Franca deklarohet pro statusit, Rumania lobon për Shqipërinë 


Bushati në Izrael: Statusi jep shans të influencojmë kundër përhapjes së antisemitizmit


Atmosfera – Atmosfera në vendet e Bashkimit Europian konsiderohet si tejet e favorshme për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.


Fatjona Mejdini


Edi Rama & Stefan FyleShqipëria nesër pritet të njihet me vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në lidhje me statusin e vendit kandidat, i cili do të merret në orët e mesditës në Luksemburg. Ndërkaq, dje pasdite, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Moro, është shprehur se vendi i saj do ta mbështesë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, pavarësisht se vendimi final do të jetë ai i 28 vendeve anëtare të BE-së. Ajo shprehu optimizëm për këtë sfidë të radhës të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë po shkon drejt marrjes së statusit. Në pritje të këtij vendimi të rëndësishëm për vendin tonë, lobim të orëve të fundit nuk po bëjnë vetëm krerët e lartë të mazhorancës shqiptare, por në ndihmë të tyre po vijnë edhe diplomatët e lartë të disa vendeve europiane. Pas Austrisë, lobim pro marrjes së këtij statusi po bën edhe Rumania. Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Titus Corlatean, deklaroi dje nga Bukureshti se ai kishte pasur takime me diplomatë të lartë të vendeve të BE-së dhe u kishte kërkuar atyre të mbështesin Shqipërinë në marrjen e këtij statusi. Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati ndodhet në Izrael për një vizite pune, por pa harruar çështjen e statusit të vendit kandidat. Gazeta prestigjioze izraelite The Jerusalem Post, në një shkrim të saj të publikuar dje për këtë vizitë, deklaroi se Bushati është shprehur gjatë një takimi me Këshillin Izraelit të Marrëdhënieve me Jashtë se në rast se Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, atëherë mundësitë e saj për të influencuar në politika kundër përhapjes së antisemitizmit në Europë do të jenë më të mëdha. Qëndrimi duket se vjen në vazhdën e qëndrimit miqësor shqiptar ndaj çështjes së hebrenjve, në kuadër të së cilës, Bushati kujtoi në Jerusalem se: Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë ku numri i popullsisë hebreje ishte më i madh pas Holokaustit sesa përpara tij.


Rumania


Rumania është një vend i Bashkimit Europian, i cili jo vetëm do të japë nesër votën pro marrjes së statusit kandidat në mbledhjen e ministrave të 28 vendeve anëtare të BE-së në Luksemburg, por po lobon dhe te vendet e tjera për të mbështetur Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm i këtij vendi, Titus Corlatean, i cili u shpreh se në emër të këtij qëllimi kishte marrë takime me diplomatë të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm, Bushati, ishte pak ditë më parë në Bukuresht në kuadër të një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), ku mori mbështetjen e tyre në kuadër të statusit të vendit kandidat në BE. Edhe vende të tjera europiane kanë qenë të organizuara në lobimin për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Këtu mund të përmendet Austria, e cila pak javë më parë ndërmori një nismë për tju kërkuar paraprakisht të gjitha vendeve anëtare mbështetjen e Shqipërisë për dhënien e statusit.


Izraeli


Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është duke zhvilluar një vizitë pune në Izrael me ftesë nga Këshilli Botëror Hebre dhe Këshilli Izraelit për Marrëdhëniet me Jashtë për të prezantuar prioritetet e politikes së jashtme të Shqipërisë dhe zhvillimet më të fundit në Ballkan. Në këtë vizitë nuk qëndroi jashtë vëmendjes as çështja e vendimit për statusin e vendit kandidat. Sipas gazetës The Jerusalem Post, Bushati është shprehur se në rast se Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, atëherë mundësitë e saj për të influencuar në politika kundër përhapjes së antisemitizmit në Europë do të jenë më të mëdha. Në të u fol për nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Potenciali i marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Izrael nuk është ende i shfrytëzuar plotësisht, sidomos sa u përket fushave të identifikuara nga të dyja palët, si fusha me karakter strategjik: energjia, bujqësia, infrastruktura dhe telekomunikacionet, deklaroi Bushati në këtë vizite.


Ky shkrim Shqipëria, një ditë larg statusit kandidat u publikua me pare te Gazeta SHQIP.