Vijon nga e diela e kaluar

Mu në vitin 1936 kur Dr.Samimi jep dorëheqjen nga KATSH, prova e parë e vazhdimësisë së tij në gjithë zhvillimet e sportit shqiptar është mbështetja që ai i bën themelimit të Kombëtares së Shqipërisë. Nuk ishte më futbollist, por në fushën e lojës ende kishte prej shokëve të tij me të cilët më 1930 kishin themeluar së bashku Kampionatin e Shqipërisë. E natyrisht sapo kishte ardhur edhe brezi i ri i skuadrave të qyteteve të Shqipërisë. Midis tyre ishte edhe Haki Korça, kunati i tij, vëllai i bashkëshortes së tij fisnike, Saxhide. Ai ishte një nga qendërsulmuesit më të mirë të Shqipërisë, madje njeri midis tre qendërsulmuesve më të mëdhenj të epokës së viteve ’30, siç i ka përcaktuar Anton Mazreku: Teli Samsuri, Riza Lushta dhe Haki Korça.
Historia e themelimit të Kombëtares së Shqipërisë po aq sa ka lidhje me pjesëmarrjen në 11-shin e saj themelues të mikut të tij Haki Korça drejtpërdrejt në fushën e lojës, po aq ka të bëjë me veprimtarinë e vetë Dr.Samimit në mbështetje të kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme për kohën.
Falë shënimeve të Doktorit sot mësojmë, siç shkruan ai, se “ministri i Arësimit Z. dr. Mirash Ivanaj kishte marrë në dorë këte problem të djemërisë. Mirëpo, nga mungesa e fushave të përshtatshme të një federate civile si dhe për disa shkaqe administrative dhe financiare, nuk ka qenë e mundur të realizohet kjo ide e bukur. Ishte periudhë e një bashkëpunimi të ngushtë të Dr.Samimit dhe vetë ministrit Mirash Ivanaj. Mësojmë ndërkaq, se më 20 prill 1934, Dr.Samimi, me cilësinë e kryetarit të KATSH i parashtron Dr.Ivanajt në raportin e sipërpërmendur për zhvillimin e sportit shqiptar edhe propozimin për ngritjen e skuadrës Kombëtares, e kësisoji del qartë se Doktori është i pari i cili i propozon qeverisë shqiptare përmes një dokumenti ngritjen e Kombëtares. Çka vërtetohet edhe prej këtij argumentimi të shkruar nga Dr.Samimi:
“.. Duhet të përpiqemi me sa të jetë e mundur të formojmë skuadrën Nacionale, e cila ka për të qenë shpresa, edhe një mjet ngacmues për zhvillimin sa më mirë të sportit. Ndeshjet që do të ketë kjo skuadër me ato të huajat do të shkaktojnë perfeksionimin e lojtarëve dhe do të zgjojnë ndjesinë nacionale”.
Viti 1936 realizon idenë e Dr.Samimit, por dhe të trajnerit hungarez Samo Singer e të vetë qeverisë mbretërore.

Haki Korça dhe themelimi i Kombëtares


Për autorin e këtij Dossier-i, 60 vjet mbas themelimit të Kombëtares së Shqipërisë, papritmas do të shfaqet në skenë Haki Korça. Ka qenë një takim i ynë me protagonistin themelues të Kombëtares, drejtpërdrejt në fushën e blertë në aeroportin e Torontos, organizuar qysh nga Tirana falë djalit të Dr. Samimit, Ing. Ergjinit. Dhe më e pakta që mund t’i ketë shërbyer historisë së sportit tonë, prej këtij takimi, është dhurimi nga ana e futbollistit të madh të viteve ’30, të fotos vetanake të Kombëtares në ditën themeluese të saj në atë mars 1936.
Kam shkruar kështu për takimin me te në librat e mëparshëm:
"... Ai u kthye nga unë e më zgjati dorën me një buzëqeshje të lehtë, ndërsa hoqi tashmâ borsalinën e tij. E kishim njohur njeri-tjetrin pa u takuar kurrë. Çka ishte kjo? Intuita e bashkëkombësisë apo portreti unikal i racës shqiptare? Nuk e di. Di vetëm se përpara meje qëndronte një burrë elegant, tejet i natyrshëm, i çpenguar, i gjallë, energjik, i cili të fliste pak a shumë si disa intelektualë të vjetër të Tiranës, të cilët ndonëse e shprehin qartë kulturën e tyre, nuk kanë hequr dorë kurrsesi nga një aksent tiranas që drejt me e thënë, i bën tejet tërheqës dhe bindës në ato çka thonë. E quanin Haki Korça. U ulëm. E unë për një çast nuk e besoja se krejt befasishëm po rrija në një nga baret e shumtë të aeroportit të pafund të Torontos së Kanadasë kur sapo isha kthyer nga Quebec-u ku ishte mbajtur Kongresi Botëror i Gazetarëve Sportivë, me një personazh të madh të futbollit shqiptar, Haki Korçën të cilit për mbi 40 vjet nuk iu përmend askund emri në Shqipëri! Merre me mënd: qysh nga viti 1943, përveç takimit të kohëve të fundit të tij me të motrën, Saxhide, bashkëshorten fisnike të Dr. Vasfi Samimit dhe me nipin e tij Ergjinin, ai kishte 50 vjet që nuk kishte takuar shqiptarë të tjerë, të cilët vinin nga Shqipëria e Mbasluftës. Mandej ka folë Haki Korça. Ka folë për atë çka kishte mbajtur brenda vetes për 50 vjet të tana. Unë kam shtypur butonin e magnetofonit aty në barin e aeroportit të Torontos, ndërsa para nesh kalonin thuej gjithë racat e botës, sekush në punë të vet... Haki Korça: origjinar i Melçanit të Korçës, i lindur në Stamboll, i rritur dhe i formuar në Tiranë, i jetuar në Romë e tash gati 50 vjet në Toronto të Kanadasë... ".
