Kryesimin e OSBE-së për vitin 2020 do ta ketë Shqipëria. Dritën jeshile për këtë sfidë Shqipëria e ka marrë ditën e sotme, pas disa vitesh që kandidon për të marrë këtë kryesim.


Nga data 1 janar e vitit 2019, vendi ynë bëhet pjesë e Trojkës. Lajmi bëhet i ditur në faqen e Twitter-t të Italisë, kryesuesja e radhës e Organizatës.


Vendimi është përshëndetur edhe nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.


Ambasada e BE në Shqipëri mirëpret vendimin për miratimin e kandidaturës së Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së. Presim me padurim ti japim mbështetjen tonë Shqipërisë edhe për këtë rol të rëndësishëm, shkruan ambasadori i BE.


Mësohet se shtete anëtare të kësaj organizata kanë votuar që Shqipëria të drejtojë këtë presidencë. Mbi bazën e këtij votimi rezulton se kontestime nuk kanë pasur as përfaqësuesit e 57 shteteve si Serbia dhe Rusia. Pikërisht sot ishte edhe afati i fundit i kontestimit nga ana e shteteve anëtarë për këtë kandidaturë.


Presidenca e OSBE-së ka një rëndësi të veçantë ndryshe nga organizmat e tjerë si NATO apo BE, për shkak se në të bëjnë pjesë edhe shtete si ato Perëndimore dhe ato Lindore. Këtu mund të përmendim se anëtare janë edhe Rusia, SHBA, Turqinë, por edhe shtete anëtare të BE-së, si Gjermani, Austria, Italia apo dhe Greqia.


5 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)