MADRID- U luajt në Madrid ndeshja miqësore e kombëtares shqiptare me atë të Katarit, e cila prodhoi tre “gola rrufe” për shtatë minuta, duke nisur direkt nga fillimi i pjesës së dytë, cka krijoi përshtypjen e një “festivali” golash, por nuk ndodhi kështu. Sepse pas dy “rrjetave” të Bakajt, në minutën e 46-të, e të Bogdanit, në minutën e 50-të me penallti, u shënua edhe goli i vetëm për Katarin, duke vulosur që aty fitoren përfundimtare 2-1 të të besuarve të De Biazit. Në stadiumin e Rajo Valekanos, kuqezinjtë tanë, nën drejtimin e trajnerit italian, zhvilluan kësisoji testin e radhës, në kuadër të përgatitjeve për fushatën kualifikuese në grupe të Botërorit 2014. Pa praninë e asnjë kamere në stadium, pa e transmetuar asnjë kanal televiziv, një kërkesë e Katarit kjo, që ishte edhe organizator i kësaj miqësoreje, të dyja skuadrat e nisën ndeshjen me formacionet si vijon:
Shqipëri-Katar 2-1
Shqipëria: Shehi, Dallku, Cana, Mavraj, Veliu, Vila, Bulku, S.Lilaj, Bakaj, Cani, Bogdani. Trajner: De Biazi
Katari: Quintana, Amaral C.Junior, Aëuley Quaye, Abdullhamed Burhan, Lamy K.Mohd, Abdulla A.Al Ghanim, Ibrahim Al-Kfanham, Abdulla Siddiq, Ali Am Alhmad, Ahmed M.Ali, Ali Rahmati. Trajner: Paulo Autuori 

De Biazi ka hedhur nga fillimi një formacion të ekuilibruar mes reparteve, sipas modulit 4-4-2, me Orges Shehin, portierin kampion të Skënderbeut në kuadratin kuqezi, ndërsa para tij rreshtohej mbrojtja në vijë të drejtë. Cana dhe Mavraj patrullonin qendrën e prapavijës së kombëtares sonë, ndërsa nga krahët pozicionohen Dallku në të djathtë dhe Veliu në të majtë. Ky i fundit kishte edhe ndeshjen e parë me kombëtaren kuqezi. Mesfusha i ishte besuar Sabien Lilajt dhe Ervin Bulkut, në qendër, me mision që të organizonin fazën ndërtuese të lojës sonë, por edhe të shkatërronin kundërshtarin teksa startonte fazën ofensive, me dy krahët që kishin emrat e Bakajt dhe Emiljano Vilës. Këta dy të fundit merrnin krahët për të krosuar te dy sulmuesit tanë, Bogdani dhe Cani, por njëkohësisht ishin orientuar nga De Biazi që të tentonin edhe qendrën e mbrojtjes së Katarit, për të ardhur nga pas krahëve e në befasi të godisnin portën kundërshtare. Pjesa e parë është karakterizuar nga një luftë e fortë sportive, me dyluftime të shumta në mesfushë, ndërkohë që më kërkues janë shfaqur kuqezinjtë tanë. Shqipëria, në 45 minutat e para ka krijuar edhe dy raste të volitshme për shënim, me anë të Bogdanit dhe Bakajt, por dy lojtarët në fjalë nuk kanë mundur të konkuldojnë si duhet në portën kundërshtare. 

Pjesa e dytë ka nisur mjaft mirë për tanët. Tanimë Elis Bakaj korrigjon shënjestrën, duke e kaluar Shqipërinë në epërsi në minutën e 46-të. Ashtu sikurse bën edhe Bogdani katër minuta më vonë, teksa shënon nga pika e bardhë e penalltisë, duke dyfishuar shifrat. Duket sikur “hapen portat” në këtë fraksion loje, sepse shënon edhe Katari në minutën e 63-të. Tre gola për shtatë minuta nuk të lënë ndonjë shije fort të mirë, megjithatë rëndësi ka fakti se kuqezinjtë zhbllokohen dhe të paktën “vetëkurohen” në aspektin psikologjik. Minutat e mëpastajme rifitojnë qetësi në drejtim të konkludimit, ndërkohë që dy trajnerët nisin serinë e zëvendësimeve, për t’u dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve që kanë në dispozicion për të shfaqur aftësitë dhe treguar veten në një ndeshje që duket më tepër se miqësore, që zhvillohej në një terr televiziv. 

Kjo ishte ndeshja e dytë e trajnerit De Biazi në krye të Shqipërisë, pas miqësores së fundshkurtit në Tbilisi, që e humbëm me rezultatin 2-1. Ndërkohë, pas katër ditësh, më 27 maj, në Stamboll do të luhet miqësorja tjetër e radhës me Iranin, në stadiumin e Beshiktashit. 

Miqësorja me Katarin ishte ballafaqimi i parë në historinë e të dyja palëve. Katari është vendi që e ka rritur se tepërmi interesin në futboll, për shkakun se “Botërori 2022” do të zhvillohet në këtë vend të vogël, por shumë të njohur për pasuritë e tij. Madje, disa klube europiane kanë tashmë pronarë ose aksionarë sheikë nga Katari, të cilët po i derdhin paratë lumë, duke e ndryshuar në njëfarë mase edhe “rrotën e historisë” në futboll. Shembulli i Mancester Sitit apo i Paris SG janë mjaft domethenës në këtë drejtim, sepse lojtarët më të mirë po rendin drejt tyre, nisur nga joshja financiare. Ndoshta në këtë aspekt mund të përfitojnë dicka edhe kuqezinjtë tanë, përvecse testonin veten në një miqësore pararendëse të fushatës kualifikuese në grupe të Botërorit 2012. Një mundësi shumë e mirë kjo për futbollistët tanë kuqezinj, për ta bindur trajnerin De Biazi, për të zënë një vend në listën e preferuar të italianit.
(el.me/PanoramaSport/BalkanWeb)