Një shpërthim eksplozivi tronditi mbrëmjen e vonë të së dielës, rreth 30 minuta para mesnate, fshatin Larushk të Fushë Krujës.


Objektivi ishte banesa e gjyshit të Xhisiela Malokut, vajzës protagoniste në denoncimin e nënkomisarit Emiljano Nuhu, për të cilën u tha se është dhunuar dhe kërcënuar nga Rexhep Rrahja, i biri i deputetit socialist Rrahman Rrahja.


Një sasi e vogël lënde plasëse u hodh sipas policisë në banesën e Ramazan Muçës, gjyshi nga e ëma i Xhisielës. E teksa policia ka shoqëruar 9 persona për ti marrë në pyetje rreth ngjarjes, mes të cilëve 4 anëtarë të fisit Rrahja, vetë Xhisiela mohon të ndihet e kërcënuar nga ish i dashuri i saj.


Në një reagim për mediat, nga makina për shpërthimin me eksploziv në banesën ku edhe ajo jeton, Xhisiela tha se ka qenë e pranishme në momentin kur plasi tritoli.


Por më tej ajo hedh akuza të forta mbi opozitën, duke e akuzuar si shkaktare e kërcënimeve që kanë ardhur në adresë të saj.


U trembëm, unë mendoj se tritolin e ka vendosur opozita, tha ajo.


Edhe pse kallëzimi i saj e çoi pas hekurave Rexhep Rrahjen, Xhisiela çuditërisht ka thënë se nuk ka konflikte ose probleme me familjen e ish të dashurit, përkundrazi ata po i qëndrojnë pranë në këto çaste të vështira.


Unë kam komunikim te mire me familjaret e Rexhepit, ata po më qëndrojnë pranë në këto ditë të vështira. Edhe telefonata e parë që unë kam bërë pasi ka ndodhur shpërthimi ka qenë i një kushëriri të Rexhepit, Ramazan Rraja, ka ardhur këtu dhe pastaj është larguar. Më pas unë kam njoftuar policinë, deklaroi ajo.


 


Xhisiela gjithashtu i ka rrëfyer gazetarëve se nuk ka nevojë dhe as kërkon azil.


Unë dua mbështetjen e opozitës për të më mbrojtur nga opozita, është shpehur vajza me ironi.


Në fund ka akuzuar opozitën se luajti një lojë politike, dhe doli blof.


Unë jam Xhisiela dhe të vërtetën e di unë dhe vetëm unë dhe askush nuk mund të hedhë hipoteza, theksoi Xhisiela për mediat.


8 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)