TIRANE-U luajt me start nga ora 17:30 në “Niko Dovana” të Durrësit ndeshja eliminatore e Grupit 4 mes Shqipërisë dhe Hungarisë, për 21-vjecarët. Shpresat kuqezi, të drejtuara nga Skënder Gega, e startuan me humbje këtë edicion të ri kualifikues, por me ndryshime jo të vogla në përbërje, si rezultat i ndërrimit të brezave. Vec kuqezinjve dhe hungarezëve, në grupin tonë bëjnë pjesë edhe Austria, Bosnjë Hercegovina dhe Spanja.

SHQIPERI-HUNGARI 1-2
Golat: Taipi 27′ / Adorjan 30′, Windecker 69′
SHQIPERIA: Menka, Dita, Matoshi, Prençi, Gjokaj, Bunjaku (Gino 46′), Kërçiku (Deliallisi 46′), Batha, Taipi, Neziraj (SHkurtaj 59′), F. Hoxha. Trajner: Skender Gega
HUNGARIA: Jova, Otigba, Barath, Szolnoki, Jagodics, Adorján (Vécsei 71′), Windecker, Radó (Szécsi 85′), Kovács, Ugrai (Gyurjan 63′), Bese. Trajner: Antal Róth
Gjyqtarë: Jonathan Lardot, Jimmy Cremers, Rien Vanyzere (Belgjikë)
Kartonë të verdhë: Bunjaku 21′, Taipi 40′ / Bese 18′, Szolnoki 90′

Trajneri Gega e ka nisur ndeshjen me një skemë 4-5-1, ku përpara portierit Menka rreshtoheshin dy qendrat e mbrojtjes, Gjokaj dhe Prenci, shkruan Panorama Sport. Nga krahët e prapavijës kuqezi, nga e djathta në të majtë pozicionoheshin Dita dhe Matoshi. Bunjaku luajti mes mbrojtjes dhe mesfushës, me detyra organizative, duke asituar katërshen e mesfushës, në vijë të drejtë, të përbërë nga F.Hoxha, Taipi, Batha dhe Kerciku. I vetëm në sulm ishte Neziraj, megjithatë në fazën ofensive ai kishte mbështetjen e disa lojtarëve, që vinin nga të dy krahët ose godisnin nga pas. Kështu veproi edhe Batha në minutën e 12-të, duke sjellë drithërima në portën hungareze. Minutat e mëtejshme ishin një dialog mes sulmit kuqezi dhe mbrojtjes kundërshtare, teksa tanët i afrohen në disa raste portës hungareze, por pa shënjestrën e duhur. Fabio Hoxha sjell pështjellim te miqtë, ndërsa Bunjaku dhe Batha impenjohen së tepërmi në detyra ofensive. Vihet re se ekipi ynë Shpresa sulmon në ballë të gjerë, me shumë forca, ndërsa mundohet të funksionojë si i tillë edhe kur topin e ka kundërshtari. Hungarezët mundohen të administrojnë sa më shumë të jetë e mundur topin, duke parë se kuqezinjtë janë maksimalisht të tendosur në kërkim të golit. Minuta e 27-të është fatsjellëse për Shqipërinë. Hoxha i vidhet mbrojtjes hungareze dhe përparon me topin deri në zonën kundërshtare, por aty pëson ndërhyrjen e gabuar të një mbrojtësi. Gjyqtari akordon penallti pa hezitim, që kthehet në gol nga Taipi. Kurorëzohet kësisoji këmbëngulja dhe grinta e ekipit tonë, por gëzimi nuk zgjat shumë. Vetëm tre minuta më pas, kur tanët nuk ishin kthjelluar akoma nga adrenalina e golit, ndëshkohen nga një vendosje e gabuar në mbrojtje. Adorjan, numri 5 i miqve, arrin ta mbajë topin pa dalë në fundore dhe ka tërë hapësirën e duhur për të goditur dhe barazuar shifrat.

Pjesën e dytë trajneri Gega e nis me dy zëvendësime. Deliallisi merr vendin e Kërcikut dhe Gino të Bunjakut. Problematika e mbrojtjes në 45 minutat e para i ka imponuar këto lëvizje, që njëherazi ndryshojnë edhe modulin e lojës në 4-4-2. Sfida është më e hapur tashmë, sepse të dyja skuadrat kërkojnë golin e epërsisë dhe të fitores. Hungarezët guxojnë më shumë, sidomos nga krahu i majtë, ndërsa tanët mundohen përmes topit të gjatë për të dalë te porta kundërshtare. Në minutën e 59-të bëhet zëvendësimi i tretë dhe i fundit për Shpresën e Shqipërisë. Del Neziraj dhe futet Shkurtaj. Gega tenton të ndryshojë dicka në repartin e përparmë, duke parë se në këtë pjesë loje ka rënë disi tempi ofensiv. Nuk funksionin si duhet loja e grupit e tanëve, repartet nuk koordinohen më së miri, kështu që forca goditëse te porta hungareze është e zbehtë. Në këtë mënyrë, tentohet të zgjidhet dicka falë individualiteteve, sikurse mund të jetë një i tillë edhe Shkurtaj. Por as kjo strategji nuk funksionon. Loja e hungarezëve vjen në rritje, ndërsa e kuqezinjve humb shumë në freski fizike dhe qartësi taktike, kështu që ishte i pritshëm edhe goli i epërsisë së Hungarisë. Në minutën e 69-të, Windecker mposht për herë të dytë portierin Menka, që s’ka cfarë të bëjë, i “tradhëtuar” nga mbrojtja. Pasi ka evituar më parë disa goditje të rrezikshme standarte, portieri ynë kuqezi detyrohet ta nxjerrë për herë të dytë topin nga rrjeta.

Në cerekorëshin e fundit të ndeshjes, kuqezinjtë mundohen të rikuperojnë dicka, të barazojnë shifrat, por arrijnë vetëm të godasin traun e portës hungareze me anë të Taipit. Kaq nuk mjafton për të evituar humbjen në ndeshjen e parë eliminatore në fushën tonë, ndërkohë që hungarezët marrin 3 pikët e para.

GRUPI 4
(Spanjë, Austri, Hungari, Bosnjë, Shqipëri)
KALENDARI
7 qershor 2013
Shqipëri-Hungari 1-2
11 qershor 2013
Bosnjë-Shqipëri 18:00
14 gusht 2013
Shqipëri-Austri
9 shtator 2013
Spanjë-Shqipëri
15 tetor
Shqipëri-Bosnjë-Hercegovinë
14 nëntor
Hungari-Shqipëri
18 nëntor 2013
Shqipëri-Spanjë
5 mars 2014
Austri-Shqipëri

(d.b/BalkanWeb)