SHKODER - Një 19-vjeçar nga qyteti i Shkodrës ka gjetur vdekjen mbrëmjen e djeshme pas një atentati me pistoletë ndaj tij, ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me motivet dhe atentatorin e të riut. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së hënë në afërsi të "Trumës së Dugajve të Reja", pranë rrugës muzeale dhe Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës. "Viktima e atentatit është 19-vjeçari Eduart Thana, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës", - shtojnë burime të policisë. Pas ngjarjes policia konfirmon se ka bërë shoqërimin e 12 vetëve, por ende nuk ka një emër të vrasësit dhe shkaqet e krimit të rëndë. Atentati ndaj 19-vjeçarit Thana ka ndodhur në momentin kur sapo ka dalë nga një lokal në afërsi të universitetit, në kohën që po debatonte me një person. Burimet e mësipërme shtojnë se në drejtim të Thanës është drejtuar një automjet, në të cilin ishin dy persona. Pikërisht prej tyre, në momentin që ai ka tentuar të futet në një lokal lojërash elektronike, është ndjekur dhe është qëlluar disa herë me pistoletë. Pas atentatit, personat që qëlluan drejt 19-vjeçarit janë larguar me shpejtësi me makinë. Megjithëse është nisur për në spital, i riu nuk ka mundur të mbijetojë. Tre plumbat e pistoletës që mori në trup i sollën vdekjen. Mësohet se forca të policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe administruar tri gëzhoja pistolete. Të shoqëruarit janë persona të rastësishëm, apo dhe të njohur të viktimës. Policia po punon për identifikimin e kapjen e autorëve.

(d.b/BalkanWeb)