Artistët e vegjël shqiptarë janë vlerësuar dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Këngës për fëmijë dhe të Rinj, që u zhvillua para disa ditësh në Salerno të Italisë. Në këtë aktivitet ndërkombëtar, kompozitori Agim Rrëza u nderua me “Pergamenën” e festivalit, ndërsa këngëtarja Ester Hoxha, u vlerësua me “Notën e Argjendtë”. Ky aktivitet kushtuar fëmijëve dhe të rinjve, që u zhvillua në Salerno të Italisë nga data 23-25 tetor këtë vit erdhi në edicionin e 27-të të tij. Në traditën e tij shumëvjeçare organizative, Festivali i 27-të i Këngës për Fëmijë e të Rinj vinte në konkurrim tre grupe pjesëmarrësish, të vegjlit, më të rriturit dhe të rinjtë. Pas një seleksionimi të gjatë mes qindra kompozitorëve nga e gjithë Europa, Shqipëria arriti të përfaqësohej përmes kompozitorit të mirënjohur Agim Rrëza, në kategorinë e të rinjve, me këngëtaren Ester Hoxha, me këngën “Io, te e l’amore”. Herën e parë, kompozitori Rrëza fitoi konkurrimin në festival, përmes një kënge për fëmijë. Në një garë treditore të 27 pjesëmarrësve kompozitorë, Shqipëria arriti deri në finale, ku përfaqësime të tilla dinjitoze i bëjnë nder Shqipërisë dhe u japin mundësinë talenteve të shfaqen, krahas artistëve europianë. Ky aktivitet cilësohet si një ndër më të rëndësishmit që zhvillohen në këtë qytet, duke mbledhur rreth tij artistët më të mirë nga bota





Bektash Zeneli, promovon librin “Gjysmëfitimtar dhe gjysmë të humbur”



“Gjysmëfitimtar dhe gjysmë të humbur”, kështu titullohet libri më i ri i autorit Bektesh Zeneli. Publiçisti Zeneli ka promovuar librin e tij të tretë ku kanë qenë të ftuar dashamirës të tij, miq dhe personazhe të botës së politikës. Ashtu si ka shpjeguar dhe Zeneli gjatë promovimit, tema e këtij libri është politike dhe flet për situatën parazgjedhore, zgjedhore dhe post zgjedhore në Shqipëri. Gjithashtu kjo vepër trajton në brendësi të saj dhe situatën zgjedhore të 2009. sipas tij fituesit e zgjedhjeve janë gjysmëfitues dhe humbësit gjysmë të humbur. Bektash Zeneli në këtë botim ka shprehur të gjitha mendimet e tij lidhur me zgjedhjet e 2009-të ku bëjnë pjesë shënime analiza dhe refleksione.





9 Nentor 2009