LSI i bën apel PS-së që të rikthehet në parlament
Lëvizja Socialiste për Integrim i drejtohet për të disatën herë Partisë Socialiste, që të lerë menjanë vendimet personale të Edi Ramës dhe të rikthehet në sallën e Kuvendit. Sipas LSI, shqetësimet e opozitës do të konsiderohen vetëm në sallën e parlamentit, ndërsa porsa kohë kjo nuk do të ndodhë atëherë PS dëmton seriozisht të ardhmen e saj politike, por njëherazi edhe aspiratat e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Nënkryetari i LSI, Edmond Haxhinasto, duke shtuar se debati i mirëfilltë bëhet në parlament, i cilësoi si një bllof politik deklaratat e opozitës për bllokim të shërbimeve në bashkitë e drejtuara nga përfaqësuesit e PS.
Sipas tij, e vetmja zgjidhje për shqetësimet e PS për autonominë e pushtetit vendor është debati parlamentar. Që prej miratimit të paketës fiskale në fillimin e kësaj legjislature, opozita dhe kryetarët e bashkive të zgjedhur në këto poste si përfaqësues të PS-së, kanë protestuar ndaj masave të marra nga mazhoranca duke i cilësuar ato si cënim të autonomisë, duke kërcënuar edhe me bllokim të shërbimeve ndaj qytetarit.
Por, përpos këtyre pretendimeve dashakeqe të opozitës që krahas bojkotit të parlamentit, po përpiqet të bllokojë edhe punën e njësive vendore, kryeministri Berisha u dha shpjegimin e duhur në një nga mbledhjet e qeverisë, teksa kërkoi angazhimin unanim të tyre, për të bërë gati buxhetin për vitin e ardhshëm dhe të realizojnë planet e investimeve.
Berisha garantoi se nuk do të ketë kurrsesi cënim të autonomisë së njësive vendore, veçse do të rritet përgjegjshmëria për planin e investimeve nëpërmjet granteve që do të përfitojnë, të cilat për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë më të larta.