Katër persona kanë rënë në prangat e policisë pasi u kapën me heroinë dhe kanabis në Tiranë. Të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në kryeqytet.  Gjatë operacionit të koduar Qelqi policia sekuestroi 1 kilogramë e 251 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, si dhe 19 doza të dyshuara Heroinë dhe arrestoi në flagrancë shtetasit me iniciale:


-E. Xh., 26 vjeç, banues në Tiranë


-S. D., 24 vjeç, banues në Tiranë


-A. B., 24 vjeç, banues në Tiranë


“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin këto tre shtetas udhëtonin, policia gjeti një sasi prej 1 kilogramë e 251 gramë Cannabis Sativa.


Këta shtetas kishin si qëllim nxjerrjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit,”-raportoi policia. Ata udhëtonin me automjet të marrë me qira për të shmangur dyshimet e policisë. Në prangat e uniformave blu ra edhe 55-vjeçari me iniciale B. V., banues në Tiranë, i dënuar më parë për Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. “Policia dispononte informacione se ky shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike të drogërave të forta, kryesisht heroinë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe rrugës së Qelqit. Lëndën narkotike ky shtetas e siguronte nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre,”-raporton policia. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Gazeta Shqip