Tre persona, mes të cilëve edhe nje vajzë 26-vjeçare janë arrestuar nga policia, pasi akuzohen se shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave të mesme të kryeqytetit. Policia bën me dije se ka arrestuar:


Enri Manaj, 35 vjeç, banues në Tiranë ( i dënuar më parë për veprën penale Vjedhje)


Marjus Filipi, 34 vjeç, banues në Tiranë ( i dënuar më parë për veprën penale Vjedhje )


Gloria Hasaj, 26 vjeçe, banuese në Tiranë


Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike në shkollat e mesme të kryeqytetit, nga seksioni i narkotikëve u organizua puna për kapjen e tyre në flagrancë.


Shtetasit Enri Manaj dhe Gloria Hasaj janë konstatuar nga shërbimet e policisë para hyrjes të një shkolle të mesme në rrugën e Dibrës dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetases Gloria Hasaj, i janë gjetur 5 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit Heroinë e ndarë në porcione gati për tu shitur.


Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Enri Manaj (në të cilën ndodhej shtetasi Marjus Filipi dhe shtetasia e huaj filipinase C. M.), u gjetën dhe u sekuestruan 39 doza lënde narkotike e dyshuar Heroinë).


Janë sekuestruar në total në cilësinë e provës materiale :


44 doza lënde narkotike e dyshuar e llojit Heroinë


3 aparate celularë


Gjithashtu në bashkëpunim me Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, po kryhen veprimet përkatëse për dëbimin e shtetases filipinase, pasi u konstatua se po qëndronte pa leje qëndrimi në teritorrin e Republikës të Shqipërisë.


Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim të parashikuara nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Enri Manaj, Marjus Filipi dhe Gloria Hasaj.


25 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)