Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi dje ndaj akuzave personale të Kryeministrit me padi civile për shpifje në gjykatë. Pavarësisht akuzave të Kryeministrit, deputeti socialist iu rikthye deklaratave të tij të mëparshme për përfshirjen e familjes së kreut të qeverisë në afera korruptive. Deputeti Balla dhe Kryeministri Berisha kanë pasur përplasje mes njëri-tjetrit edhe më parë. Dy përplasje të forta midis tyre janë shënuar në Kuvend dhe kanë pasur lidhje me deklarimet e Ballës për aferat korruptive, në të cilat, sipas tij, është përfshirë familja e Kryeministrit. Sherri i fundit mes tyre degjeneroi në sharje dhe fyerje personale nga ana e shefit të qeverisë. Akuza e dy netëve më parë u lëshua nga Kryeministri, i cili tha se Balla ka kryer transport të vajzave me destinacion trafikimin. Në ditët e fundit Balla ka qenë pjesë e reagimeve zyrtare të PS-së për përfshirjen e djalit të Kryeministri në afera korruptive.