A do të rikandidojë drejtori aktual i Teatrit Kombëtar Hervin Culi për një mandat të dytë? Ndërsa pritet që më datë 12 mars të përfundojë dorëzimi i platformave për kandidatë për drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar në Ministrinë e Kulturës, drejtori aktual vazhdon punën si kreu i institucionit më të rëndësishëm të teatrit në vend. Këto ditë Culi ndodhet në Sofie në një event ndërkombëtar për teatrin ku ishin ftuar gjithë drejtorët e Teatrove Kombëtare të Ballkanit.


Në faqen e tij në Facebook Culi ka publikuar një foto krah drejtorit të Teatrit Kombëtar të Sofies Marius Donkin. Sipas Culit gjatë këtij takimi është krijuar Association of Balkan National Theatres. Gjatë katër viteve në krye të Teatrit Culi është treguar i kujdesshëm për përzgjedhjen e repertorit duke vendosur në skenë vepra të rëndësishme. Zëra brenda teatrit konfirmojnë që Culi pritet të rikandidojë për një mandat të dytë.


Ndër kandidaturat e shpallura publikisht deri tani për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar janë Ema Andrea, Laert Vasili dhe Genc Fuga. Me përfundimin e afatit të dorëzimit të projekteve në Ministri, pritet të mësojmë se cilët janë kandidatët e vërtetë zyrtarë për postin e teatrit në një moment të rëndësishëm të tij, siç është zhvendosja në një tjetër hapësirë dhe debatet për ngritjen e një teatri të ri.


11 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)