Interpretuese e dhjetëra roleve, sopranoja Shpresa Beka është një ndër më të suksesshmet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Gjatë karrierës së saj artistike numëron role të ndryshme, karaktere të ndryshme të autorëve të ndryshëm, por, nga interpretimi i Bekës kanë marrë etiketën role të suksesshme. Prej vitesh punon pranë Teatrit të Operas, me një gamë të gjerë rolesh dhe me një interpretim emocionues. Një surprizë për publikun do të vijë edhe këtë sezon duke i shtuar karrierës së saj të suksesshme edhe një tjetër rol që qëndron mjaft lart në hierarkinë e roleve, Mannonin në operën “Mannon Lescaut” një ndër kryeveprat e Puçinit. Shpresa Beka është soprano në TKOB, ku prej vitesh ka luajtur shumë role të bukura, që janë jo vetëm role të suksesshme, por që falë talentit dhe punës së saj, janë përcjellë para publikut më së miri me të gjithë forcën, bukurinë dhe madhështinë që mund të jenë shfaqur kudo në botë. Rolet e saj më të spikatura janë roli i Konteshës te “Dasma e Figaros”, roli i Fiordilixhit te “Cosi fan tute”, roli i Dona Elvira te “Don Xhovani”, Mikaela te “Karmen”, Flora te “Traviata”, “Triptiku” nga Puçini, roli i Leonorës në operën “Trovatore”. Shpresa Beka është një soprano që shfaq në skenë jo vetëm talentin e saj si soprano, por shfaq stil, prezencë, paraqitje dhe hijeshi. Gjatë karrierës së saj artistike ajo është nderuar dhe vlerësuar për kontributin e saj në fushën e artit. Është fituese e çmimit të tretë te festivali i parë “Marie Kraja”, që në atë kohë ishte një aktivitet goxha i rëndësishëm dhe ateherë ajo ishte vetëm një studente. Gjithashtu ka fituar çmimin e parë në konkursin “Zërat e rinj lirikë”. Rolet e saj gjithmonë janë spikatur për një emocion të veçantë, por një rol i suksesshëm për Shpresën ka qenë roli i Aliçes, ku sopranoja Beka mori një vlerësim nga publiku pasi roli karakterizohej nga një interpretim komik. Në këtë intervistë sopranoja Shpresa Beka na tregon edhe për një pikë mjaft delikate siç është debutimi i saj në një nga skenat europiane. “Me thënë të drejtën, kam një ëndërr dhe e kam të vetmen pikë që nuk e kam realizuar, dhe ajo është interpretimi im në një ndër skenat europiane. Besoj se së shpejti do ta realizoj, por nuk mund të bëj asnjë përcaktim pasi të gjitha skenat e botës janë ato ku kanë interpretuar edhe kolegët tanë; çdo skenë ka rendësinë dhe madhështinë e saj, nuk mund të përcaktoj një të vetme. E rëndësishme për mua është që të prekja një skenë dhe të shikoja veten time. Shpresoj se në një të ardhme do t’ia arrij”, - shprehet Beka.
Çfarë është për ju Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit?
Teatri i Operas dhe Baletit është pika më e lartë, ëndrra e çdo këngëtari ku kërkon të arrijë çdo këngëtar, “skena”. Aty këngëtari shpalos gjithë vlerat e tij vokale, interpretative. Besoj se e ndiej të realizuar këtë ëndërr përderisa kam arritur dhe jam soliste prej 10 viteve në këtë teatër.
Si kanë nisur fillimet tuaja drejt operës si soliste?
