Misioni Amerikan pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, përshëndeti miratimin e kandidaturës së Shqipërisë, për kryesimin e OSBE-së në vitin 2020. Në një mesazh në Twitter, thuhet se SHBA-të janë gati të mbështesin Shqipërinë në këtë rol vendimtar.


SHBA përshëndet vendimin e arritur në mbledhjen e OSBE-së, duke miratuar sot kandidaturën e Shqipërisë si Kryetar i OSBE-së në vitin 2020! Ne shpresojmë që të mbështesim Shqipërinë, pasi ajo të marrë këtë rol vendimtar, thuhet në reagim.


Nga data 1 janar e vitit 2019, vendi ynë bëhet pjesë e Trojkës. Lajmi bëhet i ditur në faqen e Twitter-t të Italisë, kryesuesja e radhës e Organizatës.


Presidenca e OSBE-së ka një rëndësi të veçantë ndryshe nga organizmat e tjerë si NATO apo BE, për shkak se në të bëjnë pjesë edhe shtete si ato Perëndimore dhe ato Lindore. Këtu mund të përmendim se anëtare janë edhe Rusia, SHBA, Turqinë, por edhe shtete anëtare të BE-së, si Gjermani, Austria, Italia apo dhe Greqia.


7 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)