Në Tiranë, sapo është kryer një vëzhgim mbi emigrimin e ri të shqiptarëve. Sipas këtij vëzhgimi, që publikohet të hënën në kryeqytet, ritmi i largimit të shqiptarëve nga vendi po rritet përsëri deri në nivelet rekord të vitit 2015.


E veçanta në këtë valë të re emigrimi është se tashmë qytetarët thjesht ikin heshturazi e nuk kthehen, por nuk kërkojnë azil.


Edhe gjatë vitit 2017 qytetarët shqiptarë vazhduan ta braktisin vendin në masë të konsiderueshme, duke kërkuar ta ndërtojnë jetën e tyre në shtete të tjerë.


Vëzhgimi i revistës Monitor, që publikohet të hënën në Tiranë, zbuloi një tjetër rritje të fortë të ikjes së shqiptarëve, tregues i emigrimit të shtuar edhe gjatë vitit 2017.


Nga të dhënat e INSTAT për 10-mujorin e 2017, largimet pa kthim të shqiptarëve shënuan një rritje të re, në diferencën mes udhëtarëve që dalin dhe atyre që hyjnë nga kufiri.


Sipas vëzhgimit, grafiku i largimeve të shqiptarëve ka 3 kulme maksimale; në vitin 2011 kur Shqipërisë iu hoq regjimi i vizave, një kulm tjetër është viti 2015, kur u vërtetua se kishte shumë aplikime për azil, dhe tani në 2017, që njerëzit ikin dhe nuk deklarojnë asgjë as kur nisen dhe as kur mbërrijnë.


Diferenca mes daljeve dhe hyrjeve nga vendi të shtetasve shqiptarë

Drejtuesja e revistës Monitor, Ornela Liperi, theksoi se në mungesë të një regjistrimi të popullatës, kjo mënyrë e tërthortë është e vetmja për të regjistruar largimet e njerëzve, pra përmes raportit të atyre që ikin dhe atyre që kthehen, një diferencë që sa vjen dhe thellohet.


“Ritmi i ikjes së shqiptarëve në 10 muajt e 2017 është po aq i lartë sa edhe në vitin 2015, kur shifrat arritën rekord maksimal. Njerëzit ikin nga mungesa e alternativës, sidomos të rinjtë. Firmat, bankat, callcenterat po shkurtojnë vendet e punës. Punëdhënësi më i madh privat aktualisht është një kompani lojërash fati”, tha zonja Liperi.


Në një pjesë të konsiderueshme të shifrave, bëhet fjalë për largime të fshehta e të padeklaruara të shqiptarëve.


Ata thjesht udhëtojnë jashtë vendit dhe nuk kthehen brenda afateve ligjore, mbeten jashtë dhe nuk deklarojnë statusin e tyre.


Një pjesë kërkojnë azil, por një pjesë nuk kërkojnë azil, ata kërkojnë punë dhe jetesë jashtë vendit pa treguar asgjë rreth vetes, e duke humbur çdo gjurmë.


“Mendoj se u duhet rënë kambanave të alarmit, sepse Shqipëria po zbrazet edhe nga mjekët e profesorët edhe nga rinia e nga fuqia punëtore. Me këto ritme po plaket popullata dhe po nisin probleme të rënda sociale e ekonomike. Shqipëria nuk është vetëm e politikanëve, por është e të gjithëve”, tha sociologu Gëzim Tushi.


Sipas të dhënave të fundit, diferenca mesatare historike për kthimin është negative midis 200-250 mijë persona, duke llogaritur edhe periudhën 3 mujore që kanë të drejtë të rrinë andej.


Ekspertët pohojnë se kur shifrat kapërcejnë befas, edhe shkaqet që i sjellin ato ndryshime janë të forta.


21 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)/VOA