Kapiteni - De Biazi i dha shiritin Berishës, ndonëse në formacion kishte lojtarë më të vjetër si Kapllani e Lila


Golat - Mërgim Maraj dhe Armando Vajushi kanë shënuar dje golat e tyre të parë me fanellën e kombëtares shqiptare


Debutuesit - Fidan Aliti u aktivizua që nga minuta e parë, ndërsa Dosti, Qose e Rrahmani hynë në fushë në pjesën e dytë


Tifozët -Më shumë se 2 mijë tifozë kanë ndjekur ndeshjen, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin mbështetës të kuqezinjve


 


Kuqezinjtë mbyllin sezonin me suksesin 3-0 përballë skuadrës më të dobët në botë


 


Ermal Kuka


 


Kuq e zinjteShqipëria ka arritur të mbyllë me një fitore këtë sezon, duke mundur në miqësoren e djeshme ekipin e San Marinos me rezultatin 3-0. Ndeshja ndaj skuadrës më të dobët në botë ishte më shumë një ngushëllim për skuadrën e drejtuar nga Xhani de Biazi, pas dy humbjeve të fundit me Rumaninë e Hungarinë. Takimi ishte planifikuar thjesht për të parë në lëvizje disa futbollistë dhe për të përmirësuar bilancin e kohëve të fundit, pasi nga ana sportive, një përballje e tillë nuk sillte asgjë të re nga pikëpamja e përgatitjes për eliminatoret e Euro 2016.


Duke pasur parasysh se kundërshtarët ishin shumë modestë, De Biazi hodhi në fushë një formacion ofensiv, që kishte si qëllim vetëm fitoren në këtë ndeshje. Para Berishës, ndryshimi në mbrojtje ishte aktivizimi i Hysajt në të majtë, me Alitin që debutonte në qendër, ndërsa Lila dhe Mavraj ishin në pozicionet e tyre të zakonshme. Në mesfushë, Rama në të majtë dhe Vila në të djathtë kishin për detyrë të shtynin përpara, ndërsa Lilaj dhe Abrashi formonin dyshen e qendrës. Përpara, Kapllani dhe Vajushi kishin si detyrë të thumbonin portën kundërshtare. Por për shumë minuta me radhë, Shqipëria e kishte të vështirë të gjente të çara, pavarësisht lëvizshmërisë së Vajushit e Vilës. Edhe tentativat e Kapllanit bllokoheshin thuajse gjithmonë nga mbrojtësit kundërshtarë, të cilët nuk linin asnjëherë vetëm sulmuesin e kombëtares shqiptare. Për të zgjidhur ndeshjen dhe për të qetësuar disi trajnerin De Biazi, u desh një goditje dënimi në minutën e 27 të ndeshjes. Vajushi harkoi një top saktësisht në zonë për Mavrajn, i cili shfrytëzoi shtatlartësinë e tij për të dërguar topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë, duke kaluar në avantazh Shqipërinë.


Shënimi i golit qetësoi disi kombëtaren, që nuk u bazua më vetëm te topat e gjatë para, me të cilat po kërkonte ti shmangej mbulimit të prapavijës kundërshtare për të kërkuar golin. Shembulli konkret ishte aksioni me shumë pasime i minutës së 32-të, i finalizuar në mënyrë mjeshtërore nga Armando Vajushi me një gjuajtje perfekte nga jashtë zonës. Pas këtij goli, minutat e mbetura të pjesës së parë ishin më shumë një administrim rezultati, pasi Shqipëria nuk krijoi raste të tjera të rrezikshme.


Duke parë se kundërshtarët e kishin të vështirë të mbërrinin qoftë edhe deri para zonës së rreptësisë së Shqipërisë, De Biazi i besoi në pjesën e dytë katërkëndorin portierit Shehi, që zuri vendin e Berishës. Ndërkohë, në mesfushë ishte Kaçe që u aktivizua në vend të Lilajt, i cili dha një provë pozitive në pjesën e parë. Shqipëria vazhdoi të dominonte me lojën e saj, duke krijuar më shumë aksione të rrezikshme, edhe pse ritmi i lojës la shumë për të dëshiruar. Aktivizimi i Çikalleshit në vend të Ramës, përsëri në një ditë jo të mirë, gjallëroi pak lojën e kuqezinjve, të cilët në minutën e 73-të gjetën përsëri golin me anë të Vilës. Mesfushori shënoi me një diagonale të pakapshme pas harkimit të Hysajt, duke vulosur një ndeshje më se të mirë për të. Me shifrat 3-0 për kuqezinjtë, De Biazi vendosi tu jepte mundësinë lojtarëve të rinj që kishte grumbulluar, duke aktivizuar për pak minuta Dostin, Qosen e Rrahmanin. Por asgjë nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare, me takimin që u mbyll me të njëjtin rezultat si në miqësoren e vetme të mëparshme mes dy ekipeve tetë vite më parë. Megjithatë, suksesi i djeshëm do të shërbejë vetëm për statistikat, pasi realisht, në fushën e lojës, diferenca mes lojtarëve të dy skuadrave ishte shumë e madhe. Përballë kundërshtarëve në eliminatoret e Euro 2016 do të jetë thuajse e pamundur të zotërohet topi me përqindje aq të lartë, apo që kuqezinjtë të përballen me një rreshtim supermbrojtës 5-4-1 si i San Marinos, ku vetëm një futbollist cilësohet si profesionist, pasi aktivizohet në kategorinë e katërt italiane.


Ky shkrim Shqipëria, fitore për statistikë me San Marinon u publikua me pare te Gazeta SHQIP.