Krejt mundi kulturor i Komunës së Prishtinës për nëntë muaj u derdh në koncerte e festa.
Drejtoresha në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerta Zeqiri, ka kohë që ka lajmëruar dorëheqjen, por kuletën do t’ia lërë eprorit plot me para. Ajo do të jetë drejtoresha e vetme në Komunë që do të kujtohet si menaxheri që nuk e nisi asnjë projekt kapital në Prishtinë.
Njëmbëdhjetë projekte kapitale për këtë vit janë të planifikuar nga Drejtoria e Kulturës, asnjë nuk ka nisur së realizuari. Nga janari deri në fillim të tetorit, kultura në Prishtinë u orientua në organizime koncertesh të ndryshme e festivale të fëmijëve. Madje tri projektet më të mëdha kapitale të këtij dikasteri u lanë të realizohen në vitin tjetër.
Si të tilla, ato do të jenë projektet më madhore në kulturë edhe në vitin 2015. Me rishikimin e buxhetit, kulturës i janë marrë 835 mijë euro nga këto projekte, 100 mijë euro nga ‘Muzeu i eksodit’, 350 mijë euro nga ‘Salla universale kulturore dhe galeria e qytetit’, 385 mijë euro ‘KUDO–Art në hapësira urbane publike’. Paratë shkuan për të paguar një dënim të hershëm të Komunës shkruan Tribuna.