëll O’Donovan është psikiatër në Universitetin Kardif në Uells dhe një nga autorët kryesorë të studimit.


“Disa nga të dhënat e këtij studimi ne i kemi ndeshur edhe në studime rreth sëmundjeve të tjera mendore, si për shembull tek personat me autizëm dhe me zhvillim të vonuar mendor. Prandaj ajo që ne po përpiqemi të përcaktojmë është nëse këto sëmundje mendore kanë shkaktarë të përbashkët ose lidhen me njëra-tjetrën”.


Shkencëtarët thonë se ata kanë përcaktuar se tek cilat molekula mund të përqendrohen për të zhvilluar barna për trajtimin e skizofrenisë. Por provat diagnostike janë më pak përcaktuese, pasi shumë njerëz që nuk vuajnë nga skizofrenia kanë gjithashtuç gjenetike.





Elbasan





Shkolla “Naim Frashri” mbush 100 vjeç





Shkolla “Naim Frashri” në Elbasan, e para shkollë fillore shqipe në këtë rajon, do të festojë nesër 100-vjetorin e krijimit përmes disa veprimtarive që do të organizohen nën kujdesin e bashkisë dhe mësuesit më të vjetër të kësaj shkolle, Sami Domi.


Shkolla me një histori njëshekullore u çel në fillim të gushtit të vitit 1908, me iniciativën e Fejzullah Guranjakut, veprimtar i arsimit, ‘Mësues i Popullit’. Në atë kohë shkolla funksiononte pranë një godine në vendin e quajtur ish-depoja e kripës.


Pas hapjes së saj, plot 12 shkolla të tjera shqipe me 16 mësues gjithsej do të çeleshin brenda një periudhe 6-mujore (gusht–dhjetor 1908). Tri prej këtyre shkollave drejtoheshin nga mësuese femra.


Bazuar në dokumentet historike, në 25 nëntor të vitit 1912 shkolla ‘Naim Frashri’ u vendos në godinën ngritur në bedenat e hyrjes lindore të kalasë dhe u quajt shkolla “Qendrore”.


Në vitet 1913-1914 ajo funksionoi tek shtëpia e Hashim Hakanit tek Rrapi i Bobollës për t’u zhvendosur sërish tek godina e kalasë deri në vitin 1968. Prej atij viti dhe deri tani shkolla ‘Naim Frashri’ ndodhet në një godinë në parkun “Rinia”.


Ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle përmenden Fejzullah Guranjaku dhe Hysen Ceka. Më vonë pranë saj u afruan mësuesit Haxhi Myslimi, Murteza Karadaku, Simon Shuteriqi, Ahmet Gashi, Mustafa Curri, Ibrahim Shehu, Filip Leci.


Në vitin shkollor 1918–1919, klasat e larta të shkollës, që në atë periudhë njihej me emrin shkolla “Qytetëse”, u bashkuan me Normalen dhe formuan shkollën gjimnaz–normale. Shkolla “Qytetëse” që më 1923–1924 u quajt “Plotore”, trajtohej me cilësinë e shkollës së mesme, krahas Normales.


Në shtator të vitit 1935 ajo u quajt me emrin “ Naim Frashri”, të cilën e mban edhe sot. Në Luftën II Botërore kundër pushtuesve ranë dëshmorë 43 nxënës të shkollës “Naim Frashri”. Shkolla është dalluar për veprimtari muzikore e sportive dhe për aktivitetin e saj janë botuar në organet e shtypit lokal e qendror rreth 200 shkrime me karakter informativ, studimor e didaktik.


Brez pas brezi shkolla ‘Naim Frashri’ ka nxjerrë emra të njohur të kulturës dhe shkencës. Rreth 39 nxënës nga viti 1954 deri më 1998 janë nderuar me çmime kombëtare në veprimtari shkencore, olimpiada të matematikës, konkurse kombëtare të pikturës, letërsisë, sportit etj.


Ndër personalitetet, ish-nxënës të kësaj shkolle, përmenden Prof. Aleks Buda, Prof. Dhimitër Shuteriqi, Prof. Kolë Paparisto, Prof. Kolë Popa, Prof. Mahir Domi, Prof. Teki Biçoku, etj.


Në vitin 1995 shkolla “Naim Frashri” është përfshirë në projektin danezo-shqiptar, për kualifikimin e stafit mësimdhënës. Pjesa më e madhe e stafit pedagogjik kanë shkuar për shkëmbim përvoje në Danimarkë. Në vitin 1999 ajo u rindërtua nga fondacioni CRS. Në të funksionon edhe muzeu i shkollës, i cili u ngrit në vitin 1934 me përpjekjen e normalistëve.