95% e romëve janë të papunë, njëkohësisht pjesa më e madhe e tyre nuk trajtohen me ndihmë ekonomike. Në një intervistë për 77 News, Kryetarja e Shoqatës “Gruaja Rome e së Ardhmes”, Meleqe Renja thekson se shteti duhet të tregojë vëmendje në punësimin e këtij komuniteti, pasi trajtimi me asistencë nuk është zgjidhja më e mirë dhe e duhur. 


A përfitojnë ndihmë ekonomike familjet rome në nevojë? 


Në fillim dua të theksoj faktin se të gjithë qytetarët rom dhe jo rom, të cilët trajtohen me asistencë janë në një gjendje të mjerueshme ekonomike, për vetë faktin se kjo ndihmë që jepet nga shteti është tepër e ulët. Ata trajtohen me 20 – 50 mijë lekë (të vjetër) në muaj. Kjo shumë këtyre personave nuk u del as për kafe e jo më për ekzistencën e familjeve të tyre. Nuk e di se ku bazohet shteti që jep këtë asistencë qesharake. Gjithashtu dua të theksoj se aktualisht nuk tregohet një përkujdesje për punësimin e familjeve rome në nevojë. Megjithëse kam bërë dhjetra takime nëpër institucione në lidhje me këtë problem, deri më sot nuk shohim reagim konkret. Jo vetëm kaq, por pjesa më e madhe e komunitetit rom nuk marrin asistencë, sepse ligji “Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore” thotë që personat e ardhur në Tiranë pas vitit 1991 nuk marrin ndihmë. Kur në fakt fëmijët tanë janë bërë sot familjarë dhe s’kanë as punë dhe asistencë. 


Keni kërkuar ndyshime ligjore në lidhje me pretendimin tuaj? 


Në shumë tryeza ne kemi kërkuar ndryshimin e ligjit si dhe ndryshimin e masës së financimit sipas numrit të frymëve, me qëllim që shteti të mundësojë një pagesë ekonomike jo vetëm për dy ditë në muaj. 


A është zgjidhje e duhur asistenca në lidhje me varfërinë që po përjeton sot komuniteti rom?


Ne romët duam të punojmë që ta përballojmë jetën me djersë. Ne jemi shtresë vurnerabël dhe s’na intereson politika 24 orë, ku nuk flitet fare për punësim. Romët janë të aftë të punojnë në pastrim, gjelbërim, gjithashtu të punojnë në fabrika si më parë. Janë të përgatitur në punët artizanale. Kam fakte që shumë romë bëjnë punë artizanale në shtëpi dhe mallin nuk kanë ku ta shesin, për shkak të mosorganizimit që duhet të bënte shteti në të tilla raste. Papunësia e romëve është 95%, sepse punën e tyre në të zezë nuk mund ta konsiderojmë si punë. Me asistencë trajtohet një pjesë e vogël e tyre, madje shumë familjeve që u takon asistenca nuk u jepet pasi komisionet kanë verifikuar që në shtëpitë e tyre kanë televizor apo lavatriçe.


Cili është apeli juaj në lidhje me këtë problem? 


Apeli im është që romët të punësohen, sepse edhe asistenca jo gjithnjë është zgjidhja më e mirë për kohët që ne jetojmë. Njëkohësisht të ndryshojë ligji për ndihmën ekonomike.


 


 


 


Kondi Ilia