Prokurorët e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe Bullgarisë firmosën Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe  Bullgarisë


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, znj.Arta Marku po zhvillon një vizitë pune në Bullgari.  Prokurori i Përgjithshëm znj.Marku u takua me ministren e Drejtësisë të Bullgarisë, znj.Tsetska Tsacheva, Prokurorin e Përgjithshëm të Bullgarisë, z.Sotir Tsatsarov, përfaqësuesin e Këshillit Suprem Gjyqësor z. Boyan Magdalinchev dhe anëtarë të Kolegjit Prokurorial të Këshillit Suprem Gjyqësor dhe me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese z. Boris Velchev.


Prokurorët e Përgjithshëm znj.Arta Marku dhe z.Sotir Tsatsarov firmosën në një ceremoni të veçantë Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë.


Qëllimi i Memorandumit është për t’u kushtuar vëmendje të veçantë përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit, si dhe nevojën për bashkëpunim të efektshëm.


Palët bien dakord, brenda juridiksioneve të tyre, të bashkëpunojnë duke shkëmbyer informacion dhe zhvilluar konsultime për përgatitjen dhe zbatimin e kërkesave për ndihmë juridike dhe veprime të tjera, për aq sa ato janë të zbatueshme brenda fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.


Memorandumi mundëson shkëmbimin e informacionit që lejon ose kontribuon në hetimin ose parandalimin e veprimtarive kriminale, sipas nevojave specifike.


26 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)