Tirana e Besa presin transferta të vështira, ndërsa Dinamo kryesuese luan në shtëpi ndaj Skënderbeut

Flamurtari i tij mundet 2-1 në Peqin dhe trajneri ndjen lëkundjet
Shkumbini trondit pozitat e Maganit pas fitores së djeshme 2-1 në Peqin, ku u luajt edhe ndeshja e parë, që hapi edhe javën e 19-të të Kategorisë Superiore. Gjyqtari i takimit nuk ka nguruar të japë tre penallti, dy prej të cilave janë kthyer në gola nga çaushajt për vendasit, dhe një është humbur nga vlonjatët. Dopjeta e çaushajt, një “ish”-i të Flamurtarit në sezonin e kaluar, ka shtuar edhe 3 pikë të tjera të çmuara në “llogarinë” e skuadrës së drejtuar nga Përparim Daiu. Kjo fitore e peqinasve është arritur ndaj skuadrës vlonjate, duke shënuar kështu një shuplakë për teknikun Gugash Magani, ish-lojtar dhe ish-trajner i Shkumbinit, i cili tashmë është një pozitë të vështirë dhe rrezikon vendin në pankinë. Pas vetëm 15 minutash lojë, çaushaj ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një 11-metërsh, i cili u dha avantazhin peqinasve. Kjo la përshtypjen se gjithçka do të ishte shumë më e vështirë për vlonjatët, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm dhe barazimi 1-1 ka vonuar vetëm 10 minuta të tjera (25’), kur goli mbante firmën e Franc Veliut. Me gjithë përpjekjet e të dy skuadrave, pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat, ndërsa në të dytën Shkumbini ka zbritur në fushë i bindur në potencialin e tij për ta fituar këtë sfidë. Ka krijuar një volum të madh loje në sulm, ndërkohë që vlonjatët janë të detyruar të impenjohen për shumë kohë në prapavijë. Të paktat aksione të tyre ndërtohen në formë kundërsulmi, ku iniciativën kryesore e mbante ish-bomberi i Tiranës, Migen Memelli. Por, vendasit fitojnë një tjetër 11-metërsh në minutën e 55-ë, dhe është sërish çaushaj ai që rikthen Shkumbinin në avantazh 2-1. Ky gol ka vendosur edhe fatin e ndeshjes. Për që penalltitë të përbënin një tjetër rekord të këtij edicioni, duhej që gjyqtari Jareci të akordonte edhe një tjetër, por këtë herë për vlonjatët, por miqtë e humbasin këtë mundësi të artë për të barazuar. Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Shkumbini ndihet komod në klasifikim, ndërsa Flamurtari e thellon edhe më tej pozicionin e tij në fund. Kujtojmë këtu se i janë hequr 3 pikët e asaj fitoreje shumë të diskutueshme, një javë më parë, me Besën në Vlorë dhe ndeshja në fjalë do të riluhet më 3 shkurt. Ndërkohë që në kuadrin e javës së 19-të të Superiores, nesër do të luhen edhe tri ndeshje të tjera, ndërsa të dielën dy takimet përmbyllëse. Teuta do të presë sot në shtëpi Tiranën, Kastrioti do të ndeshet me Gramozin, ndërsa mysafir i Dinamos do të jetë Skënderbeu. 24 orë më pas (nesër), Apolonia do të luajë në Fier me Besën, ndërsa Vllaznia pret në Shkodër, Laçin. Nga sa shihet, priten ndeshje mjaft interesante, ku më e favorizuara, pasi ka një kundërshtar të lehtë dhe me probleme të shumta, duket Dinamo kryesuese. Tirana dhe Besa, që ndjekin dinamovitët, kanë transferta të vështira, sepse qoftë Teuta, qoftë Apolonia, nuk falin kollaj në shtëpi, por kanë edhe ato ambiciet e tyre për zonën europiane, afër së cilës janë. Vllaznisë i duhet të fitojë patjetër në shtëpi, por duhet të kalojë Laçin, të shkuarën e afërt të trajnerit Edi Martini.






#