Haki Korça është ndarë nga jeta në shkurtin e vitit 2006 në moshën 89 vjeçare, në "qytetin e tij" të më se katër dekadave, Toronto të Kanadasë. Ishte i parafundit themelues i Kombëtares së Shqipërisë i cili jetonte ende. I fundit që jeton është Naim Kryeziu i Romës së “tij" së cilës nuk i ndahet tash 68 vjet.
Haki Korça mbetet më i veçanti, sepse është njeriu i vetëm që tregoi drejtpërsëdrejti themelimin e Kombëtares së Shqipërisë dhe që është njeriu që fali foton dokumentuese të Kombëtares së parë Shqiptare, të ideuar qysh më 1934 nga Dr.Samimi e shokët e tij. Duken gjëra të vogla, mirëpo, për ate që njeh vlerat e historisë kombëtare, ato janë të jashtëzakonshme.
"Unë e kam lanë Shqipërinë më 5 nëntor 1942 edhe nuk e kam pa mâ Shqipërinë, - tregonte Haki Korça në atë mbasdite torontase. - U prenë relacionet me Shqipërinë. Mbesim keq. Unë kisha shkue në Romë për të studiuar për shkenca politike, kreva 3 vjet studime, por tashmâ ishte tepër e vështirë. I kërkuam Ministrisë së Jashtme të ndihmonte studentat. Mandej erdhi Kadri Hoxha. Erdhi tek unë e më tha: "Haki, më kanë dërgue tek ti shokët te Kafja e Sahatit në Tiranë dhe më kanë porositur të të marr ty. Do të bahen në Tiranë Lojërat Ballkanike dhe ti duhet të vish". "Unë nuk vi, - i thashë, - se ju Dr. Samimin e keni zanë në burg pa kurgja, pa tradhtina e keni zanë në burg. Unë nuk vi ma të loz futboll".
Haki Korça me mendje të kthjelltë kishte kuptuar gjithçka në kohë. Kunati i tij i paharrueshmi Dr. Vasfi Samimi, atdhetari, themelues në veterenarinë shqiptare, profesori, njeriu i shquar i kulturës kombëtare, publicisti, portjeri i Fenerbahçes, Flamurtarit të Vlorës dhe kampioni me Sportklub Tiranën, autori i librit "Nana Kosovë", qe shpërblyer me burgim si armik i popullit.
Përveç Haki Korçës, Partia kishte guxuar dhe kishte kërkuar edhe Riza Lushtën me Naim Kryeziun, po siç mësojmë tash, edhe Sabaudin Biçakun të vijnë ndërkohë, për të luajtur në Tiranë. Lushta ishte në Torino te Juventusi dhe Kryeziu në Napoli. Biçaku ishte me Voghera-n. Ndërkaq, Haki Korça përfundon në kamp, në Cinecitta... Eshtë ky Haki Korçë, i cili do të na dhuronte dokumentin-foto ku është një skuadër futbolli, madje në konstruktin e saj si një skuadër e madhe dhe pjesë e së cilës është dhe kombëtarasi ynë.
"Kur shkuam pra në Napoli rifillova futbollin , - tregonte Korça, - me këtë skuadër siç shihet në foton këtu. E njeh Kubalën ti, ka luajtur edhe në Tiranë me Hungarinë në mos gaboj. E ke ndigjue Zhengellerin ti? Ky këtu asht një hungarez tjetër, Iribaci, ka qenë edhe deputet, të gjithë janë hungarezë. Eshtë edhe një italian, edhe unë i vetëm shqiptar. Kemi luajtur në Potenca dhe në Siena. I kemi rrahë, dhe për çdo ndeshje merrshim 5000 lire, paré e madhe në atë kohë. Por nuk zgjati shumë, nja 6 muaj, mandej këta shkuen në Spanjë...".
Befasi e madhe! Në një skuadër Kubala, Zhengelleri dhe Haki Korça. Dy të parët futbollistë të nivelit botëror. Giula Zhengeller, nënkampioni i botës me Hungarinë më 1938 në finalen dramatike Itali - Hungari 4-2, golshënuesi i dytë i KB 38 me 5 gola mbas Leonidasit (8), Zhengeller - 39 herë me Hungarinë, për fat pjesëtar i Hungarisë në ndeshjen e 20 korrikut 1947 Hungari - Shqipëri 3-0, më pas lojtar i Romës e për çudi në këtë fund të tij në skuadrën e emigrantëve! Dhe mandej Ladislao Kubala i famshëm i cili ka luajtur në Tiranë në ndeshjen e 1948-tës Shqipëri - Hungari 0-0, njeriu i 3 Kombëtareve mbasi ka luajtur me Çekosllovakinë. Dhe fati i jetës që i sjell në një skuadër me yllin shqiptar të viteve '30, Haki Korça!
Mandej dora e Haki Korçës që më zgjat ndër duart e mia foton origjinale të Kombëtares së parë të Shqipërisë, datuar më 1936. Në gjokset e futbollistëve dallojmë stemën me shqiponjën dykrenore. Ngjyra e fanelave? "Fanelat e kuqe dhe brekët e zeza", siç do të thoshte Haki Korça, i cili ka shkruar nga mbrapa këto fjalë: "Skuadra nacionale e Shqipnis, Tiranë 1936". Historike! Janë të 11 futbollistët e parë shqiptarë të cilët patën fatin të quhen të Kombëtares, të Kombëtares së parë! Tek janë: Hasan Maluci, Taq Pizha, Haki Korça, Mark Gurashi, Mazllëm Xërxa, Foto Janku, Adem Karapici, Naim Kryeziu, trajneri hungarez Samo Singer, gjyqtari Luigj Shala - gjithashtu themelues në sportin shqiptar. Ulur nga e majta është Riza Lushta i pari, mbas tij Halim Begeja dhe mandej portieri i famshëm Niko Dovana. tre futbollistë shqiptarë të Kosovës; Lushta, Kryeziu, Xërxa! Kombëtare mbarëkombëtare qysh në themelim!
