Nga Edmond Haxhinasto

Ministër i Jashtëm



Në një botë si kjo e jona, me një globalizim të përshpejtuar dhe një ndërvarësi shumëplanëshe, dinamikat e zhvillimeve bëhen aq të shpejta e komplekse sa politika e jashtme duhet të mbetet solide, parimore, të tregojë fleksibilitet të maturuar e të bazohet në realitet. Por, pavarësisht dinamikës së realiteteve dhe zhvillimeve globale, rajonale apo kombëtare, në vlerësimin tim mbetet i pandryshuar roli dhe statusi gjithnjë në rritje dhe me një profil gjithnjë e më të spikatur, që Shqipëria ka fituar në universin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, progresi i prekshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kontributi për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, kontributi në luftën globale kundër terrorizmit, ndikojnë në këtë profil të ri të Shqipërisë. Shqipëria është dhe do të mbetet një partner serioz dhe një faktor i rëndësishëm rajonal që kontribuon në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik dhe ekonomik të rajonit e më gjerë. Politika jonë e jashtme, me maturi dhe dinjitet, shtrihet në dimensionet e një politike aleancash dhe partneritetesh që garantojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, i cili ndihmon dhe orienton një integrim euro-atlantik të sigurt dhe të qëndrueshëm. Në historinë e një kombi ka ngjarje të cilat mbeten përherë në memorien kombëtare dhe ndikojnë në vizionin dhe optimizmin për të ardhmen. Lëvizja e lirë është një prej tyre. Shqiptarët tashmë udhëtojnë pa viza drejt zonës Shengen, një hapësire që i përkasin plotësisht gjeografikisht, tashmë edhe psikologjikisht, dhe nesër, edhe politikisht. Një arritje e merituar dhe një premtim i mbajtur. Vendimi i marrë nga vendet e BE-së për Shqipërinë do të trajtohet nga shqiptarët me dinjitetin më të madh që meriton. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe liberalizimit të vizave, sinonim i aksionit të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë është bërë objektivi madhor i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Marrëdhëniet tona me vendet anëtare të BE-së, kanë evoluar në parametrat e partneritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat. Marrëdhëniet janë më dinamike, komunikimi më i drejtpërdrejtë dhe konkret. Kërkesat e detyrimet janë më të mëdha nga të gjitha palët. Shqipëria ka ndërtuar marrëdhënie solide, progresive me BE-në dhe 27 vendet anëtare të saj. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është udhërrëfyesi dhe angazhimi ynë parësor. Opinioni i Komisionit të BE do të përbëjë një plan pune për të na kualifikuar si vend kandidat në vitin e ardhshëm. Përfitoj nga rasti për të falenderuar presidencën Belge të BE-së për mbështetjen që na ka ofruar në procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e procesit të integrimit dhe shpreh besimin se, ashtu siç edhe m’u konfirmua nga autoritetet më të larta të Hungarisë, prioritetet tona do të mbeten në qendër të vëmendjes së presidencës së saj në BE për gjashtë-mujorin e parë të 2011. Politika e jashtme e RSH është e orientuar për t’u angazhuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Bashkëpunimi rajonal shkon përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë. Për RSH ai konsiston në një kontribut konkret për integrimin e rajonit në drejtim të: - inkurajimit të shqiptarëve në gjithë shtetet ku jetojnë për të qenë faktor promotor i integrimit euro-atlantik të secilit për këtyre shteteve, - infrastrukturës së përbashkët rajonale, heqjes së të gjitha barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, - mbështetjes së proceseve integruese në secilin vend – integrimin në strukturat e sigurisë dhe BE, - angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës e konkurrues. Shqipëria si vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e rajonit është e vendosur të rrisë rolin në këtë drejtim, duke ngritur në nivele të reja bashkëpunimin rajonal. Shqipëria, mbështet krijimin e