Situata në degën e PD Vlorë, vazhdon të jetë e zymtë dhe me përplasje të forta. Së fundi për shkak të qëndresës që strukturat e bazës të PD në Vlorë, po i bëjnë Flamur Nokës dhe urdhrit të Lulzim Bashës për riorganizim kanë sjellë përplasje edhe më të forta.


Sinjalet e para u dhanë në Himarë, ku po krijohej një degë e re. 63% të strukturave braktisën zgjedhjen e kryetarit, nga 100 delegatë morën pjesë vetëm 37 dhe më pas kreu i degës u shpall fitues vetëm me 25 vota. Por Himara duket të jetë problem mjaft i vogël përballë asaj që po ndodh në Vlorë.


Kryetari i grupit të punës Flamur Noka, vetë emërohet kryetar i degës të PD Vlorë, firmos shkarkime, urdhëron zgjedhje, por në përfundim thjesht po shkatërron me tej një degë ku PD është e dobët në përfaqësim, por ka qëndrestarë dhe një bërthamë historike ndryshe nga qytetet e tjera, për shkak edhe të ngjarjeve të vitit 1997, i tha një burim zyrtar Citynews. Flamur Noka i deleguari i Lulzim Bashës po i jep shqelmin e fundit gremisjes të PD-së në këtë bashki, theksoi ai.


Ai urdhëron shkarkime kryetar grupseksionesh dhe emeron persona vetë pa zgjedhje. Rasti i grupseksionit nr. 3. U hoq Alban Fili, me një shkresë ku Flamur Noka firmos si kryetar. Kjo vetëm sepse drejtuesit e seksioneve nuk i paraqiten në mbledhje, pasi refuzojnë riorganizmin dhe urdhrat anti statutorë të Nokës e Bashës. (Dokumenti i parë shih fotot)


Një tjetër burim zyrtar i tha Citynews se në Novoselë të Vlorës, Flamur Noka nuk mundi të zhvillonte zgjedhjet. Aty pati përplasje të forta dhe shumë prej demokratëve refuzuan urdhërin e Nokës, duke braktisur mbledhjen, çka bëri që zgjedhjet të mos zhvilloheshin.


Flamur Noka kërkon të zgjedhë një person shpalur në kërkim në Itali disa vite më parë siç është Suljeman Peshtani. Sipas të njëjtave burime PD kërkon dekriminalizim nga ana tjetër kërkon të zgjedhë ne krye të grup seksioneve persona të kërkuar nga policia e vendit fshqinjë, Italia. (Dokumenti i dytë shih fotot)


Këto janë disa nga rastet e përplasjeve të fundit në degën e PD-së në Vlorë, ku demokratët po rezistojnë ndaj presionit nqë ushtron Flamur Noka i deleguari i Lulzim Bashës në këtë degë. Vetë Basha nga ana e tij ka folur me heshtje duke miratuar vendimet arbitrare dhe përçarjen që po ndodh në degën e Vlorës. Deputeti demokrat Flamur Noka u kontaktua nga Citynews, por ai nuk pranoi të komentonte përplasjet dhe situatën e tensionuar në degën e PD Vlorë.