Më 1962, në kohën e Enverit, u ngrit një lapidar në Fushë-Krujë, vepër e skulptorit Kristaq Rama. Ai regjim e nderoi edhe me titullin e lartë Heroinë e popullit. Në ditët tona, Shotës luftëtare nuk i dihet as varri dhe as busti


Feride Papleka


Shote Galica (1)

Shote Galica (2)

Shote Galica (3)

Shote Galica (4)


Në rrjedhën e kohërave historike, që nga Antikiteti e deri në ditët tona, janë të rralla rastet si ai i trimëreshës Shotë Galica, e cila e lidhi besën me trimin Azem Galica për jetë apo për vdekje. Megjithëse ylli i luftës së tyre për liri herë pas here zbehej, ajo kishte një besim se liria e rrëmbyer fitohet vetëm me armë në dorë. Është një rast unik, monumental, shembulli i luftës dhe i martirizimit të saj për liri kombëtare.


Shota (Qerime) lindi më 1895 në Radishevë të Drenicës, një krahinë në zemër të Kosovës. Ngaqë ishte vajzë që erdhi në jetë pas gjashtë vëllezërve, i ati u gëzua shumë për lindjen e saj. Ajet Haxhia në librin e tij Shotë dhe Azem Galica, thotë se madje ai qëlloi me pushkë, çka nuk ishte zakon në ato anë. Ai e thirri Shotë me përkëdheli që në fillim, pa e ditur se emri i saj do të shndërrohej në një simbol për kujtesën tonë kombëtare. Sa u rrit pak Shota, ai e merrte me vete në odën e burrave dhe në kuvende, në të cilat flitej për trimëri e urti, por edhe merreshin vendime të rëndësishme për kohën. Aty ajo mësoi veçanërisht për luftërat e përgjakshme që shoqëruan Lidhjen e Prizrenit, për betejat e shumta legjendare në mbrojtje të tokave shqiptare. Ajo mësoi gjithashtu se Kosova ishte e pushtuar, se malet dhe grykat e saj ishin kthyer herë pas here në shesh luftimesh të përgjakshme për liri. Ajo pati fatin e lumtur të shihte me sytë e vet trima si Isa Boletini e Hasan Prishtina me shokë.


Në fillim dashuria e saj për lirinë dhe për trimërinë u shpreh nëpër këngë odash. Shota i binte çiftelisë dhe këndonte. Kishte vërtet një zë të bukur dhe shpeshherë këngët e trimërisë tingëllonin si kushtrim i shpirtit të Kosovës: Besa besë, nji besë kem dhanë, / Ty Shqipni na të kemi nanë.


Aty ajo njohu dhe ra në dashuri me trimin Azem Galica, me të cilin u martua më 1915. Është i pabesueshëm, gati-gati mitik, por i vërtetë fakti që Shota nuk shkoi nuse me duvak. Në dasmën e saj nuk pati vaj apo qarje, sepse ajo nuk po martohej me një të panjohur, por me një trim që e dashuronte me forcën e rinisë. Bashkëshorti i saj ishte një kaçak mali që ishte arratisur nga burgu për të vazhduar luftën e tij për liri. Shota u vesh si për festë dhe dukej vërtet si një trëndafil maji kur shkoi nuse në Galicë. Pas dy javës,h shtëpia e trimit u rrethua. Serbia nuk mund t’ia falte lehtë atij që kishte thyer dyert e burgut. Lufta ishte e rreptë, e pabarabartë, mund të thuash se qe luftë e një ushtrie të armatosur kundër një ëndrre të thjeshtë dhe të vetvetishme për të jetuar i lirë në trojet e të parëve. Në atë luftë mori pjesë për herë të parë edhe Shota. Ajo ishte një e re 19-vjeçare dhe tashmë e dinte mirë se çfarë ishte lufta. E kishte përjetuar dy herë djegien e fshatit të saj të lindjes dhe i kishte parë me sytë e vet se si themelet e shtëpive shndërroheshin herë pas here në grumbull thëngjijsh. Shota, nuse e re, u vu me bindje përkrah Azemit që ishte burrëruar nëpër beteja dhe burgje, megjithëse ishte vetëm 24 vjeçe. Beteja që ishte absolutisht e pabarabartë përfundoi tragjikisht. U vranë dy vëllezërit e mëdhenj të Azemit. Në këtë çast vendimtar, kur përmes një dhimbjeje të fortë Azemi ishte duke dhënë porositë për varrosjen e dy vëllezërve dhe fshehjen e familjes, Shota mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së vet, një vendim strategjik, që lidhej me historinë politike dhe shoqërore të Kosovës së pushtuar. Ajo ndjeu një komunikim shpirtëror me atdheun, emocione dhe ide të fuqishme, që i erdhën si dashuri për lirinë. Ajo i tha Azemit se do ta shoqëronte atë në mal, të luftonte e të vdiste krah tij. Çfarë force e çfarë guximi! Nusja e re hoqi rrobat e nusërisë, u vesh për luftë me rrobat e komitës kombëtare që ia dha nëna e Azemit, ngjeshi në brez një gjerdan me fishekë, lidhi gërshetat, vuri plisin e bardhë që i kishte aq shumë hije fytyrës së saj rinore dhe u nis në mal. Është tamam si në legjendë nisja e saj në luftë pa kaluar ende ditët e nusërisë, me armë të ngjeshura në brez, me një kalë që imagjinata e shndërron të bardhë. Që atë çast jeta e saj u transformua në jetë lufte për liri. Dalja e Shotës në mal dëshmoi jo vetëm shpirtin e saj liridashës, por edhe konceptin e madh të emancipimit shpirtëror që fiton mbi mendësitë patriarkale e shtypëse për gruan. Shota dhe Azemi udhëtuan të dy nëpër natë drejt malit të Çiçavicës dhe në mes të errësirës u dëgjua thirrja që do të mbetej në legjendën tonë kombëtare si ogur lirie O, prite Azem Galicën!.