një zone të lirë tregtie mes vendeve të rajonit, pa viza dhe pa kufij fizikë dhe jo fizikë, që do të kontribuojnë në përshpejtimin e proceseve integruese. Epoka e globalizmit kërkon që të shtojmë përpjekjet për krijimin e një Ballkani ngushtësisht të integruar ekonomikisht. Kjo do të ndihmonte për t’u kthyer në faktor të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtarë për vetë pozicionin gjeografik si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë frymë RSH do të forcojë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, për ta shtrirë dhe institucionalizuar atë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Shqipëria është e angazhuar në lobingun për rritjen e numrit të shteteve që njohin Kosovën si shtet sovran, dhe, njëkohësisht, është e gatshme të ndihmojë me përvojën e saj integruese dhe kapacitetet e saj të specializuara për të shpejtuar integrimin evropian e euroatlantik të Kosovës. Ne vlerësojmë se pas opinionit të GjND dhe Rezolutës së OKB-së, kërkohet një momentum i ri në drejtim të njohjeve të reja për Kosovën, si një kontribut i rëndësishëm për rritjen e vetë parametrave të sigurisë në rajon. Unë shpreh bindjen se përfshirja e Kosovës në të gjitha nismat shumëpalëshe në planin rajonal dhe më gjerë si dhe integrimi i saj në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e rajonit. Në këto kushte, bëhet i domosdoshëm hartimi sa më parë i një udhërrëfyesi për proceset integruese të Kosovës. Vlerësoj se institucionet e Republikës së Kosovës dhe partitë politike, me maturinë, pjekurinë dhe përgjegjshmërinë që i ka karakterizuar deri tani, po menaxhojnë procesin e pas zgjedhjeve parlamentare për të pasqyruar në mënyrë të drejtë dhe demokratike vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, sidomos të pakicave etnike, integrimi në politikë i të cilëve, nuk është çështje e përqindjeve demografike, por një parim dhe detyrim i madh ndaj gjithë perspektivës evropiane të Kosovës. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet me Maqedoninë dhe Malin e Zi, do të vijojnë të udhëhiqen nga fryma dhe veprimi konkret i politikës së fqinjësisë së mirë dhe partneritetit që ndihmon për integrimin dhe stabilitetin e rajonin tonë. Marrëdhëniet tona me këto dy vende përfshijnë një gamë të gjerë bashkëpunimi i cili duhet konkretizuar më tej në infrastrukturë, energjitikë, turizëm, mjedis, arsim dhe kulturë. Kemi inkurajuar Maqedoninë dhe kemi mbështetur përpjekjet për realizimin e reformave të brendshme dhe në mënyrë të veçantë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, çka do të krijojë bazën e nevojshme të bashkëjetesës ndëretnikë, ndarjen dhe bashkërendimin e përgjegjësive në administrimin e vendit dhe në procesin e integrimit. Ne jemi plotësisht të angazhuar për ta ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë. Shqipëria përshëndet vendimin e Komisionit të BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE për Malin e Zi si dhe e inkurajon atë në procesin e anëtarësimit në NATO. Zhvillimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet prioritet i politikës sonë rajonale. Në këtë kontekst është intensifikuar bashkëpunimi dypalësh, duke u konkretizuar me një numër vizitash, aktivitetesh dhe marrëveshjesh suksesi i të cilave do të kishte efekte pozitive në progresin e marrëdhënieve dhe aspiratave tona integruese. Tashmë që çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve është një faqe historie e kthyer një herë e përgjithmonë, dialogu i drejtpërdrejtë midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura e sovrane për çështje teknike është i domosdoshëm. Marrëdhënie të mira RSH ka me BiH, të cilën e mbështesim në integrimin e saj Euro-Atlantik. Me Kroacinë evidentojmë marrëdhënie të shkëlqyera që duhet të marrin një substancë më të madhe ekonomike. Pozita e re ndërkombëtare e RSH kërkon hedhjen e shikimit për forcimin e rivlerësimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera me të cilat kemi një traditë të