Fillimet e mia kanë qenë shumë të mira; më mirë të them se kam qenë me shumë fat. Fati më ka ndjekur çdo moment sepse unë si soliste në Teatrin e Operas kam debutuar qëkur kam qenë studente në vitin e tretë në Akademinë e Arteve, gjë që nuk para ndodh me të gjithë me studentët apo këngëtarët. Roli im i parë ka qenë “Fioridiligi” nga opera “Cosi Fanttute” dhe unë isha vetëm në vitin e tretë në Akademinë e Arteve. Më vonë pasoi roli im i dytë në vitin e katërt, ku kam interpretuar Donna Elvira te “Don Giovani”, prandaj dhe e theksoj shpeshherë se fillimi për mua ka qenë një fillim shumë i mbarë, pasi dhe rolet ishin role të para dhe të vështira. Të fillosh të interpretosh që në bankat e shkollës është vërtet fat dhe një nisje shumë e mirë e karrierës. Unë interpretova pa dalë akoma nga shkolla dy role shumë të mira, role të para. Dhe këto i interpretova në skenën e Teatrit të Operës, me Orkestrën e Teatrit të Operës, me trupën e solistëve të TOB-it. Përsa i përket rolit të parë, iniciatori dhe nxitësi për mua ka qenë regjisori Nikolin Gurakuqi. Ishte regjisori që unë e kisha pedagog, profesor në Akademinë e Arteve, së bashku me zotin Bujar Llapi, që ishte dirigjent i kësaj vepre dhe në atë kohë drejtori Artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit. Gjatë këtij konkursi na zgjodhën si element mua dhe tenorin Josif Gjipali, ku kemi kënduar operën “Cosi Fanttute”, kurse opera “Donn Giovani” erdhi si rezultat i një stafi të huaj me një regjisor austriak, Pol Flider. Unë bëra një audicion, më dëgjuan dhe fitova, bëra shfaqjen time krahas trupës së Teatrit të Operas, “Donn Giovani” ishte një produksion i huaj. Regjisori Nikolin Gurakuqi dhe zoti Llapa ishin të parët që na ngjitën në skenë duke na dhënë mundësinë që të performojmë së bashku më zërat operistikë më të njohur.
Keni mbi 10 vite që interpretoni në skenën e TKOB. Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë dhe cilat ishin emocionet që provuat?
Unë, kur jam ngjitur për herë të parë në skenën e TKOB, kam interpretuar rol të plotë që në bankat e shkollës. Ishte viti 1997 dhe kjo nuk i ndodh çdo njeriu. Qëkur kam qenë studente unë jam ngjitur në skenë me rol në “Cosi fan tute”, ku interpretoja Fiordilixhin. Një rol shumë i vështirë, por ishte dhe një ogur i mirë për mua. Kam nisur karrierën time, që zakonisht artisti e nis me role të vogla; unë guxova dhe e nisa karrierën time artistike me role të mëdha. Kam guxuar për këto role duke dalë me shumë sukses. Kam interpretuar një rol, i cili në atë kohë mori dhe shumë vlerësime. Kjo ishte ngjitja ime e parë në skenën e TKOB, po edhe e dyta ka vazhduar sërish në bankat e shkollës me “Donn Giovani”, ku interpretova Dona Elvirën. Më pas, direkt pas shkollës, fitova dhe çmime. Kur erdha në opera erdha me dy role dhe me dy çmime. Pasi u punësova në këtë institucion, rolet erdhën dhe pasuan njëri-tjetrin. Erdhi “Dasma e Figaros”, Adlaxhiza etj.
Kush ka qenë nxitësi për Shpresa Bekën që të bëhej një soliste?
Familja për mua ka ndikuar jashtëzakonisht shumë, sidomos nëna dhe babai. Edhe pse ata nuk janë artistë të diplomuar të skenës, por ishin artistë në shpirt dhe gjithmonë kanë dashur që të kenë një fëmijë artist. Ata, duke parë talentin që e kam pasur të lindur dhe që në shkollën fillore kam qenë pjesë e Grupit të Fatosave dhe më pas pjesë e Pionierëve. Domethënë që aktiviteti im artistik ka nisur që në klasën e parë dhe për fatin tim të mirë, kam pasur talentin që ma ka falur Zoti. Gjithmonë kam kënduar si soliste, që fëmijë, dhe erdhi pikërisht kjo karrierë kaq herët duke u rritur. Më vonë dëshira ime dhe e prindërve të mi filloi duke u rritur, duke e parë në një plan tjetër, nga thjesht një dëshirë dhe aktivizim të kthehej në realitet që unë të bëhesha një artiste profesioniste, të ndjek shkollën, Liceun, Akademinë dhe të arrij aty ku kam arritur deri sot.
Pas një eksperience 10-vjeçare në TOB keni pasur ndonjë ofertë për të qenë e pranishme dhe për të debutuar në skenat europiane?
Me thënë të drejtën, në shumicën e produksioneve dhe të roleve që unë kam realizuar në skenë, kanë qenë artistë të huaj, regjisorë, dirigjentë; kemi pasur kontakte me këta njerëz. Përshtypja ka qenë shumë e mirë, mirëpo për fatin tonë të keq nuk ekziston akoma që të kemi një menaxher ashtu siç ekziston dhe funksionon edhe jashtë. Për momentin, të them të drejtën, nuk është se kam pasur ndonjë ofertë, por shpresoj dhe po mundohem të bëj diçka vetë. Duhet ta kemi edhe ne këtë shans dhe mundësi që të provojmë skenat evropiane, pasi e kanë vërtetuar edhe kolegët, shokët tanë që kanë vajtur atje dhe kanë marr vlerësimet maksimale që mund të marrë një artiste. Regjisorët dhe dirigjentët e huaj vazhdojnë të japin përshtypjet më të mira, por është thjesht çështje menaxhimi.