Haki Korça është Kampion Kombëtar me Sportklub Tiranën më 1932 dhe 1934. Në rastin e parë ai është vetëm 16 vjeç dhe besoj se është Kampioni i më i ri në historinë e Kampionateve të Shqipërisë. Ai luan edhe me Vllazninë e Shkodrës, por kur del vendimi i ndalimit të nxënësve për të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar, si i etur për t'u shkolluar, ai pranon të mos marrë pjesë dhe mjaftohet vetëm me ndeshjet midis gjimnazeve, ashtu siç ka bërë edhe Naim Kryeziu. Luan me Sportklubin edhe më 1933, i cili i dorëzon titullin Skenderbeut, por 1934-tra është viti i Haki Korçës. Sportklub Tirana i rikthehet titullit të Kampionit të Shqipërisë. Më 29 prill 1934 është debutimi i Riza Lushtës dhe Haki Korça detyrohet të luajë gjysmësulmues i majtë për t'i lëshuar vendin e qendrës Lushtës moshatar. Dhe shënojnë të dy. Shënojnë të dy edhe në ndeshjen përcaktuese me Skenderbeun në Korçë. Futbolli shqiptar kishte formuar dyshen e madhe Lushta-Korça.
I vetëdijshëm për aftësitë e tij, ai të tregonte me plot pasion për veten dhe për shokët e tij, deri në atë shkallë sa me vetësiguri të çuditëshme të bindte se qysh asokohe Shqipëria kishte një nivel futbolli. Mund të mbesje ndoshta pak skeptik, po a nuk u provua gjithçka kur vetëm tre-katër vjet më mbas Riza Lushta dhe Naim Kryeziu shkëlqyen si yje të Serie A të Italisë - Kampione e Botës në fuqi? Apo Loro Boriçi i cili luan përkrah Piolës me Lazio-n?... E me ta edhe, në një fare mënyre, edhe Haki Korça, në një skuadër me e pakta dy të mëdhenj të botës: një Kubala, një Zhengeller!
I kthehemi Kombëtares së formuar më 12 mars 1936 prej Haki Korçës e shokëve të tij.
Në kryeartikullin e 15 shkurtit 1936 të "Sportit Shqiptar" dy vjet mbas propozimit të zyrtar të Dr. Samimit, trajneri hungarez Singer përsërit ngritjen e Kombëtares. Dhe brenda pak ditëve ajo formohet e stërvitur nga hungarezi. "Sporti Shqiptar" shkruan se në vijën e parë do të jenë Begeja, Lushta, Korça, Kryeziu, Cara ose Petrela. Më 4 mars 1936 këta lojtarë dalin në fushën e lojës.
Për çudi gazeta shkruan: "Skuadra e Nxanësve", e cila do të ndeshej me "Skuadrën e Jashtëshkollarëve". Se çfarë futbollistësh ishin nxënësit e tregon edhe kjo ndeshje e madhe e kohës kur skuadra e tyre fiton 5-1 ndaj jashtëshkollarëve! "Lushta, Kryeziu, Begeja e Korça kanë luajtë aq bukur dhe aq me nji nivel të barabartë sa asht gja e vështirë me caktue se cili ka luejtë ma mirë. Secili ka pasë partizanët e vet dhe... de gustibus non disputandum est", shkruan Anton Mazreku.
Ishte një skuadër e mrekullueshme e përbërë e gjitha prej nxënësve. Ajo ka qenë një ndeshje për të përcaktuar skuadrën kombëtare, e cila e përbërë nga më të mirët e këtyre dy skuadrave do të zbresë në fushë vetëm më 12 mars 1936 me fanelat e kuqe.
Ka qenë pra, 12 marsi i vitit 1936, ditë kur Shqipëria sheh për herë të parë në fushën e lojës ekipin e vet kombëtar, një ekip vërtet i bukur edhe pse nuk do të ketë fatin të bëjë jurdikisht historinë e vet ndërkombëtare.
Shifrat tash janë më të baraspeshuara, vetëm 2-0 për Kombëtaren A. Historia ka fiksuar këte "pamje":
SKUADRA KOMBËTARE A: Dovana, Janku, Maluci, Pizha, Karapici, Xurxa, Kryeziu, Lushta, Korça, Gurashi II, H. Begeja.
SKUADRA KOMBËTARE B: Marjani (Gurashi I), Hajdari, Jolldashi, Kusi, Plluska, Vangjeli, Cara, Kulla, Margariti, Petrela, Hajnali.
ARBITËR: Luigj Shala SHËNUES: Kryeziu, Lushta.
I kthehem 60 vjetëve më vonë në aeroportin e Torontos në Kanada. Maj 1995. Dhe kur jam ndarë në aeroport me Haki Korçën, kam shkruar:
"... Jemi ndarë tashmë me Haki Korçën, e ai mbasi ka vënë borsalinën e tij, mbasi ka hedhur mbi sup pardesynë e tij, ashtu shtatdrejtë e plot gjallëri, është kthyer drejt daljes duke i mbajtur brenda në gjoksin e tij të gjitha; mallin, realitetin e tij dhe të vendit të tij, historinë, futbollin, Shqipërinë, Sportklub Tiranën, shokët, Kombëtaren e parë të tij dhe tonën. Kisha sjellë asisoji në Shqipëri, jo vetëm jetën e Haki Korçës, po dhe historinë themeluese të Kombëtares së Shqipërisë, të vërtetuar edhe më mirë nga një prej 11 pjesëtarëve të saj të spikatun, Haki Korçës. Vërtet, Kombëtarja e Shqipërisë me fanelet kuqezi dhe me shqiponjën në gjoks, kishte lindur më 12 mars 1936_".