hershme në marrëdhënie dhe me shtete ku kemi një histori të re. Politika e jashtme e Shqipërisë synon të forcojë marrëdhëniet dypalëshe, duke u fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, si dhe në zgjerimin e tyre me vende që gjeo-politikisht dhe gjeo-ekonomikisht janë larg vendit tonë. Globalizimi përbën një avantazh për vendet si Shqipëria, sepse shkurton distancat dhe ofron mundësi dhe vizibilitet më të madh dhe më të prekshëm. Dinamika e politikës sonë të jashtme do të vijojë të ruajë dhe të fuqizojë marrëdhëniet me aleatët tanë tradicionalë dhe strategjikë. Marrëdhëniet me SHBA zënë një vend parësor. Marrëdhënieve të shkëlqyera në fushën politike dhe atë të sigurisë, ne do t’i japim një dimension të ri, një rritje të ndjeshme në aspektin ekonomik. SHBA janë aleati ynë strategjik në çështje të politikës dhe sigurisë rajonale dhe globale. Marrëdhëniet me Italinë janë në nivelin e tyre më të lartë, gjë që e vërteton dhe numri i madh i fushave të bashkëpunimit, por gjithashtu edhe nënshkrimi, si një akt i rëndësishëm, i Dokumentit të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve tona. Greqia është një vend mik, një partner i rëndësisë strategjike, dhe në themel të marrëdhënieve tona qëndrojnë interesa të përbashkëta, të shumta dhe vitale. Me qeverinë e Greqisë, do të konsolidojmë më tej këto marrëdhënie duke i ruajtur ato nga ndjeshmëritë negative nacionaliste dhe ekstremiste. Shqipëria dhe Turqia kanë në mes tyre marrëdhënie tradicionale dhe të shkëlqyera, të cilat po konkretizohen me një dinamikë të fuqishme të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Këtë gjë e tregon më së miri edhe prania në rritje e kompanive të fuqishme turke në ekonominë shqiptare. Shqipëria është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin dhe partneritetin e ngushtë me të gjithë vendet e BE-së. Me vendet aleate të NATO-s si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, vendi ynë do të konsolidojë më tej bashkëpunimin e deritanishëm duke forcuar tiparet e partneritetit në marrëdhënie me ta. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe realitetet globale, politika jonë e jashtme po thellon dialogun politik dhe bashkëpunimin ekonomik me vende të tilla si : Kina, Japonia, Koreja e Jugut, India, Brazili, Afrika e Jugut, Australia, Meksika. Në këtë optikë ne synojmë që së shpejti të hapim përfaqësi të reja në Kuvajt, në Katar, të cilat do t’iu shtohen atyre të hapura rishtazi në Sllovaki, Japoni, Brazil, Indi. Po kështu, kemi gatishmëri të plotë dhe po veprojmë për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë, duke vlerësuar rëndësinë që ky vend ka për paqen dhe sigurinë globale, përfshi edhe rajonin tonë. Në kuadër të rritjes së profilit ndërkombëtar të RSH, diplomacia shqiptare e jashtme do t’i kushtojë vëmendje të veçantë marrëdhënieve me vendet anëtare të KS së OKB-së. Në këtë drejtim, aksioni diplomatik do të fokusohet në një përqasje më të integruar dhe të planifikuar duke synuar rivitalizimin e marrëdhënieve dypalëshe me të gjithë vendet në përputhje dhe në shërbim të interesit tonë kombëtare. Ky rivitalizim do të përfshijë forcimin e vizibilitetit të diplomacisë shqiptare, si dhe plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit, rritjes së shkëmbimeve ekonomike, forcimit të marrëdhënieve politike, në plan dy dhe shumëpalësh. Roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ka marrë një dimension dhe stad të ri zhvillimi, falë përkushtimit dhe gatishmërisë sonë për të kontribuar me seriozitet dhe përgjegjshmëri në sfidat dhe çështjet madhore që përbëjnë sot kryefjalën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ne besojmë në një OKB të fortë, dinamike dhe të reformuar, të aftë të përshtatet dhe t’i përgjigjet me efikasitet sfidave në rrafsh global, në funksion të paqes, zhvillimit të integruar dhe të qëndrueshëm, mbrojtjes së të drejtave të njeriut apo dhe ndryshimeve klimaterike. Shqipëria është shprehur e gatshme të rrisë