Doktor Sait Bilal Golemi  ishte një mjek veterinar, shkencëtar dhe atdhetar i shquar. Do të lindte në Golem të Kurveleshit. Babai i tij ishte fukara,ndaj në vitin 1906 do detyrohen të mërgojnë me gjithë familjen nëTurqi dhe të vendosen në qytetin e Stambollit.


Bilali kishte ruajtur në zemër bukuritë e Golemit, pa harruar gjuhën e nënës, vazhdoi shkollën fillore dhe të mesme. Më 1923 kreu dhe shkollën e Veterinarisë Ushtarake dhe u diplomua mjek toger.


Me shpenzimet e tij shkoi në Gjermani për specializim të lartë. Atje pati mundësi të qëndronte vetëm 4 muaj se shpenzimet e shkollimit ishin tepër të shtrenjta. Kaloi në Paris ku vazhdoi Institutin Pastuer, por nuk neglizhoi edhe profesionin e parë, veterinarinë.


Në Paris u njoh me shkencëtarë të famshëm. Atje u martua me një franceze fisnike. Por zemra i rrihte për atdheun e lindjes. Më 1928 u vendos në Shqipëri, bashkë me nusen franceze të shqiptarizuar. Zonja Nilyfer edhe shqipen dhe turqishten i fliste fare bukur.


Kur erdhi Dr. Bilal Golemi për shërbim në Shqipëri. Ahmet Zogu ishte vetëshpallur Mbret i shqiptarëve. Doktor Bilali nisi të shërbejë në lëmin e zooteknikës duke bërë hulumtime në këtë degë.


Dr. Bilal Golemi, i brymosur në Turqinë qemaliste dhe i kalitur në Francë, si republikan, demokrat e laik, nuk pajtohej me qëndrimin feudal monarkist. Po dhe Ahmet Zogu kërkonte gjithmonë rastin për ta futur në grackë doktor Golemin.


Doktori themeloi laboratorin bakterologjik-veterinar. Mirëpo reaksionarët atë do ta përziejnë me lëvizjen e Vlorës më 1930. Gjykata zogiste do e dënojë doktorin me 101 vjet burgim. Golemi protestoi me grevë urie dhe nuk hoqi dorë nga pikëpamjet e tij demokratike.


Regjimi i Zogut për shkak të presioneve të brendshme popullore e të jashtme, Dr. B. Golemin bashkë me disa shokë të tjerë si Dr. Tare Libohova etj,  e fali më 13 shkurt 1935.


Shkencëtari, i sakatosur në mushkëri, shkoi prapë në Turqinë qemaliste, ku u prit me kënaqësi. Punën e nisi në Hara të Karaxhabejit afër Bursës, më pas shokët e tij e thirrën në Ankara.


Në kryeqytet punoi si bakteriolog, mori pjesë në shumë kongrese kombëtare e ndërkombëtare dhe u dallua si shkencëtar i rrallë. Më 1952 u emërua drejtor i qendrës shëndetësore Refik Saydam e cila ishte një spital pilot.


Doktor Golemi që vuante nga enfizema e trashëguar nga burgjet e Shqipërisë zogiste, do të vdiste më 15 mars 1955 në Stamboll, duke u varrosur në Istinye, në brigjet e Bosforit, pranë babait të tij, Ali Golemi.


Dr. Sait Bilal Golemi më 1952-in kishte marrë nga qeveria franceze medaljen Legjion dHonneur.


Gjithashtu Shqipëria do ta nderojë me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë dhënë nga Kuvendi Popullor më 1969.


Doktor Bilal Golemi ka kryer më tepër se 50 studime shkencore origjinale në lidhje me profesionin e tij. Një dhomë në Refik Saydam Saglik Merkezi është pagëzuar me emrin Dr. Sait Bilal Golemi Salonu. Në këtë sallon zhvillon aktivitetin e tij laboratory B.C. G./Konica.al