70-vjetori i themelimit të Kombëtares së Shqipërisë ka qenë të dielën e12 marsit 2006. Dhe vetëm pak ditë më parë titullari i saj themelues Haki Korça, gjimnazisti i Tiranës dhe i Shkodrës, studenti i Romës, bashkëlojtari i Riza Lushtës dhe Naim Kryeziut, punonjësi i vjetër i "General Elektric", miku i mirë i Dr.Samimit tonë, ishte ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare. Vetëm pak ditë para se të mbërrinte 70-vjetori i themelimit prej tij e shokëve të tij të Kombëtares së Shqipërisë! Në Tiranë, në rrugicën e shtëpisë karakteristike të Dr.Samimit, bijë e tij Ergjini dhe Genci kanë pritur vizita për të nderuar kujtimin e dajës së tyre Haki Korça, i cili për fatin e tij të rëndë - vepër e ligjeve kriminale të Regjimit - nuk do të takonte përmbi 50 vjet as motrën e tij të shtrenjtë Saxhide dhe as kunatin e tij të nderuar Dr.Samimin – ideatorin e Kombëtares së tij. Duke mbetur te revolta e fuqishme që do t’i bënte në Romën e vitit 1945-46 përfaqësuesit të qeverisë komuniste shqiptare, Kadri Hoxhës për burgosjen e Dr.Samimit. Ishte ky Kadri Hoxhë megjithate, i cili mbas pak do të vuante edhe ai vetë egërsinë e regjimit për vendosjen e të cilit kishte luftuar me armë në dorë.
Dhe sërish prekim vitin 1936, me këte themelim të pashembullt të Kombëtares së Shqipërisë, realizim i idesë së madhe të protagonistit tonë, Dr.Samimit, i cili natyrisht nuk mund të heshtte.
“ I pari hap për skuadrën kombëtare të futbollit. Një ditë e bukur në jetën e sportit tonë”, titullon ai në shtypin shqiptar dy–tri ditë mbas ndeshjes themeluese. Shkruan Dr. Samimi:
“… Duhet të gëzohemi se një ëndërr e bukur e sportit tonë fillon duke u kthyer në të vërtetë, por nga ana tjetër duhet të punojmë seriozisht meqënëse problemi është mjaft i vështirë dhe delikat… Të gjithë lojtarët që duan të fitojnë vend në skuadrën Kombëtare duhet ta ndryshojnë fytyrën sportive ballkanike në një fytyrë sporti oksidental europian”.
Parashikonte një modernizim që për fat mbetet ende në rrugë e sipër edhe sot e kësaj dite, ndonëse Dr.Samimi e kërkoi qysh 72 vjet më parë.
Kishte largpamësuar themelimin e Kombëtares. Tash po largpamësonte edhe përparimin perëndimor (oksidental) të saj…


Parashikimi dhe ëndërra e Dr. Samimit


Mbas vitit 1936, veprimtaria e Dr. Vasfi Samim Visokës në dobi të sportit shqiptar ka më tepër një kah gazetaresk, illuminist dhe edukativ, nëse këto tri fjalë mund të rrijnë njëra pranë tjetrës. Deri më 1940 ai është drejtor i veterenarisë dhe shef i zooteknisë. Më 1940 emërohet inspektor Epror i Blegtorisë, detyrë që e mban deri më 1944. Nga ana e veprimtarisë shkencore, shtetërore, udhëheqëse në zhvillim të blegtorisë, ky dhjetvjeçar është po aq i pasur për te. Ai kryen 18 studime, përfaqëson Shqipërinë në kongrese zooteknike në Kopenhagen, Zurich, Foggia, Napoli e Milano. Më 1943 është kryeredaktor i revistës “Buletini teknik” të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Pyjeve. Por më 20 gusht 1943 ai emërohet sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Popullore, çka vetëm mbas dy vjetëve do t’i shndërrohet në akuzën e egër të Regjimit që do të rrëmbente Shqipërinë. Gazeta “Tomori” e 20 gushtit 1943 shkruan:
“Zgjedhje e goditur, ajo e Dr.Vasfi Samim Visokut si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Popullore. Intelektual nga të shkallës së parë, punëtor i palodhur kurrë, studiues i apasionuar i problemeve shoqërore dhe kulturore të vendit, njeri me horizonte të gjëra dhe koncepsione për shoqërinë dhe për zhvillimin e saj…”.
Eshtë përcaktimi i poliedricitetit të tij. Koha është një udhëkryq i rëndë i historisë së kombit. Dr.Samimi vazhdon të luajë rolin e tij kombëtar edhe në shërbim të sportit kombëtar. Shqipëria është në luftë, madje edhe në një konflikt vëllavrasës, por mendimi i Doktorit shkon gjithnjë edhe te kultura, te qetësia shpirtërore sportive, nëse mund të përcaktonim kështu. Cikli i shkrimeve të tij “Të mëkëmbemi edhe një herë!” në “Tomorin” 1943, si dhe “Autokritikë mbi jetën tonë sportive” janë të denjë për të hyrë në antologjinë olimpike nëse do t’i lihej një vend sado i vogël Shqipërisë.
“Duke vizituar stadiumin”, titullon më mbas Dr.Samimi. Ai shkon në formë shëtitjeje së bashku me një shok aty ku po ndërtohej ai që sot është Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” dhe mediton, ëndërron, parashikon së bashku kur shkruan:
“.. Mbylla sytë, hapa shpirtin t’im në ditët që do të vijnë dhe fillova të dal’ të pëshpëritem me vehten t’ime: “Mendoni… Një ditë të bukur të Pranverësh. Ky stadium modern jeton një festë, një spektakël, një ditë të jashtëzakonshme. Anfiteatri, tribunat dhe taracat janë mbushur me një turmë spektatorësh… Çdo anë e kanë stolisur me flamurë, me ngjyra dhe me një frymë gjallnije. Poshtë në fushën e gjelbërt xixillojnë me qindra e me mijëra sportista të shëndoshë e të dashur. Banda fillon… Ngrehuni në këmbë! Shikoni edhe nderoni valvitjen e Flamurit Kuq e Zi, me Zhgabën dy krenore në qiellin e kaltërt t’Atdheut… Po marrshojnë, parakalojnë çapat e hekurta, muskula të çelnikta, krahnore të gjerë, sy të shkëlqyer kundrejt ardhmenisë, ditëve më të bukura, jetës më të lumtur… në popull. Rroftë Djalëria, rroftë Atdheu! Shikoni me zemër, po parakalon ardhmenija… Po marrshojnë skuadrat e rregullta, të pastërta, të shëndoshta, po marrshojnë të gjithë sportistat e çdo dege me ngjyrat e me veglat e veta, një federacjon civil, i organizuar dhe i disiplinuar në kulm, sa që tërheq admirimin e miqve e të gjithë të huajvet, një popull i edukuar, xhentil dhe admirues i sportit dhe më në fund një qytet që jeton pulsin e kësaj feste: Tirana e bukur, zemra e ngrohtë e atdheut t’onë të dashur!”.
