Disa prej fakulteteve të Universitetit të Tiranës kanë hapur programet e studimit të ciklit të dytë. Gjithashtu do të hapen programe studimi në qytetin e Kukësit dhe atë të Sarandës, si filiale të fakulteteve të UT-së



Për të gjithë studentët që kanë mbaruar shkollën e lartë dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet për master, disa prej fakulteteve të Universitetit të Tiranës kanë hapur programet e ciklit të dytë. Fakulteti i Shkencave Pyjore pranë Universiteti Bujqësor të Tiranës ka hapur programet e studimit për diplomat “Master” në degët Inxhinieri e Përpunimit të Drurit dhe Inxhinieri Pyjore. Ndërsa fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave pranë Universitetit Politeknik të Tiranës ka shpallur hapjen e programeve të ciklit të dytë në degët Inxhinieri Gjeologjike dhe Inxhinieri e Burimeve Natyrore. Diplomat “Master” në programin e studimit Inxhinieri Gjeologjike janë të hapura për profilet Gjeologji Inxhinierike dhe Hidrogjeologji, Vendburimet e Mineraleve të Dobishme-Petrologji, Gjeologji e Burimeve Hidrokarbure dhe Gjeoinformatikë. Ndërsa profilet ku janë deklaruar të hapen diplomat e nivelit të dytë për programin e studimit Inxhinieri e Burimeve Natyrore janë Inxhinieria e Burimeve të Energjisë, Përpunimi i Materialeve dhe Mbetjeve, Gjeomatika dhe Gjeoinxhinieria. Gjithashtu, studimet për diplomën e nivelit të dytë janë të hapura edhe për programet e studimit Inxhinieri Gjeofizike dhe Inxhinieri e Gjeomjedisit. Fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës që kanë hapur programet e studimit për diplomën e nivelit të dytë janë edhe fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe ai i Shkencave Sociale. Programi i studimit ku do të aplikohet për diplomën “Master” në fakultetin e Shkencave të Natyrës, është ai i Shkencave dhe i Teknologjisë Ushqimore. Ndërsa në fakultetin e Shkencave Sociale, studentët e interesuar mund të aplikojnë për diplomën “Master” në programet e studimit Psikolog shkollor dhe Organizacional dhe Psikolog Klinik i Zhvillimit dhe Marrëdhënieve. Zgjatja normale e studimeve në këto programe do të jetë dy vjet, ndërsa numri i krediteve për të realizuar këto programe studimi do të jetë 120. Këto programe studimi do të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009. Gjithashtu, me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar hapja e programit të studimit të ciklit të parë “Gjuhë angleze”, si filial i fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në qytetin e Kukësit dhe të Sarandës. Është miratuar gjithashtu edhe hapja e studimeve të ciklit të parë “Infermieri e përgjithshme”, si filial i fakultetit të Infermierisë të Universitetit të Tiranës në qytetin e Kukësit. Numri i kuotave të pranimeve në këto programe studimi me kohë të plotë do të jetë 110 studentë. Përkatësisht, 25 pranime në programin e studimit “Gjuhë angleze” në filialin e Kukësit, 25 pranime në programin e studimit “Gjuhë angleze” në filialin e Sarandës, si dhe 60 pranime në programin e studimit “Infermieri e përgjithshme” në filialin e Kukësit. Realizimi i programit të studimit të ciklit të parë kërkon 180 kredite, ndërsa zgjatja normale studimeve në këtë cikël është tre vjet. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, në këto programe studimi me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009 do të jetë 15 mijë lekë.