Ka pasur ndonjë moment që jeni ndier e trembur nga skena?
Unë si Shpresë gjithmonë në rolet që kam marrë përsipër, në rolet që kam debutuar në skenë, kam dhënë maksimumin tim, kam qenë shumë e sigurt në çdo shfaqje që kam dhënë. Çdo moment që kam guxuar dhe kam marrë përsipër vepra te të cilat kam qenë në gjendje t’i realizoj. Nuk mund të them që jam trembur, por ka momente të vështira gjithmonë, por për t’u trembur s’bëhet fjalë, sepse atë që kam marrë përsipër e kam përballuar me dinjitet. Dalja në publik duhet të jetë shumë e sigurt që të marrësh vlerësimin; nëse jo, ndodh e kundërta.
Kush është momenti më i bukur gjatë karrierës tuaj që ju ka lënë mbresa?
Momenti i bukur fillon që në çastin kur ti merr një rol dhe bëhesh një personazh. Çdo rol që unë kam interpretuar ka pasur veçantinë e vet, bukurinë e vet dhe çdo rol më ka falur shumë kënaqësi. Në maj vendosëm premierën “Falstaff” dhe kisha personazhin e Alices. Ishte hera e parë që unë interpretoja një rol komik, pasi gjithmonë kam interpretuar role dramatike. Për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë ai rol, pasi nuk e kisha provuar ndonjëherë veten në role komike. Pra momente të tilla ka shumë dhe çdo rol ka momente të bukura dhe të veçantat e veta.
Provat ju marrin pjesën më të madhe të kohës, si arrini t’i mbani ekuilibrat mes familjes dhe punës?
Menaxhimi i kohës është një moment i vështirë për mua, por me thënë të drejtën, po të dish t’i ndash gjërat ashtu siç duhet, arrin t’i realizosh të gjitha. Pa diskutim që në këtë mes është merita e familjes, e bashkëshortit që më mirëkupton, duke më dhënë ndihmën e tij. Unë vetë si Shpresë mundohem të mos mungoj edhe pse ndoshta nuk jam fizikisht. Por gjithmonë ia kam dalë mbanë, edhe pse kam bërë shumë sakrifica.
Çfarë është për ju familja dhe karriera?
Shumë e shenjtë. Si familja, edhe karriera për mua janë gjërat për të cilat kam luftuar, vazhdoj të luftoj dhe do t’i mbaj fort. Mendoj se një artiste e kompletuar në karrierë pa familje nuk është e kompletuar, karriera dhe familja shkojnë baras me njëra-tjetrën. Të them të vërtetën, që t’i kem të dyja luftoj shumë, sepse pa të nuk mund të vazhdoja përpara. Familja dhe karriera për mua janë dy gjërat e mia të shtrenjta.
Kush është jeta e sopranos Shpresa Beka larg skenës operistike?
Jam nëna e një djali gjashtëvjeçar. E adhuroj djalin tim. Jashtë artit Shpresa është si të gjitha gratë e tjera. E them me krenari këtë sepse më fal kënaqësi. Ndjehem shumë mirë kur i shërbej familjes sime, burrit tim. Por edhe ata më ndihmojnë shumë mua kur jam me veprat operistike. Por është një kënaqësi që përveç të qenit artist, ne jemi dhe njerëz. Ka bukurinë e saj të qenit grua, nënë, zonjë shtëpie etj.
Ka ndonjë pasion të dytë për Shpresën?
Në fakt pasione ka shumë, por një që vazhdoj akoma ta kem është dëshira ime që të vazhdoj një shkollë për mjekësi. Po të më jepej mundësia do ta ndiqja një fakultet mjekësie me shumë dëshirë.
Përveç zërit, sa e rëndësishme është paraqitja në skenë?