Ky ishte parashikimi profetik i Dr.Samimit, ishte ëndërra e këtij ëndrrimtari të pandreqshëm për përparimin dhe zhvillimin e kombit të tij. Ishte “kjo ëndërr si një film tërheqës që më kaloj nga koka dhe nga zemra.”, siç shkruan ai në këte vit 1943.
Stadiumi do të bëhej, por Dr.Samimi kurrnjëherë nuk pati një vend nderi në te. Do të kërkonte një biletë sidoqë ajo të ishte edhe për te, dhe do të ngjiste shkallët e bardha të tij ashtu qetë qetë, me buzëqeshjen e lehtë të tij karakteristike i përzier me turmën. Dhe kurrnjiherë si njeri prej nxitësve më të parë të ndërtimit të këtij stadiumi dhe as ândrrimtari i pandreqshëm i realizimit të tij, apo parashikuesi i gjallërisë së pamatë të kësaj arene që për ne do të bëhej gati mitike në morinë e ngjarjeve që të do shpaloste, të gëzueshme apo të trishtuara, fitimtare apo humbëse, politike apo apolitike, zhvilluese apo dështuese.
Sepse… “Nëna Kosovë” - "Krimi" i Dr.Samimit”. Libri panegjerik i një atdhetari të shquar për Kosovën, poezia e shpirtit të tij. Që do të dënohej pamëshirë, vetëm dy vjet më mbas atij çasti ândrrimtar të tij…


“Nëna Kosovë”


"Kam shkuar pesë herë në Kosovë. I jam bërë pesë herë dashnor. Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrit njeriut, atmosfera e saj është mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saja të shënjta valon një fuqi magjiplote. Në Kosovë, për të parën herë njeriu, e ndjen vehten të hyjë në tempullin kombëtar. Aty një qetësi e këndshme, një besim i sigurtë dhe një vetmohim i ëmbël ia pushton zemrën, trurin dhe shpirtin çdo udhëtarit. Aty për të parën herë besoni vetvehten! Me një nderim të amëshuar, ngjitemi në altarin e atdheut, me një nevojë të brëndshme për të falur rreth kombit, rracës, historisë dhe dëshmorëve. Në këte tempull të atdheut rrezet zbresin nga dielli, xixëllimet bien nga hyjet, flokët e argjënta derdhen nga hëna… Fletët këputen nga degat, gurgurojnë ujrat nga burime të kaltërta dhe këndojnë bilbilat në hije të freskëta. E gjithë Natyra flet me ju. Fitoni besimin, jetën, lumtërin dhe idealin e lirisë!”
Janë thënë plot 65 vjet më parë. 1943. Dhe papritmas vërejmë se po mu në 65-vjetorin e shkrimit dhe botimit të tyre, Kosova që aq fort është edhe e një Dr.Samimi, madje sidomos e një Dr.Samimi, fiton Pavarësinë e saj! Nëse do të kompozohej një simfoni për Pavarësinë e Kosovës do të duhej që aktori i madh i Kosovës të ngjitej në palk në një kohë me dirigjentin e orkestrës dhe nën shoqërimin e muzikës simfonike të një rilindjeje qiellore të pjesës tjetër të kombit shqiptar, nga zëri i tij i fuqishëm të ushtonin vargjet e mësipërme (se vargje janë) të Dr.Vasfi Samim Visokës:
“… Në këte tempull të atdheut rrezet zbresin nga dielli, xixëllimet bien nga hyjet, flokët e argjënta derdhen nga hëna… Fletët këputen nga degat, gurgurojnë ujrat nga burime të kaltërta dhe këndojnë bilbilat në hije të freskëta. E gjithë Natyra flet me ju. Fitoni besimin, jetën, lumtërin dhe idealin e lirisë!”
Vetëm pak rradhë nga proza më poetike që mund të jetë shkruar ndonjëherë prej dikuj për Kosovën martire. Dhe mandej përcaktimet e tij çuditërisht edhe “sportive” e çuditërisht njëkohësisht edhe gjenetike e biologjike:
“Kosova është burimi kryesor demografik e biologjik i rracës sonë. Kjo dinamo fizike është e pastër, e kulluar dhe e shëndoshë. Çdo kosovar, por veçanërisht katundarët e bujqët janë si përmendore shëndeti. Fuqija fizike e një populli është një nga bazat kryesore të zhvillimit të tij. Një komb që është i shëndoshtë, punon, një komb që punon krijon, dhe një komb që krijon fiton të drejtën ekzistencës e të lumturis!... Me të vërtetë burri kosovar, është i fortë, i pastër, fisnik dhe impozant!... Po, Kosova, është e shëndetëshme, e gjallë dhe buron si një krua jetik… Aty gjejmë themelet më të forta të qënjes s’anë kombëtare dhe të gjakut Arbënor…. Veçanërisht ata të maleve dhe të bjeshkave dalloheshin me një herë si simbolet e fisnikërisë dhe të origjinalitetit të racës arbërore. Trup të gjatë, supa të gjërë, krahëror burrash, eshtra të forta, flokë të verdhë dhe kaçurrela, dhe veçanërisht sy të kaltërt plotësonin veçoritë kryesore të tipit indogjerman. U përngjisnin malësorëve t’anë shkodranë. Kishin një pamje athletike, të shkathët e të çelët… Ishin me të vërtetë si një përmendore shëndeti. Në ata ndriçon jeta, qesh shëndeti dhe valon burrërija”.
