Nga Gerti Xhaja
Binak Dobrushi lëvizte lirshëm me dokumentin e shoferit dhe makinën e Drejtorisë Rrugore. Kontrollet i zbuluan .2 kilogramë heroine. Operacioni u kodua "Fusha e zezë". 

TIRANE Binak Dobrushi shfrytëzonte postin e shoferit të një prej titullarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për të lëvizur lirshëm dhe shmangur kontrollet e policisë. Dobrushi duket se ka mundur t'ia arrijë kësaj deri pasditen e së shtunës, kur skuadra e antidrogës së Tiranës e vuri në pranga. Fillimisht, 48-vjeçarit i është bllokuar 400 gramë heroinë e pastër, të cilën e kishte me vete. Kontrollet në banesën e tij kanë zbuluar edhe 800 gramë të tjera, duke e çuar gjithsej 1.2 kilogramë sasinë e drogës së sekuestruar. Operacioni mësohet se është koduar "Fusha e zezë" dhe është i njëzeti për skuadrën e antidrogës së Tiranës dhe i 11-ti, ku janë përdorur teknikat speciale të hetimit. Oficerët e antidrogës mësohet se e mbanin në vëzhgim prej më shumë se 2 javësh Dobrushin, derisa mësuan momentin kur ai do dilte për të shitur drogën. Heroina ishte e destinuar t'u shitej rrjetit të shpërndarësve të lëndëve narkotike në kryeqytet. Oficerët e antidrogës kanë kontaktuar edhe me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, rreth mënyrës së marrjes në punë të furnitorit të heroinës në Tiranë. Burimet pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, siguruan se nuk janë gjetur elementë për veprime të dyshimta në marrjen në punë të Dobrushit.
Arrestimi
Oficerët e antidrogës së Tiranës e kanë pritur Dobrushin të dalë nga banesa me çantën ku mbante qeskën me heroinë. Veprimet e skuadrës ishin të sakta dhe Dobrushi në asnjë moment nuk kishte dyshuar se ishte në survejim, ndonëse mbikëqyrej prej dy javësh. Ndërhyrja finale është kryer pranë shkollës "Dhori Leka", në zonën e ish-fushës së aviacionit. Dobrushit nuk i ka mbetur tjetër, veç të ngrejë duart në shenjë dorëzimi. Ai është dërguar menjëherë për në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Grupi i dytë i skuadrës së antidrogës kanë kryer një kontroll në banesën e Dobrushit, pranë vendit ku ndodhi arrestimi. Në banesë është gjetur dyfishi i sasisë së heroinës që iu kap me vete 48-vjeçarit, duke e çuar në 1.2 kilogramë sasinë e lëndës narkotike. Dobrushi është siguruar në ambientet e izolimit, ku është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore të antidrogës, rreth origjinës së drogës dhe destinacionit të saj.
Hetimi
Lënda narkotike dyshohet të ketë hyrë në kufirin tokësor nga Maqedonia. Oficerët e antidrogës kanë verifikuar të gjitha hyrje-daljet e Dobrushit jashtë vendit, por nuk rezulton që heroina të ketë hyrë gjatë lëvizjeve të 48-vjeçarit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Dobrushi nuk konfirmohej të kishte folur për hetuesit, por kishte kërkuar që të konsultohej me avokat në seancën e marrjes në pyetje. Sipas policisë, "heshtja" e të arrestuarit ka vështirësuar disi hetimet për zbardhjen e plotë të hetimit, por ka vështirësuar edhe pozitën e shoferit të transporteve përpara drejtësisë. Një pistë tjetër ku kanë qenë mjaft të interesuar oficerët e antidrogës, ishte lista e rrjetit të shpërndarësve të heroinës në Tiranë, të cilëve do ua shiste lëndën narkotike Dobrushi.
(s.g/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)