TIRANE- Më datë 18 mars 2014, nis testimi me shkrim i kandidatëve për Shkollën Bazë të Policisë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur ditën e djeshme se testimi me shkrim i kandidatëve, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet për Shkollën Bazë të Policisë “Për Patrullë të Përgjithshme”, do të fillojë më datë 18 mars të këtij viti dhe do të shtrihet dhe në ditët pasuese. Shkak për zhvillimin e testit për disa ditë, është numri tepër i lartë i aplikimeve, ku në të gjithë vendin kanë aplikuar 10.035 persona, nga të cilët 1.558 femra dhe 8.477 meshkuj.

Testimi
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur se testimi me shkrim do të zhvillohet tek Pallati i Kongreseve dhe korrigjimi i testimit do të kryhet me skaner, duke mundësuar që kandidatët brenda ditës të njihen me rezultatin e pikëve të grumbulluara gjatë testimit. Sipas policisë, listat e aplikantëve që do të përmbajnë të dhënat mbi kandidatin (emër, atësi, mbiemër), qarkun ku është bërë aplikimi, kodin e aplikantit, datën dhe orën e testimit, do të shpallen ditën e hënë, më datë 10 mars 2014, në të 12-të Drejtoritë e Policisë në Qarqe.

Aplikimi
Më datë 28 shkurt përfundoi procesi i aplikimit për Shkollën Bazë të Policisë “Për Patrullë të Përgjithshme”. Policia e Shtetit bëri me dije se në të gjithë vendin kanë aplikuar 10.035 persona, nga të cilët 1.558 femra dhe 8.477 meshkuj. “Për herë të parë, është evidentuar një interes kaq i lartë i qytetarëve për të aplikuar e për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë, gjë që dëshmon besimin e tyre tek transparenca e këtij procesi dhe shancet e barabarta të ofruara çdo aplikanti për t’u përzgjedhur për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit” thuhej në deklaratën për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas policisë, ky është një tregues i besimit në rritje të qytetarëve shqiptarë tek Policia e Shtetit dhe tek puna madhore e saj për të garantuar sigurinë publike. Për numrin e lartë të kandidatëve reagoi edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili u shpreh se “si kurrë më parë 10.035 aplikantë për Shkollën e Policisë, 1.558 vajza dhe 8.477 djem”.  Ministri tha se ky është një frymëzim për dikasterin blu për të vazhduar reformat që ka nisur. “Po rilind Policia e Shtetit e gjeneratës së re. Frymëzim për të vazhduar reformat që kemi nisur. Nxitje për të vazhduar rezultatet e deritanishme.

Tregues i padiskutueshem i besimit në Policinë e Shtetit, sundimin e ligjit dhe drejtësinë” u shpreh pak ditë më parë kreu i Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri.

Listat do të përmbajë:
Të dhënat mbi kandidatin (emër, atësi, mbiemër),
Qarkun ku është bërë aplikimi,
Kodin e aplikantit
Datën dhe orën e testimit
 
 Shkrimi u publikua sot (09.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)