Festivali më 2-5 korrik

Shkodra feston nga nesër deri më 5 korrik, disa net në jazz. Është edicioni i katër i festivalit të Jazz-it që organizohet nga shoqata kulturore “Rrok Jakaj” dhe “Optional Music International”. E reja e këtij edicioni është interpretimi në sheshet e qytetit dhe në lokalet e tij kryesore, pëveç “rezidencës”, Teatrit “Migjeni”. Interpretimi shoqërohet ndërkaq me një prezantim vizual nëpërmjet video-projeksioni i ngritur në këmbë nga italiani Michele Robecchi dhe spanjolli Raul Martinez dhe disa artistëtë tjerë të huaj të cilët i shoqëron edhe artisti shqiptar, Adrian Paci.


Festivali që u themelua më 2005, në kujtim të muzikantit të njohur shqiptar Rrok Jakaj, ka një programacion më të zgjatur në kohë, deri në orët e vona të pasmesnatës kur në disa bare dhe restorante të njohura të qytetit muzikantet do të përfshihen në “Jam Sessions”. Paraditeve të festivalit, muzikantët ofrojnë leksione dhe masterclass që do të përqendrohen në improvizimin dhe karakteristikat etnike në jazz, ndërsa artistët vizualë do të merren me “investigimin e hapësirës mes iluzionit dhe deziluzionit”. Gjithashtu, në ditët e festivalit, në trotuarin pranë Kafes së Madhe, objektit historik të qytetit, kompozitori dhe muzikologu i njohur, Zef Çoba do të drejtojë “Shkodra Sounds Corner”, ku muzikantët vendas do të diskutojnë për muzikën e do të ekzekutojnë. Pjesëmarrëse e veçantë në edicionin e katërt të këtij festivali do të jetë dhe Eileina, këngëtare britanike e muzikës soul dhe “Diego Borotti Quartet”, Markeljan Kapedani me “Balkan Trio”, Kori “Prenkë Jakova” etj.