Edhe për këto rradhë do t’i vinte dënimi i pamshirshëm protagonistit tonë. Pa mbërritur mirë 15 dhjetori i 1944 dhe Vasfi Samim Visoka arrestohet! Krimi? Edhe libri "Nëna Kosovë" dhe një shkrim përmes të cilit ai kishte kërkuar më 1944 bashkim, pajtim. Edhe vetë përgjegjësia në shërbim të zhvillimit kulturor të popullit.
Profetike fjalët e tij në gjyq: "Zoti prokuror, ke vënë gjyslykë të zeza, hapni dritaret e zemrës të shihni dritën e diellit… Unë librin “Nëna Kosovë” e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë e përmbajtjes së saj e kam shkruar si Shqipëtar dhe ka një stil human”.
Po kush dinte të shihte dritën e diellit? Ishte gjyqi i famshëm i “armiqve të popullit”. Në krye të trupit gjykues ishin emrat e vetë udhëheqësve komunistë shqiptarë: Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Hysni Kapo… Ndërsa emrat e “armiqve” ishin histori e pafund: Fejzi Alizoti, Aqif Përmeti, Terenc Toçi, Bahri Omari, Kol Tromara, Xhevat Korça, Ibrahim Biçakçiu, Koço Kota, Gjergj Bubani, Mihal Zallari, Zenal Prodani, Vasfi Samimi, Dik Cami, Teufik Mborja, Lazër Radi, Rrok Gera, Mihal Sherko, Manush Peshkëpia, Jakov Milaj, Ihsan Libohova, Emin Toro…
Tre vjet burg edhe për Dr.Samimin! Vuan 1.5 vjet dhe vazhdon me kusht në fermën e Sukthit e të Xhafzotajt. Ia kanë nevojën, por kurrë nuk ia japin atë që i takon. Bashkëthemelon Zootekninë e Shkodrës, është specialist, por nxiton plot pasion të shkojë e të punojë me krahë te ndërtimi i Stadiumit të Shkodrës dhe për ironi të fatit të shpallet dy herë sulmues. Gjendet në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës e prej tij mbërrin gjenetikë, praktika blegtorale, tekste mësimore, manuale, gati 30 tituj. Ndërsa artikujt gati mbërrijnë njëmijshin! Gjithçka përmes një lufte e një modestije deri në sublim. Luftë prej pushtetit, luftë prej kolegëve të paaftë, madje edhe luftë prej atyre që e quanin anti Lisennko! Dhe Vasfi Samimi me çantën e tij të vjetër prej lëkure të mbushur me libra, tek zbriste përditë nga Kamza dhe i drejtohej me hapin e tij të ngadalshëm rrugës së Pazarit të Ri, shpesh i shoqëruar nga të rinj përparimtarë, studentë e miq, nxënës e njerëz të etur për dije. I heshtur në mjedisin e tij intim thotë: "Më duan njerëzit e thjeshtë, me ata flas shtruar dhe ata më dëgjojnë me interes të madh".
Kurse te disa të tjerë shfaqej ai që quhej krimi i tij: libri "Nëna Kosovë". Gjithë jetën i munduar prej një vepre të madhe atdhetare!
"Unë librin "Nëna Kosovë" e kam shkruar plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë për përmbajtjen e tij e marr vetë. Këtë libër e kam shkruar si shqiptar dhe ka një stil human".
Me vështrimin e tij krenar që nënkuptonte një sfidë të pashembullt ai ia drejtonte këto fjalë inkuizitorit në sallën e gjyqit. Kanë mbetur ashtu si dhe të tjera të skalitura në veprën e Dr.Vasfi Samimit.
Autori i këtij dossier-i është me fat. Ma ka dhënë me dorën e tij një kopje të rrallë të librit “Nëna Kosovë”, asokohe kur ky veprim përbënte rrezik të madh. Kur ia kam kthyer librin kemi biseduar gjatë. Ai dëgjonte. Kishte një aftësi origjinale për të të dëgjuar, madje dhe për të kundërshtuar gjithnjë përmes një buzëqeshje pak ironike por gjithsesi tejet miqësore. Kështu, me një qetësi olimpike edhe kur dikush i tregonte se si një disertacion i tij ish përdorur si plagjiaturë prej një tjetri, edhe se si dikush bëri të tijin një studim sportiv a diçka tjetër. Vetëm "Nëna Kosovë" nuk prekej prej askuj sepse ajo ishte "corpus delictum" e askush nuk guxonte t'i afrohej. Ndërsa ai ua jipte miqve të tij. Kësisoj, ndonëse në Bibliotekën Kombëtare e kish zënë pluhuri në fondin e librave të ndaluar, "Nëna Kosovë" prapseprap kish gjetur mënyrën për t'u lexuar...
Vetvetiu prej "Nëna Kosovë" që mirëfilli nuk ka lidhje me sportin, gjej filozofinë edhe sportive të Dr.Samimit të "Kombit që di të ruajë qënien e tij fizike". Madje humane dhe sportive njëkohësisht. Se sporti më shumë se gjithçka është humanizëm.


Veprat e fundit të Dr.Samimit


Mbasluftës, mbas burgimit, Dr. Vasfi Samimi mbeti pedagogu dhe shkencëtari i blegtorisë, gjithnjë në rreshtin e parë të punëtorëve më të mëdhenj të blegtorisë. Jo i presidiumeve dhe as i tribunës qendrore të Stadiumit Kombëtar për ndërtimin e të cilit kishte propozuar qysh në fillim të viteve ’30. “Nëna Kosovë” dhe burgimi i shfaqeshin gjithnjë si pengesa e madhe herë me të butë e herë me të egër, herë në skenë e herë në mbrapaskenë, dhe gjithnjë për t’i kujtuar se deri ku ai e kishte cakun.
