Juria e konkursit kombëtar të dramës shqipe ka shpallur dje pesë dramat më të mira, të cilat do të konkurrojnë për tri çmimet e para. Ato janë: "Jetë qeni, d.m.th. VIP, ose VIP Brothers" me autor Ferdinant Hysin, "Alegreto Albania", me autor Stefan Çapalikun, "Metropolis", me autor Gazmend Krasniqin, "Simfoni pa orkestër", me autor Robert Budinën dhe "Në emër të atit", me autor Ridvan Dibrën. Sipas kryetarit të jurisë, Besnik Bisha, shqyrtimi i këtyre dramave është bërë pas një periudhe prej 6 muajsh. Sipas Bishës, "gjatë procesit të vlerësimit të dramave të shkruara janë evidentuar disa elemente të rëndësishme, siç janë risitë dramaturgjike, vlerat estetike që ato mbartin dhe rezonanca e tematikave që ato trajtojnë".

Dy nga autorët e përzgjedhur për të konkurruar për tri çmimet e para janë dhe fitues të edicionit të parë të konkursit të dramës shqipe katër vjet më parë. Stefan Çapaliku ka qenë fitues i çmimit të dytë, ndërsa Gazmend Krasniqi është vlerësuar me çmimin e debutuesit me dramën "Qyteti pa ngjarje". Fitues i edicionit të parë të këtij konkursi ka qenë dramaturgu kosovar, Nebi Islami.