S’do mend se shpërthimet, sidomos ai në veri, nuk mund të konsiderohen si të rastësishme, sepse po ndodhin në një moment mjaft të ndjeshëm politik-diplomatik


 


Shpërthimet e fundit në veri të Kosovës, përkatësisht në oborrin e Stacionit policor të Zubin-Potokut, por edhe në oborrin e Kishës Ortodokse Serbe në Novobërd, sikurse paralajmërojnë tensionime dhe ashpërsime edhe më të mëdha ditëve në vijim. Edhe pse është thënë se kryerësi i shpërthimit me bombë dore të tipit M-57 prodhim jugosllav në Novobërd është i njohur si person i nacionalitetit serb në arrati, nuk mundemi tërësisht të mohojmë se ky shpërthim mund të jetë i qëllimshëm, por si duket nuk ka qenë mirë i përgatitur për realizim. Kjo aq më parë që shpërthimi bëhet në oborrin e Kishës Ortodokse Serbe dhe atë gjatë një manifestimi fetar, me ç’rast disa qytetarë u plagosën. Ndërsa shpërthimi në oborrin e Stacionit policor në Zubin-Potok ishte mirë i përgatitur dhe i realizuar sipas planit dhe atë vetëm me dëme materiale në vetura policore dhe në një veturë civile. S’do mend se shpërthimet në fjalë, sidomos ai në veri, nuk mund të konsiderohen si të rastësishme, sepse po ndodhin në një moment mjaft të ndjeshëm politik-diplomatik, dhe atë para seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në kohën kur do të pasojnë bisedimet në mes të Beogradit dhe të Prishtinës. është konstatim i vazhdueshëm se në pjesën veriore të Kosovës nuk funksionojnë organet e rendit të Republikës ë Kosovës për të zbuluar dhe parandaluar veprime të këtilla dhe të ngjashme e që kanë për qëllim destabilizimin e mëtejmë të situatës së sigurisë. Njësiti policor i Policisë së Kosovës i përbërë nga pjesëtarët e nacionalitetit serb i stacionuar në veri të Mitrovicës deri më tani është treguar joefikas, subjektiv dhe në tërësi nuk i ka kryer detyrat e parashtruara. Dobësi të konsiderueshme në kryerjen e detyrave në sferën e rendit dhe sigurisë u vërejtën edhe tek policia e EULEX-it, e cila edhe pas 2 vjet e gjysmë nuk arriti të konsolidohet dhe të funksionalizohet për kryerjen e detyrave të rendit dhe ligjit. Këto shpërthime, si dhe ato në periudhat e mëhershme, nuk pati kush t’i organizojë përveç Shërbimit Inteligjent Serb dhe të zbatohen nëpërmjet pjesëtarëve të Policisë së MUP-it serb. Njëkohësisht ndonjë mbikëqyrje dhe veprim preventiv kundër këtyre aktiviteteve destruktive serbe, siç theksuam më lart, nuk pati. Nuk është larg mendsh të theksohet mundësia e implikimit të Shërbimit Inteligjent Serb për destabilizim edhe në ndonjë komunë të sapoformuar me shumicë Serbe sipas Planit të Ahtisaarit. Në këtë kontekst vlen të theksohet dhe të analizohet rezistenca dhe mosbesimi i shprehur i stafit të Manastirit të Graçanicës ndaj Policisë së Kosovës, e cila tashmë ka marrë kompetencë për të mbrojtur atë. Shih për këtë është bërë angazhimi i një kompanie private të sigurisë nga personeli i kësaj kishe!
Sa i përket veriut dhe angazhimit më të theksuar të Policisë së Kosovës për çka është bërë fjalë edhe më herët, nuk duhet pasur hamendje. Në çfarë mënyre, çfarë masash dhe veprimesh duhet përdorur që ajo të jetë efektive atje, është në kompetencë kushtetuese të ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës. Duhet të jetë më se e qartë se një polici vendore e aftë dhe e besueshme për kryerjen e detyrave të rendit në pjesën veriore të vendit tonë, më në fund duhet të fillojë së vepruari. Kujtoj se disa ndryshime kadrovike edhe pse të pakta të cilat i ndërmori u.d. i drejtorit të Policisë së Kosovës në veri janë të qëlluara. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet ndërmarrë edhe masa shtesë për ngritjen e gatishmërisë vepruese të policisë tonë atje.
Sidoqoftë ditët në vijim për shkak të, siç thamë, aktiviteteve pasuese politike e diplomatike por edhe të destruktivitetit skajshmërisht të rrezikshëm të Beogradit zyrtar dhe atë me qëllim që, në konsekuencën e fundit, të bëjë ndarjen e Kosovës, vigjilenca dhe gatishmëria jo vetëm e Policisë së Kosovës, por edhe të aktorëve  të tjerë në tërë territorin tonë, është më se e domosdoshme.