Ne e dimë historinë e "Heroinës së Popullit", Shote Galica, por kur përkujtohet edhe 82 vjetori i vdekjes së saj, ka edhe një "Shote", tjetër e cila jeton në fshatin Hasan. Vetëm dy kilometra nga qyteti i Fushë Krujës, jeton Qerime Thaçi, që ka marrë emrin Shote, për nder të Shote Galicës dhe pikërisht kjo nënë është edhe e mbesa e saj. Shotja na thotë që bashkë më babain e saj ishin vendosur në Fushë Krujë, fill pas plagosjes së hallës së saj Shote Galica.

Një panoramë e trishtë na ofrohet tek vendi ku ra heroikisht Shote Galica, një rrugë e pasfaltuar, copa betonash të thyera, pluhur i kudondodhur. E përpara se të hysh brenda ndodhet një gardh rrethues që është i mbuluar me një masë të madhe ferrash, gjë që e bën të vështirë dallimin me sy të lirë. Ndërkohë është e çuditshme që është zgjedhur pikërisht ky rrafsh toke që deri para pak kohësh kish qenë kënetë.