Shkumbini ka munduar Flamurtarin (2-1) në ndeshjen hapëse të javës së 19-të të Kategorisë Superiore. Një dygolësh i çaushajt, realizuar që të dyja me penallti, ka shtuar edhe 3 pikë të tjera të çmuara në “llogarinë” e skuadrës së drejtuar nga Përparim Daiu. Kjo fitore e peqinasve është arritur ndaj skuadrës vlonjate, që drejtohet nga ish-kapiteni dhe trajneri i Shkumbinit, Gugash Magani. Për vlonjatët debutoi edhe Migen Memelli, por golin e vetëm sërish e shënoi një mbrojtës, Franc Veliu. Rekord më vete mund të konsiderohet dhënia e 3 penalltive nga ndërkombëtari Sokol Jareci, që gjykonte këtë ndeshje, por njëra prej tyre është humbur nga miqtë. Në këtë mënyrë, Shkumbini fiton ndeshjen dhe ndihet komod në klasifikim, ndërsa Flamurtari e thellon edhe më tej pozicionin e tij në fund. Ndërkohë sot do të luhen edhe tri ndeshje të tjera. Teuta do të presë në shtëpi Tiranën, Kastrioti do të presë Gramozin, ndërsa Dinamo do të ketë mysafir Skënderbeun. Nesër Apolonia do të luajë në Fier me Besën, ndërsa Vllaznia pret në Shkodër Laçin. Nga sa shihet, priten ndeshje mjaft interesante, ku më e favorizuara, pasi ka një kundërshtar të lehtë dhe me probleme të shumta, duket Dinamo kryesuese. Tirana dhe Besa, që ndjekin dinamovitët, kanë transferta të vështira, sepse qoftë Teuta, qoftë Apolonia, nuk falin kollaj në shtëpi, por kanë edhe ato ambiciet e tyre për zonën evropiane, afër së cilës janë. Vllaznisë i duhet të fitojë patjetër, në shtëpi, por duhet të kalojë Laçin, të shkuarën e afërt të trajnerit Edi Martini. Një duel që anon më shumë të fitohet nga kuqeblutë, por kurbinasit kanë treguar në këtë sezon, ashtu si edhe në ndeshjen e fundvitit 2009 ndaj Dinamos në Tiranë, se nuk dorëzohen kollaj. Ndaj, 90-minutëshi i “Loro Boriçit” mban këdo në ankth dhe emocione, sidomos të dyja tifozeritë respektive. Besa, që ua bën hyzmetin edhe 3 pikëve të ndeshjes që do të përsëritet me Flamurtarin më 3 shkurt, do të udhëtojë drejt Fierit për të mos bërë më asnjë hap fals.