SHKUP- Ambasadori i Hungarisë në Maqedoni Frenc Kekeshi do të paraqesë sot para Komisionit kuvendor për çështje ekonomike programin dhe prioritetet për punën në presidencën hungareze me Bashkimin Evropian, për periudhën janar-qershor të vitit 2011.

Budapesti ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe thellimi i bashkëpunimit me vendet Ballkanike do të jenë pjesë e prioriteteve të presidencës hungareze. Për ata kjo çështje është me rëndësi strategjike, për shkak se duan ta ruajnë edhe rolin e tyre në udhëkryqin e Evropës Qendrore.

Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se "nëse nuk vjen deri te afrimi i Ballkanit me BE-në, vendet ballkanike mund të përballen me një krizë të rëndë e cila do ti kushtojë BE-në më shtrenjtë se procedura për anëtarësimin e tyre". Për Budapestin është me rëndësi që të "kompletohet" BE-ja. Rastin me Kroacinë, e konsiderojnë si të kryer dhe shpresojnë se deri në fund të presidencës së tyre do të mbyllen të gjitha kapitujt për negociatat me Zagrebin.

Sipas mendimeve të Budapestit, të gjitha vendimet më kryesore për zgjerim duhet të sillen gjatë vitit 2011, drejtpëdrejt para zgjedhjeve presidenciale në Francë të caktuara për në prill të vitit 2012, kur problemet evropiane do të jenë në plan të dytë ose ndërkaq do të shfrytëzohen për nevoja të brendshme politike në fushatën parazgjedhore.
(s.g/BalkanWeb)