31/03/2005  TIRANË- Digjen kutitë e polisterolit të fimës italiane në Babrru të Tiranës. Në orët e pasdites së djeshme. Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë magazinën e një shtetasi italian, i cili është pronar i disa kompanive të fuqishme të materialeve të ndërtimit në kryeqytet. Burime policore thanë dje se pas një telefonate në drejtim të zjarrfikëseve, këto të fundit janë nisur menjëherë pas në rrugën "5 maji", në afërsi të fshatit Babrru të kryeqytetit, ku ishte sinjalizuar zjarri në firmën e shkumbës së detit, D§B. Dy zjarrëfikëse mbërritën rreth gjysmë ore pasi zjarri kishte përfshirë godinën, e cila deri në ato momente kishte pësuar djegje të rënda. Ndërkaq, sipas burimeve të policisë, u mësua se shkaku i rënies së zjarrit ishte një shkëndijë elektrike, e provokuar nga një mjet ndezës që ishte harruar ndezur në magazinë. Më pas zjarri ishte përhapur në dhomat e tjera të saj, ku ndodheshin materiale ndërtimi, ku mes të tjerave një përqindje të madhe e zinte polisteroli (shkumba e detit). Për fat të mirë në magazinë nuk ndodhej njeri dhe nuk ka pasur viktima. Sipas specialistëve, dëmi i deritanishëm konsiderohet në rreth 30 milionë lekë të vjetra. Zjarre të fuqishme kanë përfshirë Tiranën këto muajt e fundit, ku mes të tjerave përmendet shkrumbimi i lokal "Vjosës", pranë Shkollës Teknologjike", dy muaj më parë e djegja e katit të parë të një pallati në Laprakë, në të cilën ndodhej firma e sixhadeve "BIB TEX", me pronar një shtetas sirian. Ndërsa tre ditë më parë, prapa Shkollës Teknologjike, kati i tetë i një pallati me pronar Riza Shehun u përfshi nga zjarri, duke sjellë djegjen e të gjitha mobiljeve të shtëpisë.