Agjentët rusë të anti-terrorizmit kanë kryer një operacion ndaj një grupi që po planifikonte një sulm terrorist në Moskë, duke vrarë dy të dyshuar.


Komiteti Kombëtar i Anti-Terrorizmit deklaroi se grupi u lokalizua në një shtëpi në lokalitetin Orekhovo-Zujevo, në lindje të kryeqytetit. Gjatë operacionit një i dyshuar i tretë përfundoi në pranga, ndërsa një agjent mbeti i plagosur lehtë.


Të dyshuarit thuhet se janë shtetas rusë që u janë nënshtruar stërvitjeve në rajonin kufitar mes Afganistanit dhe Pakistanit. Në një deklaratë për shtyp thuhet:


“Gjatë një aksioni special banditët u kapën në befasi. Atyre iu bë thirrje që të dorëzoheshin, por ata hapën zjarr. Falë veprimeve vendimtare të agjentëve, tentativa për të kryer një sulm terrorist në kryeqytet u neutralizua”.


Burime të rezervuara thanë për agjencitë ruse të lajmeve se grupi kishte në plan të godiste në një eveniment masive në qendër të Moskës.


Të tre të dyshuarit ishin myslimanë dhe mbaheshin nën mbikëqyrje prej një muaji, tha një prej burimeve, duke shtuar se ata ishin stërvitur në Uaziristanin Verior, një zonë malore në veri-perëndim të Pakistanit dhe gjithashtu bastion i talebanëve dhe militantëve të Al Kaedës.


Autoritetet po hetojnë për lidhje të mundshme mes të dyshuarve dhe militantëve islamikë të grupimit Lëvizja e Uzbekistanit, shtoi burimi në kushte anonimati. /Indeksonline/