Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 0.2 për qind në vitin 2017. Instat ka publikuar shifrat, sipas të cilave më 1 janar të 2018, Shqipëria numëron 2 milionë e 870 mijë 324 banorë.


Uljet të numrit të popullsisë u vunë re në qarqet Gjirokastër, Dibër, Berat, Kukës, Korçë, Elbasan, Lezhë, Fier dhe Shkodër. Vetëm Vlora, Durrësi dhe Tirana pësuan rritje të popullsisë për 2017.


Në tkurrjen e popullsisë duke se kontributin më të madh e ka shtesa natyrore, ose numri i banorëve që mbetet nga raporti lindje-vdekje. Sipas Instat, për 2017 kjo shifër ishte 8637 banorë, duke pësuar një rënie me 16.5 për qind.


Po ashtu, statistikat konfirmojnë edhe fenomenin e plakjes së popullsisë. Instat thotë se numri i banorëve nën 14 vjeç ka pësuar rënie me 0.7 për qind, duke zbritur nga 26.7 për qind, që ishte në 2016, në 26 për qind për 2017.


Ndërkohë, numri i pensionistëve, apo i banorëve mbi 65 vjeç është rritur me 0.5 për qind në krahasim me 2016, duke shkuar në 19.4 për qind.


Nga të dhënat e Instat, ka një barazpeshë sa i takon ndarjes gjinore. Kështu, 1 milion e 438 mijë e 609 banorë janë meshkuj dhe 1 milion e 431 mijë e 715 janë femra.







12 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)