Ritmet e muzikës xhaz vijnë nga artistë të njohur botërorë të kësaj rryme muzikore
Qyteti i Shkodrës do të kalojë disa ditë nën ritmet e muzikës xhaz, e cila do të vijë pranë publikut nga artistë të njohur botërorë të kësaj rryme muzikore. Në qytetin e Shkodrës ka startuar dje edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar Shkodra Jazz Festival kushtuar kujtimit të muzikantit të madh shkodran, violinistit Rrok Jakaj. Festivali, që do të zgjasë gjashtë ditë, shënon edhe këtë vit praninë e mirëpritur të shumë muzikantëve të njohur të skenës botërore të muzikës xhaz.

Artdashësit shkodranë, si edhe të gjithë ata që do të kenë fatin të ndodhen në Shkodër gjatë kësaj jave, do të kenë mundësinë këtë vit të shijojnë muzikën xhaz të ekzekutuar nga artistë të afirmuar të skenës botërore. Kështu, rrugëve dhe skenave të qytetit nën këmbët e Rozafës rikthehet, pas sukseseve të edicioneve të mëparshme, artisti italian Diego Borotti, i vlerësuar si njëri prej pjesëmarrësve më të rëndësishëm të panoramës xhaz të shtetit fqinj. Rikthim i rëndësishëm është edhe ai i The Dream Trio, kompleksit të drejtuar nga virtuozi shqiptar Sokol Prekalori. Po ashtu pjesëmarrës do të jetë dhe grupi xhaz Aleberto Mandarini Quartet, por edhe nga talente të reja që po afirmohen në skenën ndërkombëtare, si pianisti e kompozitori shkodran Robert Bisha. Xhaz pra, por edhe kontaminime kreative të tij me flamenkon e Javier Galliania e Spice Berberechos, apo me ritmet afro-braziliane të Roberto Taufic Hasbun e Simon Papa. Një dimension i rëndësishëm i festivalit do të jetë edhe këtë vit përfshirja aktive e qytetit dhe qytetarëve të Shkodrës, të cilëve do tu jepet mundësia të dialogojnë me festivalin përmes talk-shoë-t muzikor të organizuar çdo pasdite në rrugën historike Kolë Idromeno. Artistët e përfshirë në këtë projekt ambicioz do të vihen gjithashtu në shërbim të brezit të ri të muzikantëve Shkodranë që po formohen në shkollën e muzikës së qytetit, ku çdo ditë do të organizohen mësime kushtuar xhazit. Festa, e cila do të zgjasë gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të festivalit, do ta arrijë temperaturën e saj të vërtetë mbrëmjeve, në lokalet shkodrane, ku muzikantët do të interpretojnë çdo natë për publikun e qytetit. Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, nuk mund të mungonin shfaqjet në tempullin e muzikës shkodrane, Teatrin Migjeni, ku do të zhvillohen dy koncerte në 29 dhe 30 maj. Shkodra Jazz Festival është një event i ideuar dhe organizuar nga Shoqata Kulturore Rrok Jakaj, në bashkëpunim me Optional Music International. Në edicionin e parë ishin të pranishëm miq të Jakajt të cilët kënduan me të në një trio nëpër të gjithë Italinë, The Dream Trio e Nico di Battistas. Në 2005-ën di Battista kujtonte me habi ndikimet e shumëllojshme në muzikë në Shqipëri, prej Arabisë e gjer në Ballkan, e tek xhazi i përtej La Manshit. Di Battista dhe Sokol Prekalori, një tjetër violinist shkodran me banim në Itali, janë rikthyer për ta përsëri në këtë terren. Festivali nisi ashtu si variacioni që bën Robert Bisha me Qengjin e vogël. Përpjekje për të rigjallëruar kujtesën muzikore të njeriut, por duke luajtur me të, duke sjellë elemente të reja që sfidojnë të vjetrat, dhe një përvojë tjetër që të luajë në memorien dhe shijen e Shkodrës dhe gjithë rajonit në një mënyrë që të bën të zbavitesh dhe të reflektosh. Shoqata Rrok Jakaj ka si objektiv ringjalljen e ndjenjës së lirisë kulturore në një qytetet me tradita të lashta muzikore dhe artistike, ti kthejë Shkodrës kolonën zanore dhe të bëjë këtë të fundit ambasadoren e imazhit të këtij qyteti me shpirt krijues. Festivali i kushtohet violinistin të shquar Rrok Jakaj, i ndarë para kohe nga ne, i cili ishte dhe iniciatori. Pak muaj nga ndarja para kohe të Rrok Jakaj, si iniciativë e vëllezërve dhe bashkëpunuesve më të ngushtë të tij, u krijua Shoqata Kulturore Rrok Jakaj.

Festivali në vite
2005-Festivali përbëhej nga tre mbrëmje ku tre grupe luajtën çdo natë. Ky eveniment u mbyll nga orkestra e drejtuar nga z. Ferrari. Orkestra u krijua nga grupet pjesëmarrëse dhe talentet e rinj të cilët patën rastin të mësonin nga muzikantë të afirmuar. Pas- festivali i organizuar në bare ishte shumë efikase për të sjellë njerëzit e thjeshtë sa më afër kësaj rryme muzikore. Festivali ishte një nivel i lartë jo vetëm për muzikën dhe muzikantët, por edhe për efektet e veçanta të ndriçimit dhe efektet e zërit.  

2006-Festivali u zhvillua në katër ditë të ndara në tre takime muzikore, Shkodra Sounds Swing e Shkodra Sounds Swing Round Midnight; këto dy takime u zhvilluan në bare. Takimi kryesore u zhvillua në teatrin Migjeni. Festivali ashtu si edhe një vit më parë solli një atmosferë të mrekullueshme në qytetin verior, duke ofruar mbërmje nën interpretimin artistëve të njohur.

2007-Festivali u zhvillua në katër ditë të ndara në tre takime muzikore. Risija e këtij viti ishte takimi i pasdites Shkodra sounds Swing Corner me të ftuar nga ambienti i kulturës, grupet pjesëmarrëse dhe momente muzikore dhe Shkodra Sounds Swing - Round Midnight, ku muzikantët e rinj, që patën mundësinë të marrin pjesë në kurset, që u zhvilluan gjatë festivalit nga artistët pjesëmarrës, luajtën të shoqëruar nga vetë artistët, një mënyrë kjo për të rritur interesin dhe njohuritë e të rinjve për një zhanër në hapat e para në Shqipëri.






Last Updated on Tuesday, 26 May 2009 16:23