Në lëvizjen sportive shqiptare tash thuajse nuk i lihet aspak vend. Kjo ndoshta, ngaqë sporti, sidomos në diktaturë, është sferë e kulturës dhe kultura sferë e politikës dhe e edukimit komunist të masave. Nuk thirrej, nuk zinte asnjëherë as dhe tribunën apo podiumin më të thjeshtë të sportit kombëtar edhe nëse festohej përvjetori i 17 Nëntorit apo Sportklub Tiranës së tij, së cilës ai i kishte blatuar fizikun dhe shpirtin e tij. Nuk thirrej as në takimet apo mbledhjet dhe veprimtaritë e asaj që quhej BFSSH, fantazma e Komitetit Olimpik, prej përmendjes të të cilit Regjimi frikësohej.
Jo, jo! Tash ai ishte thjesht një Dr. Samim, thjesht një tifoz i heshtur i Sportklubit dhe në atë luftë shpesh përtej kufijve, midis Tiranës e Partizan - Dinamos qeveritare, nga ana tjetër, ai revoltohej për padrejtësitë dhe këtë natyrisht e shprehte në biseda me një kthjellësi e kompetencë absolute. Nuk fliste thuajse fare për karrierën e tij sportive, ndonëse nuk ishte pak të arrije deri te Fenerbahçe e Stambollit qoftë edhe e viteve '20. Gjithnjë te sportisti e tërhiqte fort ana funksionale, si të thuash ajo biologjike. Komentet e tij ishin edhe për regjimin jetësor, stërvitor, të ushqyerit e sportistit.
Nuk mund të them se Dr.Samimi ishte një spektator i rregullt i stadiumeve, i ndeshjeve, ndonëse në evenimentet ai ishte gjithnjë i pranishëm. Veçse nga ana tjetër ai ishte një ndjekës i përditshëm i sportit edhe kur fizikisht nuk ndodhej në stadium.
Jam befasuar për herë të parë kur në "studion" e tij si të shtëpisë si të një rilindasi, ai do të më tregonte një libër të lidhur prej tij, afër nja 80 faqe për ndeshjen Turqi - Shqipëri (2-1) të Stambollit më 1971. Një befasi e vërtetë! Ia kishin sjellë gazetat turke dhe përmes shfletimit të tyre, përkthimit të artikujve, një analize mjaft origjinale, ai në të vërtetë kish ndërtuar një libërth, publicistikë e vërtetë sportive e një vlere të pazakontë.
E rishfletoj sot mbas 35 vjetëve edhe një herë. E mrekullueshme!
Papritmas më përshkon një gëzim fëmije teksa bëj një zbulim gazetarije që më emocionon. Përveç të tjerave Dr.Samimi merret jo pak me shkrimin e gazetës “Terxhuman”. Dhe asgjë nuk mund t’i kalojë këtij njeriu të jashtëzakonshëm. “Autori, - shkruan Dr.Samimi për shkrimin e gazetës “Terxhuman”, kushtuar ndeshjes Turqi – Shqipëri, ka një emër që tingëllon afër: Islam Çupi”.
Ne vetëm vitet e fundit kemi zbuluar se Islam Çupi është i biri i Allaman Çupit, oficerit të gardës mbretërore i cili u largua nga Shqipëria me Mbretin Zog, duke marrë me vete në atë prill 1939, edhe shtatëvjeçarin Islam Çupi, i cili simbas Presidentit të sotëm të Komitetit Olimpik të Turqisë, Togay Bayatli, është gazetari më i madh sportiv i Turqisë në gjithë dekadat e fundit dhe i cili ishte krenuar me shqiptarësinë e tij. Dr.Samimi pa e ditur se kush qe Islam Çupi, “me një emër të afërt”, siç e shkruan me gëzim, megjithate merrte me mend se ka zbuluar që ka të bëjë të paktën me një njeri me origjinë shqiptare, e Islam Çupi kishte lindur mu në Tiranën e Dr.Samimit! “Çupi ka një simpati për skuadrën tonë”, shkruan Doktori më 1971. Ishte simpatia e shqiptarit për Shqipërinë. “Shëndeti futbollistik i skuadrës shqiptare, rritej vazhdimisht”, shkruante Islam Çupi më 1971. Ata zbatonin një metodë të mirë, sepse sikur e zgjeronin fushën”.
Mbas tridhjetë e shtatë vjetëve falë Dr.Samimit zbuloj pendën e një Islam Çupi, në kërkim të të cilit si gazetar ka kohë që jam. Befas prej Dr.Samimit më hapet një dritare për temën time të mëvonshme…
Po para kësaj përmbledhje për mbasndeshjen Turqi – Shqipëri 2-1, Dr.Samimit i kishin kërkuar një studim për gjendjen e futbollit turk, thjesht sepse Shqipëria do të ndeshesh me Turqinë për Kampionatin e Evropës. Një studim tjetër serioz, në të vërtetë i karakterit tekniko-historik rreth 70 faqe. Kush ia ka kërkuar? Kush ia ka marrë dhe shfrytëzuar? Sepse kaq mjaftonte, vetëm një studim kësisoji, për t’u fituar një titull shkencor në sportin shqiptar të viteve ’70.
Papritmas, pak më parë, më 1969, e kishin thirrur për një sesion shkencor për futbollin. Dikush tha: “Pjesëmarrja e Dr.Samimit, si një kuadër i vjetër, si përgjegjës në një ish Federatë të regjimeve të kaluara, nuk u pëlqye, vetë personalisht edhe nga ministri i Arsimit”.
