“Në momentin që del në qarkullim një vepër e re ndryshon e gjithë hierarkia e letërsisë shqipe. Këtë ka bërë edhe At Zef Pllumi me dy veprat ‘Rrno për me tregue’ dhe ‘Françeskanët e mdhej’”. Kështu thotë studiuesja Dhurata Shehri, si për të përmbledhur me pak fjalë domosdoshmërinë e “rivlerësimit” të letërsisë shqipe dhe për mirë vendosjen në këtë “trung” vlerash edhe të letërsisë françeskane. “Autorët françeskanë në kulturën shqiptare” ishte tema e Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike, e cila u zhvillua dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës në Tiranë. Në të u trajtuan aspekte të rëndësishme si të poetikës letrare të “Shkollës letrare françeskane”, ashtu edhe kësaj dukurie tërësore kulturore krejt origjinale në kulturën shqiptare, përfaqësuar, që nga i madhi Gjergj Fishta, tek At Zef Pllumi, At Justin Rrota, At Donat Kurti, Vinçens Prendushi, etj., studimi i së cilës ende nuk është i plotë. Për 50 vjet tërësisht e anatemuar, më tej vende-vende dhe e glorifikuar, pa gjetur mirë vendin që i takon. Të pranishmit në këtë ngjarje u shprehën me bindje se rishkrimi i historisë së letrave shqipe nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh kontributin e shumanshëm të tyre në dokumentimin e trashëgimisë kulturore kombëtare. Prof. Sabri Hamiti në kumtesën e mbajtur për At Zef Pllumin, si një ndër përfaqësuesit e françeskanëve, nënvizoi se “Vepra e tij është një dëshmi dhe vlerësim në fillim e në fund, një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues, por edhe krijues i letërsisë shqipe”.