rama

Shifrat janë kokëforte. Vetë Saimir Tahiri raportoi vjet se ishin shkatërruar 600 mijë rrënjë kanabis, ose 99,2 përqind e sipërfaqes së mbjellë, kurse sivjet, shifrat zyrtare flasin për 1,5 milionë bimë të shkatërruara, ndërkohë që shifrat ndërkombëtare raportojnë për dhjetëra tonë ngarkesë kanabiste, që ndalohet nga rrugët e Shqipërisë. Dje ishte radha e kontrolleve në Qarkun Dibër, por më përpara duhet ndalur dora prej padrinoje që kanabisi ka siguruar në krye të qeverisë, në Tiranë

Pas një kontrolli në zona të pyllëzuara, policia e Matit ka zbuluar dje 3 600 bimë narkotike, por si gjithmonë, raportimi thotë se s'është bërë e mundur arrestimi i asnjë përgjegjësi për mbjelljen e tyre. Për kronikë theksohet se droga po kultivohej në vendin e quajtur "Shkalla e Bardhë", njësia Administrative Baz, në parcela të hapura rishtas bimë narkotike. Nga këqyrja e bërë nga grupi hetimor rezultoi se në këto parcela ishin të kultivuara 3600, bimë të dyshuara narkotike "Cannabis Sattiva". Gjithmonë, raportimi pak i besueshëm i policisë së Saimir Tahirit përfundon me shprehjen standarde "bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies, ku disa prej tyre u morën në cilësinë e provës materiale".

Republika kanabiste e Edi Ramës dhe e Saimir Tahirit është i vetmi premtim i mbajtur dhe i mbajtur 100 përqind nga ana e tyre. Në shtator një viti më parë, duke huazuar edhe "çertifikimin italian" Saimir Tahiri deklaroi se në vitin 2015 ishin mbjellë 44 ha me kanabis por ai kishte shkatërruar 99.2 % të të gjithë kësaj sipërfaqeje, apo 690 mijë bimë. S'kishte lënë kanabis në këmbë. Kishte pastruar gjithë Shqipërinë. Situata sivjet, pas edhe përpjekjeve politike e publike për të zyrtarizuar Shqipërinë si një vend prodhimi të kanabisit, ka nxjerrë në pozicion ofsajti një qeveri të paaftë e cila e ka pasur mendjen vetëm tek një ekonomi, tek ajo e drogës. Vetë Tahiri deklaron se sivjet deri në këtë moment ka shkatërruar 1,5 milionë bimë. "Ku mbillet sot është mbjellë edhe vjet, parvjet, parsivjet e kështu me radhë" - deklamon ministri si një specialist i këtyre punëve. Nëse pranojmë të vërtetë ç'thotë sivjet Tahiri, del se ai paska qenë fare i verbër vjet dhe është mburrur kot së koti. Nëse pranojmë se vjet është mburrur plot se ploti, paska ndodhur gjëma sivjet, e mburret kot së koti. Këtë dilemë ta zgjidhë Tahiri me veten ose shefin e vet. Sa për shqiptarët, ata sytë në ballë i kanë. Shohin fare saktë e fare qartë se ç'mbolli Rilindja vjet e sivjet. Shqiptarët arrijnë të përfytyrojnë fare qartë edhe se sa do të mbillet në vitin e ardhshëm zgjedhor. Kurrkush nuk e besonte por ja që mrekullia rilindëse ndodhi. Edi Rama e Saimir Tahiri mund të kenë gënjyer shqiptarët për turlisoj gjërash, por për një gjë janë seriozë dhe e kanë përmbushur 100 përqind: Republika Kanabiste e Lazaratit vdiq për të rilindur Republikën Kanabiste të Shqipërisë. Dje propaganda policore e kanabistëev në qeveri bëri sikur kishte bërë kontrolle në Qarkun Dibër, por më përpara, që plaga të mos lihet të majiset, duhet ndalur dora prej padrinoje që kanabisi ka siguruar në krye të qeverisë, në Tiranë.

Fakti/Ministri i Kanabisit para kamerave premton rritje pagash për policët, pas kuintave u mban 200 lekë nga rroga/Punonjësit e policisë nuk e kanë marrë të plotë pagën e muajit gusht. Secili efektiv ka marrë 8 deri në 20 mijë lekë të reja më pak nga paga mujore. Kjo shumë iu është mbajtur me argumentin se paratë e paguara më herët për orët shtesë nuk ishin tatuar dhe ky tatim iu është llogaritur në pagën e muajit gusht. Në një hark prej 3-4 muajsh efektivët e policisë që punojnë më shumë se orët e lejuara marrin pagën për orët suplementare në shërbim, pagesë, e cila varion rreth 10 mijë lekë shtesë mbi rrogën mujore. Për vitin 2015 Policia e Shtetit ka marrë nga buxheti një fond rreth 220 milionë lekë për orët suplementare të punonjësve të saj. Afërsisht e njëjta shifër ishte parashikuar edhe për këtë vit. Ky problem ndodh pikërisht në muajin kur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha pas vrasjes së policit të FNSH Ardian Kodra se do t'i kërkojë kryeministrit Edi Rama rritjen e pagës së policëve.