Paraqitja në skenë për mua është shumë e rëndësishme, pasi opera është një gjini që ka në tërësinë e saj teatrin. Kur një spektator vjen në skenë, nuk vjen thjesht për të dëgjuar, por edhe të shikon. Normalisht atë që ti jep me zërin tënd, duhet edhe ta transmetosh me lojën tënde në skenë. Pra ne jemi aktorë, këngëtarë dhe është shumë e rëndësishme. Ashtu siç kemi parë nëpër produksionet e huaja, ku këngëtarët aktrojnë dhe është vërtet një kënaqësi, pasi e shikon rolin të kompletuar në tërësinë e tij. Jo vetëm të plotësuar nga ana vokale, por edhe nga ana interpretative, pasi publiku që vjen nuk vjen vetëm për të dëgjuar, por shikon edhe interpretimin, gjë që për mua është shumë e rëndësishme.
Sa ka arritur gama e roleve në skenë si soliste?
Së bashku me Mannonin bëhen dhjetë role të para operistike. Rolet e mia më të spikatura janë roli i Konteshës te “Dasma e Figaros”, roli i Fiordilixhit te “Cosi fan tute”, roli i Dona Elvira te “Don Xhovani”, Mikaela te “Karmen”, Flora te “Traviata”, “Triptiku” nga Puçini dhe roli i Leonorës në operën “Trovatore”.

Kush është roli që ju ka lënë më shumë mbresa?
Në fakt, roli i parë nuk harrohet asnjëherë. Ngjitja e parë në skenë asnjëherë nuk harrohet. Të them të vërtetën, nuk mundem të përcaktoj një rol të veçantë pasi për mua secili ka pasur të bukurën dhe të veçantën e saj. Të gjitha këto role që kam interpretuar, secili është më i bukur se tjetri dhe nuk mund t’i ndaj dot, megjithatë, do të veçoja dy role jashtëzakonisht të vështira, siç janë “Mannoni” dhe “Leonora” te vepra “Iltrovatore”. Të gjitha këto role nuk mund t’i ndash pasi janë role të bukura dhe dramatike.
Cili ka qenë për ju roli më i vështirë?
Roli më i vështirë, por dhe i bukur, ishte Leonora në operën “Trovatore”. Është një rol shumë i vështirë për sopranot dhe është një sfidë i vërtetë në skenën operistike. Edhe për moshën që unë i kam interpretuar ato kërkojnë pjekuri dhe vokal. P.sh., Verdi kërkon një pjekuri të madhe vokale dhe teknike. Në vijim të aktivitetit tim synoj gjithmonë dhe më shumë në veten time që të kem dhe më shumë role.
Si e konsideroni kryeveprën e Puçinit, pasi ju keni dhe rolin kryesor, Mannonin?
Kryevepra e Puçinit ishte pjesë e repertorit të Teatrit për sezonin artistik të 2010-s. Si vepër e repertorit u servir në kalendarin e Teatrit dhe ashtu siç është rregulli, për t’i parë dhe për t’ia shfaqur publikut këto vepra më lindi guximi që ta marr përsipër këtë rol dhe audicionohem ta mësoj këtë rol. Mezi po pres që ta shoh të realizuar deri në fund këtë rol, ashtu siç pretendoj, pasi kam punuar shumë për të arritur vokalisht. Po përgatitemi për të vënë në skenë edhe nga ana skenike dhe regjisoriale së bashku me regjisorin Nikolin Gurakuqi, në mënyrë që të kompletohet personazhi i Mannonit.
Kush është skena e ëndrrave të Shpresa Bekës?
Me thënë të drejtën kam një ëndërr dhe e kam të vetmen pikë që nuk e kam realizuar, dhe ajo është interpretimi im në një ndër skenat europiane. Besoj se së shpejti do ta realizoj, por nuk mund të bëj asnjë përcaktim pasi të gjitha skenat e botës janë ato ku kanë interpretuar edhe kolegët tanë; çdo skenë ka rendësinë dhe madhështinë e saj, nuk mund të përcaktoj një të vetme. E rëndësishme për mua është që të prekja një skenë dhe të shikoja veten time. Shpresoj se në një të ardhme do t’ia arrij.
Kush janë projektet për 2010-n që do të sjellin në skenë zërin operistik të Bekës?
Në bazë të kalendarit që është shfaqur për shfaqjet që do të vihen, mua në fakt më është propozuar një rol tek opera “Ana Golena”. Por personalisht kam dëshirë që publikut t’i shfaqem me operën “Otello”, që do të vihet në nëntor të 2010-s. Kam filluar që tani ta shikoj rolin e Desdemonës dhe të përgatitem për të. Edhe pse është shumë shpejt, unë kam vazhduar të përgatitem pasi mendoj se është një rol që më përshtatet. Këto janë dhe synimet e mia për 2010-n.

6 Shkurt 2010