TIRANE - Një 52-vjeçar është gjetur i mbytur mesnatën e së dielës duke gdhirë dita e hënë, në Liqenin Artificial të Tiranës. Trupi i pajetë i Behar Hamzait është nxjerrë nga policia, të cilët kanë kontrolluar përgjatë gjithë natës përreth liqenit, pas denoncimit të familjarëve të tij. Sipas të afërmve të Hamzait, ai kishte dalë të dielën në mëngjes për të peshkuar te Liqeni Artificial, por nuk ishte kthyer më në shtëpi. Të shqetësuar nga vonesa, familjarët kanë lajmëruar në polici. Burime nga Komisariati nr.2 thanë se trupi i pajetë i 52-vjeçarit kishte dalë në breg të liqenit dhe më pas është transportuar në morgun e Tiranës. Sipas burimeve, dyshohet se Hamzai mund të ketë pësuar ndonjë luhatje tensioni dhe është mbytur aksidentalisht në liqen. Të njëjtin dyshim kanë edhe të afërmit e tij.