kontributin e saj në të gjitha organizatat ku ajo bën pjesë, nëpërmjet marrjes së angazhimeve të reja në sfidat e sigurisë dhe zhvillimit si dhe pjesëmarrjes në institucionet dhe nismat e përbashkëta rajonale e më gjerë. Në përputhje me përgjegjësitë e reja të RSH, ne kemi iniciuar aksionin për Kryesimin e Radhës së OSBE-së, për vendin anëtar jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për vendin anëtarë në ECOSOC, në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB, etj. Pas plotësimit të të gjitha obligimeve që rrjedhin nga Konventa e Otavës për shkatërrimin e minave, vendi ynë do të drejtojë për një vit rresht punimet e kësaj Konvente ku marrin pjesë 154 shtete të Kombeve të Bashkuara. Tashmë RSH si vend anëtar i NATO-s, përbën një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë, siç reflektohet edhe nga angazhimi ynë me 307 trupa në Afganistan, Irak, etj. Kontributet tona do të rriten në drejtim të trajnimit të forcave afgane për marrjen përsipër të sfidave të sigurisë. Vlerësojmë konceptin e ri strategjik të Aleancës dhe përshëndesim dinamikën pozitive në marrëdhënien e saj me Rusinë për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. Roli i RSH në përballimin e sfidave globale, do të rritet në drejtim të një partneriteti të rëndësishëm me organizatat e përbotshme dhe ato rajonale. Ne do të rrisim, kontributin tonë në përballjen e sfidave të sigurisë, në drejtim të garantimit të rrugëve të energjisë, në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Axhenda e politikës së jashtme e Republikës së Shqipërisë dhe veprimtaria diplomatike e saj, ka sigurisht dhe një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme.

Së pari është rritja e përkujdesjes ndaj diasporës shqiptare, asaj të vjetër dhe asaj të re. Për këtë do të mbështesim organizimin e saj në vendin ku jeton, do të ndihmojmë me ruajtjen e kulturës dhe gjuhës si dhe do të realizojmë garantimin e kontributeve në sistemin e sigurimeve shoqërore. Së dyti, promovimi i vlerave dhe imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, do të jenë një prioritet i diplomacisë, nëpërmjet programeve dhe projekteve efikase. Por efektshmëria e tij bëhet më e madhe kur për këtë qëllim të realizohet një bashkëpunim me gjithë vendet e rajonit për ta bërë atë më të integruar dhe më atraktiv. Së treti, rritja e kapaciteteve profesionale të diplomacisë dhe forcimi i dimensionit ekonomik të saj. Po vlerësojmë me partnerët tanë programe specifike për trajnimin e diplomatëve tanë. Kjo diplomaci ka sjellë frytet e saj; e përkthyer kjo në rritjen e intensitetit të marrëdhënieve ekonomike, plotësimin e bazës ligjore të bashkëpunimit, komisionet e përbashkëta ekonomike, shtimin e numrit të kompanive prestigjioze që po investojnë në vendin tonë, etj. E gjitha kjo është arritur në sajë të intensifikimit të kontakteve diplomatike të vendit tonë me sferat e biznesit në mbarë botën. Në stadin e tanishëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit tonë, misionet tona diplomatike kanë intensifikuar punën e tyre me qëllim prezantimin e vlerave dhe mundësive që vendin ynë ofron për biznes. Ne synojmë që misionet tona të jenë sa më efikase dhe më efektivë, duke kërkuar që në çdo kohë stafi ynë diplomatik të kryejë një punë serioze, cilësore, me profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, në drejtim të politikës së jashtme, në funksion të saj, në realizim të politikës së jashtme nëpërmjet diplomacisë, do të forcojmë aftësinë e analizës dhe prognozës dhe si dhe formulimit të qëndrimit diplomatik nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe intensiv me përfaqësues nga bota akademike, por edhe me Komunitetin e Organizatave joqeveritare. Ne kemi një marrëveshje me ta, të cilën do ta rivitalizojmë dhe, takimi i sotëm, është edhe në funksion të këtij qëllimi për të angazhuar për t’i dhënë frymëmarrje, për t’i dhënë transparencë shumë më të madhe diplomacisë së Republikës së Shqipërisë.







21 Dhjetor 2010