Policia e Matit gjen disa prova materiale në lidhje me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e së shtunës në banesën e kreut të Bashkisë së Burrelit, Nezir Rizvani. Burimet zyrtare raportojnë se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy pjesë fitili zjarr-përcjellës, me gjatësi 6 cm dhe  3 cm, si dhe disa mbetje qeseje plastike. Hetuesit i kanë marrë këto prova për ti çuar në laboratorin e kriminalistikës me shpresën se do të mund të gjejnë gjurmë të gishtërinjve të personave që kanë kryer shpërthimin me tritol. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 00.40, datë 04.11.2017,  ku Policia e Komisariatit  Mat, ka marrë njoftim se në lagjen “Drita”, Burrel, në shesh pushimin e brendshëm të një pallati është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse.


Menjëherë në vendngjarje  kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ku nga veprimet e kryera ka  rezultuar se në lagjen “Drita”, Burrel, në shesh pushimin e brendshëm  në katin e katërt të një pallati pesë katësh, midis dy hyrjeve, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.


Lënda plasëse ishte vendosur në shesh pushim me një distancë 160 cm larg derës së banesës të shtetasit M.B, 57 vjeç, dhe 2 metra larg derës së banesës të shtetasit N.R, 52 vjeç, Kryetar i Bashkisë Mat. Në të dy banesat e shtetasve M.B, dhe Nezir Rizvani, nuk ka patur asnjë njeri në banesë dhe fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.


Në vendin ku ka ndodhur shpërthimi është krijuar një dëmtim me diametër rreth 14, cm dhe thellësi rreth 4 cm, dhe për pasojë janë dëmtuar pjesërisht dy dyert e banesave të shtetasve të lartpërmendur, dhe plasaritje në muret e shesh pushimit.


Sipas hetimeve të kryera nga ekspertët anti-eksploziv dyshohet se sasia e lëndës plasëse të ketë qenë rreth 50 deri në 100 gram, dhe se shpërthimi është bërë me fitil zjarr-përcjellës.


Ndërkohë, një ditë më parë, kreu i Bashkisë së Burrelit Nezir Rizvani, tha se nuk ka asnjë konflikt as nga e shkuara dhe as për shkak të detyrës. Ai nuk ka qenë në gjendje që ta orientojë policinë drejtë një piste të caktuar.


5 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)