Kam ndër duar këte studim tjetër të Dr. Samimit përkryer prej tij më 1970. Arrin gjithashtu rreth 70 faqe. Eshtë një studim i mirëfilltë për lojën e portjerit në futboll. I mungon historisë së studimeve shqiptare. Gjen në to përimtim të lojës së portjerit nga shembuj konkretë të disa ndeshjeve të Kampionatit Shqiptar, që janë tregime të vërteta futbolli, pa shkuar te kompetenca përimtuese e përfundimeve. Në te e gjejnë veten të gjithë portjerët e kohës: Rama, Ndoja, Dinella, Tafaj, Çaro, Dani, Janku. Dhe jo vetëm këto, por dhe vetë një historik i evolucionit të lojës së portjerit në futbollin botëror, qysh nga hapat e parë. Gjithçka është e mveshur me përimtimin teknik dhe taktik. Dhe me bibliografinë e një serioziteti të rrallë. E shfletoj edhe këte e papritmas gjej të skeduar shkrimin tim të “Bashkimit” të shtatorit 1970 për ndeshjen 17 Nëntori – Ajaks 2-2 dhe emrin tim midis titujve të bibliografisë së studimit të tij. Kam qenë 27 vjeç! Sapo e kisha filluar rrugën time të gjatë të gazetarisë. Dr. Samimi na gjurmonte të gjithëve me etjen dhe kërshërinë e shkencëtarit të tipit të tij që nuk shuhej as në moshën e tretë të jetës së tij. Ai nuk kishte komplekse as ndaj nesh që ishim fillestarë apo të rinj…
Këto studime të Mbasluftës të Doktorit natyrisht që kanë mbetur pa parë dritën e botimit. Janë si të thuash, tre libra, që kanë mbetë në dosjet e tij, e ai prap ka vënë buzën në gaz. Mandej është kënaqur duke i shkruar një letër të jashtëzakonshme trajnerit të RF Gjermane, Helmuth Shön kur Gjermania shpallet – Kampione e Botës më 1974. “Vetëm skuadra gjermane ka fituar një besim dhe siguri shpirtërore për një fitore të sigurtë. Në këte moment nuk mendohej për ndonjë sistem të ri loje, por vetëm për dashurinë për atdheun dhe besimin për fitore. Ishte gjithçka e pëlqyer”, - i shkruan Dr.Samimi trajnerit mitik të Gjermanisë në këte letër të cilën jo pa guxim ai e ka hedhur në kutin postare të Tiranës, pa menduar për një çensurim të mundshëm. Ai i bindej gjithmonë vetëm urdhërit të shpirtit të tij. E përnjison skuadrën gjermane me “vetëm për dashurinë për atdheun”, siç i shkruan Shön-it të famshëm. Atdheu, vetëm Atdheu qe për protagonistin tonë. Koncepti i dashurisë për Atdheun! E kishte parë trajnerin gjerman nga larg në mjedisin e Tiranës të dy ndeshjeve zâmëdha me Shqipërinë më 1967 dhe më 1971. Pa e lënë kush t’i afrohej…
Dhe ndërkaq kaloj te një digression tjetër që vjen prej pendës së tij:
“Një lëndinë e gjelbërt që mbulon varrin e tij s’ka dyshim se është një copë nga stadiumi, nga tapeti i gjelbërt i stadiumit tonë kombëtar dhe besojmë se kjo është dhurata më e mirë për të ndjerin prof. Anton Mazrreku”, ka lënë të shkruar Dr.Samimi në ditën e lamtumirës së bashkëthemeluesit tjetër tij në sportin kombëtar, natyrisht pa mundur ta botojë diku as këte nderim për Mazrekun tonë, por gjithnjë duke i mbajtur fort edhe këto mendime zemre mbrenda afshit të atdhetarisë së tij…
Për gati 40 vjet të Mbasluftës Dr.Vasfi Samimi pothuajse nuk ka botuar shkrime sportive. Nuk është e çuditshme megjithatë. Në gjithë atë peripeti persekutimi të vazhdueshëm, tashmâ gjendja shpirtërore natyrisht nuk të çonte te publicistika sportive e përditësuar, aq e gjallë, aq e gëzueshme, aq bixarre. Në gjithë këtë periudhë ai qe detyruar të shndërrohej më tepër në lexues i kësaj gazetarie. Them se me mall. Njeriu i cili sidomos në vitet '30 kishte themeluar mendimin sportiv shqiptar, në situatën e re të një organizimi sportiv i cili shpesh iu largohej parimeve të olimpizmit, i politizuar deri në skaj, përveç të tjerave, doemos që e kishte edhe të vështirë asisoji. Do të qëndronte te studimet historiko-tekniko-evolucioniste që kemi përsiatur në këte dossier, por të pafat në egërsinë e regjimit për të mos ia botuar. Ia kishin caktuar cakun.
Nuk kam çka zgjatem mâ. Duke u kthyer te shkrimi i tij i gazetës së asokohe "Drita" i 18 marsit 1939 "Ka vdekur sportisti ma i madh i kryeqytetit" kushtuar Niazi Tiranës, vërej se Dr.Samimi përmend në shtypin shqiptar për herë të parë në historinë e Shqipërisë "Fair play"-n. E pra gjithë jetën ishte për "Fair play"-n, për garën e ndershme, për jetën e ndershme. Kështu dhe e mbylli në një ditë vere të vitit 1981, në moshën 76-vjeçare, duke i mbetur në borxh deri përtej viteve '90 mu Shqipëria e dashtun e tij, e njeriut poliedrik të shkencës e të kulturës shqiptare, atij që ishte edhe një nga mendimtarët më të mëdhenj të sportit shqiptar, themelues i mendimit sportiv shqiptar, të paharrueshmit Dr.Vasfi Samim Visoka edhe për veprën e madhe sportive që i la Shqipërisë së tij…
--------------------------------------------------------------------

FUND
Dossier i plotë i “TemA”-s është botuar rresht në numrat e saj të datave 29 janar dhe ato të 5, 12, 19, 26 shkurt 2008.