Një nuse e re komite! Ishte një gjë e rrallë, sublime. Lajmi u përhap si vetëtimë në Drenicë. Shota doli në mal duke hyrë kështu në histori si një monument i pavdekshëm lavdie, qëndrese, emancipimi dhe trimërie.


Të nesërmen e nisjes së tyre në mal, forcat serbe e rrethuan tërë Galicën dhe dogjën shtëpinë e Azemit. Po ata i kishin marrë parasysh pasojat dhe sidomos luftëtarja më e re e çetës së Drenicës. Ajo ishte tashmë në krah të Azemit si një amazonë që do t’i jepte zemër për betejat që e prisnin. Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarët e tij.



Në të vërtetë Shota me gjestin e saj bëri një revolucion. Ajo e ndërroi kohën e bukur të nusërisë me jetën e vështirë të malit. Stolitë me pushkën dhe gjerdanin me fishekë. Fjalët e ëmbla të dashurisë me zhurmën e plumbave. Emocionet e jetës bashkëshortore me dhembjen dhe lotët para trimave që binin. Kuptohet që nuk ishte aq e lehtë ta bëje këtë veprim në mendësinë tradicionale që mbretëronte në atë kohë. Luftëtarja e re u ndesh ashpër me zakonet e vjetra, me thashethemet dhe me ligësinë, të cilat mbërrinin edhe atje ku nuk arrinte dora e fuqisë armike, siç shprehet Ajet Haxhia në librin e tij. Kuptohet që mes këtyre pengesave, ndër më të pakapërcyeshmet ishin edhe qëndrimet dhe veprimet e atyre shqiptarëve, të cilët ishin vënë dhe viheshin në mënyrën më të turpshme në shërbim të serbit. Por Shota nuk u tërhoq. Kuraja e saj për të qenë vetvetja dhe simbol i luftës për liri është një model për të gjitha gratë shqiptare. Bota asaj i dukej e vërtetë dhe me kuptim vetëm duke luftuar për lirinë. Pa liri nuk ka lumturi. Në Kosovë njerëzit vuanin nën pushtim duke iu nëpërkëmbur të drejtat, iu digjeshin shtëpitë, vriteshin. Ajo kishte dalë në mal që të kundërshtonte padrejtësinë që vazhdonte ti bëhej një populli që kërkonte liri dhe gëzonte në heshtje dhe në mënyrë të hapur simpatinë e çdo zemre që e donte të ardhmen, lirinë dhe lulëzimin e identitetit. Sepse, dihet, njeriu që sakrifikon jetën e tij dhe rininë për të mirën e përgjithshme, përfton vlera të veçanta. Kudo ku shfaqej Shota, shfaqej vetë mirësia dhe bukuria si të ishin objekte të gjalla. Asaj filluan t’i thurin edhe këngë. Këngët vinin në dukje