Kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kërkoi dje heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut për ta hetuar atë rreth asaj që prokuroria po përpiqet ta shikojë si shpërdorim detyre. Kërkesa, megjithëse e vonuar, në të vërtetë mund të hapë një spirale të re në debatin politik, pasi rikthen në qendër të vëmendjes fatin e shumicës në pushtet nga mosdistancimi prej fenomenit ‘Gërdeci’. Por, zhvillimi më interesant është se kërkesa për heqje imuniteti u shoqërua nga një teatralitet makabër i Fatmir Mediut, i cili, siç flet gjithmonë pa pengesa, konstatoi, se kishte ardhur koha që republikanët të riktheheshin në qeveri. Ky argument i përdorur prej tij publikisht, në të vërtetë hidhte poshtë qëndrimin zyrtar të po republikanëve se, derisa të sqarohet çështja e Gërdecit, ne do të qëndrojmë jashtë qeverisë. Çfarë kishte ndryshuar gjatë këtyre dyzetë ditëve që republikanët vrapuan dje drejt qeverisë?


Asgjë, përveç faktit se zoti Mediu po informohej se prokuroria po sillej rrotull tij. Në përpjekje për të qenë bashkë me Berishën në gjyqin para opinionit publik, Mediu, dukshëm i penduar që ka dhënë dorëheqjen, ka arsye të forta t’i bëjë tashmë shantazh Berishës për t’u futur në qeveri. Disa kohë më parë, në një intervistë në “ALSAT”, ai ka thënë gjysmë shkarazi, se kompaninë “SAC”, që u mor me çmontimin e fishekëve në Gërdec, ia kanë sjellë pas katër muaj verifikimesh, sipas procedurës zyrtare, pra që nënkuptoi qartë se ia ka çuar përmes rrugës zyrtare Sali Berisha. Në të vërtetë, ka dokumente zyrtare që provojnë se i pari që u informua për “SAC” ishte Sali Berisha, pasi ai është zyrtari i parë i shtetit shqiptar që ka diskutuar në rrugë proceduriale mundësinë e prokurimit të drejtpërdrejtë të çmontimit të fishekëve për kompaninë amerikane, ortake me Delijorgjin. Procedura zyrtare qëndroi disa javë në sirtaret e Kryeministrisë, derisa u hodh poshtë prej tij. Pra, Berisha është njohur dhe ka qenë i pari në dijeni për projektin e “SAC” dhe pas kësaj ai ia ka deleguar atë Mediut. Mediu, i sigurt se ajo i ka shkuar nga kryeministri, duke shtuar dhe dozën e vet të klientelizmit, natyrisht që i shpejtoi procedurat dhe e shpalli “SAC” si një nga kompanitë më të mira në botë për demontimin e fishekëve. Tashmë, nëse Mediu vërtet hetohet për shpërdorim detyre, ai ka të drejtë të ankohet dhe të kërkojë vendin që i takon në qeveri, pasi mjafton të hetohet përpjekja e dështuar për t’u bërë prokurimi direkt nga Kryeministria dhe hetohet po ashtu dhe dijenia fillestare e kryeministrit për këtë projekt. Është pikërisht kjo lidhje proceduriale mes Berishës dhe Mediut që i mban ata ende të lidhur dhe të zemëruar për pakujdesitë e njëri-tjetrit. Kjo simbiozë ka krijuar një ngërç të rëndë për të djathtën shqiptare dhe po e zhyt atë një vit para zgjedhjes në një histori të errët korrupsioni, i cili ka përfunduar me gjak. E djathta shqiptare do të mbajë në shpinë para zgjedhjeve të vitit 2009, 26 të vrarë dhe 300 të plagosur, pa ditur pse. Mijëra zyrtarë të kësaj administrate që mund ta kenë marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe “Duart e Pastra”, do të ikin nga pushteti të çuditur, përse duhet të sakrifikohen për Fatmir Mediun dhe çfarë ka ndodhur atje realisht. Kryeministri i tyre në vend t’iu tregojë të vërtetën për të dhe familjen e tij në këtë histori, fyen publikisht gazetarët, përgjon dhe shpik historira për jetën e tyre private, se mendon se kështu do t’iu dalë përpara historive që mund t’i dalin familjes së tij para shqiptarëve. Shumica në pushtet është peng i një krimi që po përpiqet të mbulohet me shakara pa kripë të kryeministrit që premton se do të jetojë dhe tridhjetë vjet si kryeministër, ndërkohë që atyre që iu mori jetën ishin shumica 20-vjeçarë.


Siguria e Fatmir Mediut që kërkon të rikthehet në qeveri, ka baza reale. Ai nuk ndjehet asnjë grimë më pak fajtor se kryeministri dhe të afërm të tij të përfshirë në këtë skandal dhe nuk ka sesi të persekutohet i vetëm. Pasi ka mësuar se prokuroria po shikonte mundësinë t’i hiqte atij imunitetin, ai nxitoi t’i kujtojë Sali Berishës karrigen bosh që ka lënë në këmbim të heshtjes së prokurorisë. Dikush nuk po e mban fjalën dhe Fatmir Mediu ka të drejtë të jetë i shqetësuar.